Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), përmes kryetarit të saj, Agim Ademit, ka kërkuar nga Ministria e Sportit dhe Rinisë (MSR) që punimet në stadiumin “Adem Jashari” të përmbyllen sa më shpejt.

Kosova aktualisht ka vetëm stadiumin "Fadil Vokrri" që i plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve kryesore ndërkombëtare.


Agim Ademi, këtë thirrje e bëri të martën pas takimit me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci.

“Shprehëm nevojën që punimet në stadiumin “Adem Jashari”, i cili është në proces të rinovimit tash e sa vite si projekt i Ministrisë së Sportit, të finalizohen sa më shpejtë dhe të licencohet nga UEFA si stadium i kategorisë së katërt. Me këtë rast kërkoj nga Ministria e Sportit dhe të gjithë të përfshirët në këtë projekt që mos të ketë neglizhencë, pasi çdo vonesë mund të na rrezikojë që të detyrohemi të zhvendosemi jashtë vendit, duke pasur parasysh se ende jemi duke operuar vetëm me një stadium për garat evropiane të klubeve dhe të ekipeve kombëtare”, shkruan në postimin e kryetarit të FFK-së.

Takimi mes Ademit dhe Pecit është mbajtur në objektin e Komunës së Mitrovicës, ku u diskutua për ecurinë e projektit të rinovimit të stadiumit.


Rinovimi i plotë i stadiumit “Adem Jashari” kishte rinisur në shkurt të vitit 2024, me planin që punimet të përfundonin brenda 22 muajve. Megjithatë, afatet nuk janë respektuar dhe, sipas gjendjes aktuale, punimet nuk pritet të përmbyllen së shpejti. /Telegrafi/

telegrafi sport app