Milan Skriniar ka konfirmuar se dëshiron të qëndrojë në Inter përtej vitit 2023, pasi ndihet mirë, teksa beson se Nerazzurrët mund ta fitojnë titullin këtë sezon në Serie A.

27-vjeçari mori çmimin si lojtari më i mirë sllovak për të tretin vit radhazi dhe foli për mediat vendase pas ceremonisë mbrëmë.

“Ne fituam titullin sezonin e kaluar dhe mund ta përsërisim veten këtë sezon. Jemi pak prapa në tabelë, por Seria A është një ligë e ekuilibruar dhe ne do t’i rikthehemi fitoreve së shpejti”, ka thënë fillimisht Skriniar për FCInterneës.

“Milani dhe Napoli janë përpara nesh, por ne kemi një lojë më pak. Ne duam titullin dhe do të bëjmë gjithçka për ta bërë këtë”.

Kontrata e Skriniar në San Siro skadon në qershor 2023, por sllovaku shpreson të zgjasë qëndrimin e tij në klub.

“Kontrata ime skadon në vitin 2023, por mendoj se do të qëndroj më gjatë. Imagjinoj se drejtorët e klubit janë të lumtur dhe duan të më ofrojnë një marrëveshje të re”, përfundoi mbrojtësi sllovak.

Shumë yje të Interit kanë vazhduar së fundmi kontratat me kampionët e Serie A, duke nisur nga Alessandro Bastoni, Federico Dimarco, Nicolo Barella dhe Lautaro Martinez.

Marcelo Brozovic do të jetë i radhës dhe pas tij do të jetë koha për të filluar negociatat me Skriniar.

Reprezentuesi sllovak ka luajtur 204 ndeshje me Nerazzurrët që nga transferimi i tij prej rreth 30 milionë eurosh nga Sampdoria në vitin 2017. /Telegrafi/