LAJMI I FUNDIT:

Strategjia e re e Bankës Botërore thotë se mbështet konkurrueshmërinë për krijim e vendeve të punës në Kosovë

Strategjia e re e Bankës Botërore thotë se mbështet konkurrueshmërinë për krijim e vendeve të punës në Kosovë

Korniza e re të Partneritetit me Vendin (KPV) për Kosovën për vitet fiskale 2023-2027, që do të mbështesë vendin të përshpejtojë konkurrueshmërinë për krijimin e vendeve të punës dhe standarde më të mira të jetesës.

Sipas BB-së, gjatë pesë viteve të ardhshme pritet, KPV-ja pritet të kontribuojnë në efikasitet dhe cilësi më të madhe të shërbimit publik.

KPV-ja synon të ofrojë program gjithëpërfshirës të Grupit të Bankës Botërore për operacionet e huadhënies dhe shërbimet këshillimore dhe analitike. Projektet e huadhënies nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA) do të mbështesin investimet në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, forcimin e sektorit shëndetësor, gjelbërimin dhe pastrimin e vendeve të kontaminuara, krahas reformave të politikës fiskale, konkurrueshmërisë dhe rritjes së gjelbër.

Zarfi indikativ i burimeve gjatë tre viteve të para të periudhës së KPV-së arrin në 127 milionë dollarë amerikanë financim nga IDA 20 dhe ofrohet me kushte koncesionare, me ngarkesa interesi zero ose shumë të ulëta dhe periudha të gjata të shlyerjes. Programi i përgjithshëm i KPV-së përfshin gjithashtu portofolin me 11 projekte aktive të financuara nga IDA dhe Fondet e Mirëbesimit, me gjithsej 365 milionë dollarë amerikanë.

Gjatë periudhës së KPV-së, krahu i sektorit privat të Bankës Botërore, Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), do të përdorë si levë instrumente konvencionale dhe novatore të huadhënies dhe këshillimit për të mbështetur sektorin financiar, për të ndërtuar reziliencën dhe për të ndihmuar zhvillimin e një sektori të prodhimit industrial të orientuar nga eksporti. Më 31 mars 2023, portofoli i zotuar i IFC-së në Kosovë ishte 13.6 milionë dollarë amerikanë. MIGA do të vazhdojë të ofrojë sigurime të riskut politik për të lehtësuar investimet ndërkufitare në sektorë strategjikë si sektori financiar.

Gjatë dekadës së fundit, Kosova ka shënuar progres të qëndrueshëm ekonomik, me rritje prej afro 50 për qind të të ardhurave për frymë dhe ulje prej 35 për qind të shkallës së varfërisë. Ajo ka kryer me sukses tranzicionin nga modeli i rritjes së bazuar në varësi të lartë nga flukset hyrëse të ndihmës së huaj, duke lënë pas vendet homologe me të ardhura të ngjashme për frymë, falë zgjerimit të vazhdueshëm të konsumit dhe investimeve, me shtysë të fortë nga flukset hyrëse të diasporës, investimet publike në infrastrukturë dhe thellimi financiar, në kushtet e një gjendjeje të qëndrueshme fiskale dhe një mjedisi me inflacion të ulët. Megjithatë, përkundër një dekade progresi, papunësia dhe varfëria mbeten të larta.

“Kosova mund të përfitojë nga riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke rritur punësimin më cilësor për të gjithë dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm që mbron mjedisin për brezat e ardhshëm. Strategjia e re e Grupit të Bankës Botërore mbështet aspiratën e Kosovës për të arritur këtë transformim dhe për t’u integruar plotësisht në institucionet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”, tha drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu.

Mbështetja për efikasitet dhe cilësi më të madhe të shërbimit publik, e përshkruar në KPV, synon të përmirësojë rezultatet e zhvillimit njerëzor si dhe qëndrueshmërinë dhe reziliencën ekonomike përmes shpenzimeve publike më efikase dhe rritjes së mobilizimit të të hyrave të brendshme.

Programi i KPV-së do të shoqërojë gjithashtu reformat në vijim e sipër në mjedisin që mundëson biznesin, qasjen në kredi dhe zhvillimin e tregut financiar duke mbështetur financimin novator dhe të gjelbër, si dhe të drejtat e zotërimit të tokës, me fokus në promovimin e përfshirjes së grave, të rinjve dhe grupeve të margjinalizuara.

Një pjesë tjetër e programit të KPV-së fokusohet në mbështetjen për rritjen e qëndrueshmërisë mjedisore, që synon të mbështesë tranzicionin e Kosovës drejt një të ardhmeje që ruan qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Hartimi i KPV-së u informua nga një sërë konsultimesh me gamë të gjerë të palëve me interes, siç janë qeveria, kuvendi, shoqëria civile, institutet dhe komuniteti akademik, sektori privat dhe partnerët ndërkombëtarë zhvillimor. /Telegrafi/