LAJMI I FUNDIT:

Sytë e Kosovës

Sytë e Kosovës
Prishtinë, qershor 1999 (foto: Wolfgang Eilmes)

Nga: Enver Kushi

Në reportazhin “Në Kosovë, midis vëllezërve”, shkruar nga shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare në vitin 1980, më ka mbetur në mendje, mes të tjerash, edhe përshkrimi që ai i bën shpellës së mermerit në Godime . Ai shkruan: “Një stalagmit e një stalaktit që do të takohen pas një milion e gjysmë vjetësh e që quhej Romeo e Zhuljeta. Të gjitha këto janë gjetje të bukura, pikërisht sepse kanë referenca njerëzore. Ndryshe s’janë veçse mermer e kuarc e pritje e pakuptimtë stalagmitesh, përpara së cilës pritja më e thjeshtë njerëzore është e madhërishme”.


Dhe në fund të këtij reportazhi, nga më të bukurit e këtij lloji të Kadaresë, vijnë fjalët gati-gati profetike të tij: “Aty te qafa e malit, ndahemi më në fund me shoqëruesit tanë, me ata që kishim pranë ditë e natë në këtë udhëtim të paharruar. Do të shihemi përsëri. Këto fjalë përsëriten shumë herë . Bëjmë shaka me stalagmitet në shpellën e mermerit: Le të rrinë ata atje e në pritje të takimit nga një milion vjet! Ne do të presim më pak”.

Në tetor të vitit 1999, pesë muaj pasi Kosova ishte e lirë, ndërsa kalova Morinën, më erdhi në mendje reportazhi i Kadaresë dhe kodi i metaforës për stalagmitet. Ishte hera e parë që shkoja në Kosovë dhe nuk do ta harroj kurrë udhëtimin nëpër natë, derisa arritëm në Prishtinë. Atëherë punoja në Ministrinë e Kulturës ,dhe bashkë me Dhimitër Dishnicën, shoqëronim një grup aktorësh të Teatrit Kombëtar, si dhe artistë të tjerë nga Tirana, që do të jepnin shfaqje në Prishtinë dhe që do të përshëndesnin Kosovën e lirë.

Reportazhin “Sytë e Kosovës” e shkrova sapo u ktheva në Tiranë, nga udhëtimi mbresëlënës në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri etj. ,Pra ishte vjeshta e dytë e vitit 1999, gati 20 vite pas udhëtimit të Kadaresë së madh dhe fjalëve profetike të tij:”Ne do të presim më pak.”

Natën nëpër Kosovë

Udhëtimin e parë në Kosovë asnjëherë nuk e kisha menduar se do ta bëja natën … E, megjithatë, udhëtimi nëpër natë në Kosovë, veçanërisht në fillim vjeshtën e dytë është sa e çuditshme, aq edhe sugjestiv. Këtu nata është tjetër natë, më vjen papritur vargu naimjan, teksa përpiqesha të shihja përmes xhamave të autobusit tokën kosovare. Fshatra të afërt dhe të largët, xixëllima dritash, shtëpi të djegura që të shfaqen sikur je në ëndërr. Prizreni, Suhareka … E, prapë fshatra dhe shtëpi të rrënuara nga barbarët serbë. Hiqe këtë perde të zezë nate, të bëhet të flasësh me zë të lartë. Hiqe të shohim Kosovën … Pastaj unë them si nëpër gjumë se ku janë sytë e Kosovës. Si sytë e Kosovës, dëgjoj një zë pas meje. Ku jemi, pyes unë. Në Kosovë, thotë zëri pas meje. Ju po flinit? Po dremisja. Nuk isha në gjumë, them unë. Kështu mu duk, thotë zëri pas meje. Kështu mu duk shton ai … Ju pyetët për sytë e Kosovës kur ishit në gjumë … Unë i them prapë se nuk isha duke fjetur e se mundet të kem qenë duke dremitur, kur kam pyetur për sytë e Kosovës. Kjo nuk ka rëndësi, vazhdoj të flasë unë. Sapo kaluam Morinën, duke vështruar jashtë terrin e natës, jam përpjekur të shoh sytë e Kosovës. Kosova ka sytë e saj. Më kupton? Sytë e saj. Tani është natë, thotë pas meje zëri dhe … Nuk i përgjigjem.

