LAJMI I FUNDIT:

Studentët dje, sot dhe nesër

Studentet janë shtresa më e mirë e popullit, në fazën e potencialit dhe të forcës mendore e trupore ende të pa shpenzuar si duhet. Janë ata që çdo herë kanë ditur dhe kanë mundur të bëjnë gjëra të mëdha, gjëra për të cilat shumë kush ka pasur frikë ndoshta edhe të ëndërroje, e lëre më të mendojë se ndonjë ditë mund të bëhet realitet.

Studentët, kjo shtresë e popullit duhet të ruhet si të ishte ndonjë margaritar, sepse janë e ardhmja e së nesërmes. Por, çka po ndodhë sot me studentët tanë? Çka po ndodhë sot me ata të cilët dje ishin në gjendje të përballën me një regjim i cili llogaritej si i treti për nga fuqia ushtarake në Evropë?


Këta djem dhe vasha, të përzgjedhurit e këtij kombi dhe vendi, dje ishin në gjendje që ta ngrinin tërë popullin në këmbë për të drejtat e tyre; ishin në gjendje që të ndalnin tanket dhe autoblindat serbe me gjokset e tyre; ishin shkaktarë kryesorë për vetëdijesimin e këtij populli dhe drejtimin e tij drejt vetëvendosjes; ishin ata që ditën t’i thonë stop regjimit të ish Jugosllavisë e që për Serbinë u bënë gogolë nate…

Me këto veprime ata arritën që t’i rrëmbenin mendjen popullit, pasi që të magjepsurit pas diçkaje është si magjia dhe hipnoza që e bëjnë mendjen tënde pronë të magjistarit apo hipnotizuesit. Ata dje ishin prej djemve dhe vashave që ditën ku e kanë vendin dhe se si duhet dhënë hakun emrit student.

Por, pyetja që ende nuk po i gjejmë dot përgjigje është se “ku janë studentët sot”?. Ku janë këta trima sot për t’i dalë në mbrojtje vendit tonë, “Qytetit të Minatorit”, që na mësoi të frymojmë lirshëm, na dha guximin për të kërkuar atë që na takon?

Dje ishin vetëm studentë, pa shtet, pa qeveri, pa të drejtë të vetëvendosjes, pa asgjë në dorë, dhe i dolën në mbrojtje këtij vendi. Por sot, kur ne i posedojmë të gjitha, kur e tërë bota po na vije mbas, kur edhe ushtrinë e edhe policinë e kemi tonën, thua se për një qindarkë e shitëm nderin dhe krenarinë e studentit.

Athua edhe studentët ka arritur ndokush t’i blejë me pak para? Disa prej këtyre që dje ishin protestues, sot janë qeveritar të heshtur. Athua protestat e tyre na paskan qenë për interesa personale, për të zënë një karrige në parlament, ministri, qeveri, komunë, reklamim televiziv, mundësi për korruptim, plaçkitje, vjedhje, dallavere… apo ishin protestues të ndershëm që nuk kishin qëllim tjetër, pos qëllimit më fisnik që mund ta ketë njeriu në këtë botë: mbrojtja e vendit dhe nderi i familjes, mbrojtja dhe liria e të shprehurit!

Ne ende jemi me shpresën që nuk është vonë ta ridëgjojmë këtë zë. Ne ende jemi në ëndrrën e bukur prej të cilës nuk dëshirojmë të zgjohemi: ëndërr kjo që na siguron, na lë të flemë të qetë, sepse djemtë dhe vashat tona do të dinë ta mbrojnë ketë vend.

Andaj, zgjohu rini dhe përgjigju sot…