ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Delegacioni i Senegalit në Kampionatin Botëror është përfshirë nga një tjetër skandal, pasi kuzhinieri i ekipit kombëtar është riatdhesuar gjatë turneut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas akuzave për ngacmim seksual ndaj një punonjëseje.

Lajmi është konfirmuar nga sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Senegalit, Abdoulaye Saydou Sow, në një prononcim për transmetuesin publik senegalez RTS.


Sipas tij, vendimi u mor si masë paraprake pasi një punonjëse e rekrutuar në SHBA akuzoi kuzhinierin për sjellje të papërshtatshme në hotelin ku ishte akomoduar kombëtarja. Federata reagoi menjëherë për të shmangur ndërhyrjen e autoriteteve amerikane dhe për të ruajtur qetësinë brenda delegacionit të "Luanëve të Terangës", të cilët u eliminuan nga Belgjika pas vazhdimeve në fazën e 1/16 së finales.

Saydou Sow theksoi se qëndrimi i personit të akuzuar në territorin amerikan mund të sillte pasoja ligjore, duke shtuar se disa sjellje që në Senegal mund të konsiderohen shaka ose lojëra, sipas ligjeve amerikane klasifikohen si ngacmim seksual.

Për këtë arsye, federata vendosi ta largojë menjëherë nga delegacioni, me synimin për të shmangur një skandal që do të dëmtonte imazhin e kombëtares dhe të vendit.

Megjithatë, ky nuk ishte problemi i vetëm që shoqëroi Senegalin gjatë Botërorit. Atmosfera brenda ekipit u përshkrua si e tensionuar para, gjatë dhe pas turneut.

Të dielën, përzgjedhësi Pape Thiaw u shkarkua nga detyra, me raportimet që e lidhin vendimin jo vetëm me eliminimin e hershëm, por edhe me tensionet e brendshme mes stafit dhe disa futbollistëve.

Gjithashtu, mediat raportojnë se grumbullimi i ekipit ishte shoqëruar nga festa dhe tubime private, ndërsa lojtarët ishin të përqendruar te gara. Sipas raportimeve, pjesëtarë të delegacionit kishin ftuar miq dhe krijues përmbajtjesh në aktivitete ku kishte alkool, dhurata të shtrenjta dhe shpenzime luksoze.

Situata thuhet se degradoi deri në atë pikë sa vaktet nuk përgatiteshin në kohë, duke detyruar disa futbollistë të porosisnin ushqim në dhomat e tyre gjatë Kampionatit Botëror./Telegrafi/

telegrafi sport app