Vështroj jashtë për të depërtuar në errësirën e paanë. Dhe, ndjej të dridhura kur kujtoj mijëra e mijëra kosovarë që u detyruan të largoheshin. Gra e burra, fëmijë, pleq të kërrusur nga vitet me sytë e tmerruar iknin e iknin. Po Kosova? Befas ajo mbeti pa sy. Serbët kishin shekuj që punonin që t’ia arrinin kësaj dite: ta boshatisnin Kosovën, duke e lënë pa sy. Qindra e mijëra rapsodë, poetë anonimë, bejtexhinj provincash të largëta serbe, shkrimtarë deri nobelistë, historianë, akademikë, murgjër dhe priftërinj, prej shekujsh kanë derdhur mbi hapësirat kosovare helm dhe vrer. Ata u kanë paraprirë taborëve të ushtarëve e gjeneralëve për zhbërjen dhe verbimin e Kosovës.

E, teksa vazhdoj të vështroj hapësirat e tokës kosovare nën velin e zi të natës, nuk e di pse më vjen ndërmend princi i Jugut të Shqipërisë Gjin Bua Shpata dhe rrethimi i Janinës. A ke dëgjuar për Janinën, i them bashkëbiseduesit pas meje. Si jo, thotë ai. Janina e Ali Pashë Tepelenës, shton pas pak. Por, për Preluboviqin a ke dëgjuar? Ç’është ky? Ndonjë gjeneral serb? – pyet ai. E, unë i them bashkëbiseduesit pas meje se në një nga kronikat e 600 e ca viteve më parë, flitet për Janinë, princin tim Gjin Bua Shpata dhe serbin Preluboviq që kishte pushtuar qytetin. Gjin Bua Shpata kishte rrethuar qytetin, duke sulmuar me ushtri të madhe për ta marrë atë. Dhe, a e dini se ç’thotë kronika për Preluboviqin? Për ta thyer moralisht princin tim Gjin Bua Shpata, serbi Preluboviq çdo ditë i dërgonte atij një shportë me sy shqiptarësh. E tmerrshme, thotë zëri pas meje. Përfytyro, vazhdoj unë të tregoj. Përfytyro qindra sy, dhuratë në shportë dhe ata qindra shqiptarë të verbër që lejoheshin të dilnin nga qyteti i rrethuar, duke u endur nëpër terr. O Zot, o Zot, thotë zëri pas meje. Ç’makabritet … Unë hesht. Ka heshtur edhe bashkëbiseduesi im. E, ndërsa autobusi ecën përmes Fushë-Kosovës dhe në horizont duken dritat e Prishtinës, si nëpër gjumë, me zë ëndrre them: Ku janë sytë? Ku janë sytë e Çamërisë? Ajo ndodhet larg, qindra kilometra larg, e përkëdhelur nga erërat e buta të vjeshtës së dytë. Kthejani sytë asaj, më bëhet të thërras me zë të lartë. Kthejani sytë motrës së vogël.

Më zgjojnë pikat e mëdha të shiut që përplasen mbi xhamin e autobusit … Kemi arritur në Prishtinë. E, ndërsa zbres dhe vrapoj nëpër shi pas grupit të artistëve të ardhur nga Tirana, nuk e di pse më duket sikur kam vite që eci nëpër natë për të arritur në kryeqendrën e Kosovës …

Ura pa lumë

Ditën e tretë të qëndrimit në Prishtinë, një mjegull e dendur dyndi në qytet. Është mëngjes dhe sapo hap dritaren, befasohem nga pamja që shoh nga kati i dymbëdhjetë i hotelit “Grand”. Kompleksi sportiv, ndërtesa e ish-sekretariatit të Punëve të Brendshme e bombarduara nga NATO, kodra përballë e fusha në të majtë dhe gjithçka tjetër është mbuluar nga mjegulla. Krra-krratë e sorrave, si dhe mjegulla e dendur, e hirtë apo zërat e njerëzve që nuk merrej vesh se nga vinin, nuk e di pse më krijonin përshtypjen sikur fluturoja mbi një peizazh surrealist. U largova nga dritarja dhe hapa bllokun e shënimeve. Kam hedhur në të fakte tronditëse nga takimet me drejtues dhe specialistë të Arkivit të Kosovës, Monumenteve të Kulturës, Muzeut Historik … Qindra monumente kulturore të rrafshuara, mijëra dokumente arkivorë të grabitur, 47 kuti metalike me objekte të Muzeut Historik të Kosovës të bëra gati për t’u dërguar në Beograd. Dal prapë në dritare … Është e njëjta pamje me mjegullën e hirtë dhe krra-krratë e sorave. Dhe, kujtoj si në ëndërr udhëtimin nëpër natë, bisedën për sytë e Kosovës dhe princin tim Gjin Bue Shpata.

