Ajax ka nisur një projekt të ri ambicioz nën drejtimin e trajnerit spanjoll Míchel, me synimin për ta rikthyer klubin në elitën e futbollit holandez dhe evropian pas disa sezoneve zhgënjyese.

Gjiganti nga Amsterdami ka mbetur në hijen e rivalit PSV në vitet e fundit dhe tashmë kanë kaluar katër sezone që nga titulli i fundit në Eredivisie.


Sezoni i kaluar ishte një tjetër dështim, pasi Ajax e mbylli kampionatin në vendin e pestë dhe siguroi vetëm një vend në Ligën e Konferencës.

Pas një sezoni kaotik, ku skuadra u drejtua nga tre trajnerë të ndryshëm – John Heitinga, Fred Grim dhe Óscar García – drejtuesit vendosën t'ia besojnë projektin Michelit, i cili u largua nga Girona pas rënies së klubit katalanas në kategorinë e dytë.


Në prezantimin e tij, tekniku spanjoll nuk e fshehu entuziazmin për sfidën e re.

"Jam krenar që kam ardhur te Ajax. Është një klub i madh evropian, me një filozofi të qartë dhe një traditë të jashtëzakonshme në zhvillimin e lojtarëve të rinj. Besoj plotësisht se mund ta rikthejmë Ajaxin në vendin që i takon", deklaroi Míchel.

Blind dhe Caio Henrique, përforcimet e para

Ajax ka nisur menjëherë punën në afatin kalimtar dhe ka siguruar dy përforcime me përvojë për repartin defensiv.

Daley Blind është rikthyer në Amsterdam pas aventurës me Gironan, ku ishte një nga lojtarët më të besuar të Míchelit gjatë tre sezoneve të fundit. Edhe pse 36-vjeçar, ai pritet të sjellë eksperiencë dhe lidership në dhomat e zhveshjes.

Klubi ka transferuar gjithashtu edhe mbrojtësin brazilian Caio Henrique nga Monaco, një futbollist me eksperiencë ndërkombëtare, që pritet të forcojë krahun e majtë të mbrojtjes.


Ter Stegen dhe Ounahi në listën e dëshirave

Afati kalimtar i Ajaxit nuk pritet të mbyllet me kaq. Sipas raportimeve, klubi është pranë marrëveshjes me portierin gjerman Marc-André ter Stegen, i cili humbi vendin e titullarit te Barcelona pas ardhjes së Joan Garcías.

Míchel e kishte afruar edhe te Girona në janar, por një dëmtim e pengoi portierin të kishte ndikim.

Një tjetër objektiv i trajnerit spanjoll është mesfushori maroken Azzedine Ounahi, i cili ka impresionuar me paraqitjet e tij dhe vlerësohet rreth 25 milionë euro.

Në listën e dëshirave është përmendur edhe sulmuesi Abel Ruíz, megjithëse kjo pistë duket më pak e mundshme pas afrimit të pritshëm të Marcos Leonardo nga Al-Hilal.

Me Míchelin në stol dhe një afat kalimtar të fokusuar te përvoja dhe cilësia, Ajax synon të nisë një epokë të re dhe të rikthehet mes skuadrave më të forta të futbollit evropian. /Telegrafi/

telegrafi sport app