Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i dorëzuar në Kuvend dhe që pritet të shqyrtohet nga nesër, nuk përmban masa thelbësore për garantimin e zbatimit të tij, vlerësoi deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe.

Sipas tij, ky projektligj dallon ndjeshëm nga versioni që kishte propozuar ASH-ja.


“Ligji nuk ofron mekanizma për parandalimin e keqpërdorimeve në deklarimet e përkatësisë etnike të kandidatëve, pra ai nuk e eliminon kritikën kryesore që i bëhej balancuesit. Ligji përmend dispozita deklarative që flasin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat por nuk ofron garanci reale dhe as mekanizma efektiv që do të siguronin zbatimin praktik të këtyre dispozitave. Edhe komisioni i Venecias ka vërejtur se ligji nuk krijon institucione dhe mekanizma të mjaftueshëm për të garantuar zbatimin në praktikë”, deklaroi Snopçe.

Nga VLEN thonë se është e vështirë të kuptohet pse po kontestohen mekanizmat që, sipas tyre, janë të përcaktuar qartë në tekstin e ligjit. Ata hedhin poshtë pretendimet se projektligji nuk ofron mekanizma për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.