Këto imazhe nuk e di pse nuk më hiqen nga mendja dhe kur udhëtoj në rrugën Prishtinë-Mitrovicë. Copa mjegulle qëndrojnë mbi Fushë-Kosovë dhe lartësitë e buta në të djathtë të rrugës. Memoriali kushtuar betejës fatale të vitit 1389 ku ballkanasit u mundën dhe Tyrbeja e Sulltan Muratit duken si të dala nga mjegulla e shekujve. Kuaj të vetmuar. Prapë tufat e sorrave dhe copat e vogla të mjegullës që i shtynte era e mëngjesit. Dhe, hingëllimat e kuajve të vetmuar të Fushë-Kosovës. Dhe, përsëri shtëpitë e djegura të fshatrave, një urë e shkatërruar, ushtarë të KFOR-it me vështrime të habitura. Era e shkatërrimit, por dhe ajo e rindërtimit të Kosovës, na ndjek kudo. Në qytetin e Vushtrrisë është shkatërruar tërësisht pazari i vjetër, xhamia (nga më të vjetrat në Ballkan) si dhe disa banesa karakteristike. Nënkryetari i Komunës së Vushtrisë flet me dhimbje për këtë rrënim. Ai na shoqëron nëpër rrugët e qytetit ku duket se jeta po i kthehet normalitetit. Dhe, kur ne e falënderojmë për shoqërinë që na ka bërë dhe rrëfimet për lashtësinë e qytetit, ai ngul këmbë që të vizitonim edhe urën që ndodhej jo shumë larg qendrës. Është ura e vjetër, që mrekullisht i ka shpëtuar shkatërrimit serb, thotë ai. Ajo ishte një urë me harqe fare pranë Vushtrrisë. Kalojmë mbi të. Diku, në mesin e saj, unë qëndroj dhe duke vështruar me vëmendje çdo gjë për rreth mendoj për karvanët e kuajve, tregtarët, ushtarët, gjeneralët, rapsodët, poetë të qyteteve të largëta të Ballkanit, filozofë, hoxhallarët, murgj, diplomatë, lajmëtarë, populli i thjeshtë, që kanë kaluar mbi këtë urë. Kemi kaluar në anën tjetër të urës e ndërsa në kthim, kur ecim në këmbë, unë befas pyes:

– Ku është lumi?

– Lumi, ka ikur – më thotë nënkryetari i komunës.

– Kur ka ikur?- pyes unë.

– Nuk e di – thotë ai.

– Unë e mbaj mend urën pa lumë. Edhe babai im – shton ai!

Largohem nga ura pa lumë. Ajo mbetet në periferi të Vushtrisë e vetmuar, e braktisur nga lumi dhe më pas edhe nga njerëzit … E, megjithatë ajo është shtrirë atje gjerë e gjatë, me harqet e mëdha që po mbusheshin nga dheu dhe gurët.

Udhëtojmë drejt Prishtinës. Kudo ka rënë muzgu. Fushë-Kosova po pret natën me hënë dhe mëngjesi tjetër prapë do të jetë me mjegull … Kuajt e vetmuar lëviznin nëpër fushë, ndërsa nata pritet të mbulojë gjithçka. Ndoshta këtë natë do të shoh në ëndërr urën pa lumë dhe kuajt e vetmuar të Fushë-Kosovës. Ndoshta edhe oxhaqet e mbetura në këmbë të shtëpive të rrënuara të Kosovës. Ndoshta do të më shfaqet shpirti i Adem Jasharit. Ndoshta edhe ai i princit tim Gjin Bua Shpata. Edhe sytë e Çamërisë time. Në muzg vrapojnë kuaj të vegjël dhe unë shoh qartë sytë e pavdekshëm të Kosovës.