Skandal në Francë: Emri i ish-yllit të Arsenalit del në hetimet për pastrim parash dhe trafik droge


Ish-futbollisti i Arsenalit dhe Manchester Cityt, Samir Nasri, është marrë në pyetje nga policia franceze si pjesë e një hetimi të gjerë për pastrim parash, i lidhur me një rrjet të dyshuar të trafikut të drogës.
Sipas raportimit të Le Parisien, ish-reprezentuesi i Francës u mor në pyetje për rreth 10 orë të enjten, në kuadër të një hetimi që përfshin akuza për importim droge, organizatë kriminale dhe pastrim të parave të përfituara nga trafiku i narkotikëve.
Megjithatë, 39-vjeçari u lirua në mbrëmje pa asnjë akuzë zyrtare dhe deri më tani nuk është iniciuar asnjë procedurë ligjore ndaj tij.
Hetuesit po shqyrtojnë lidhjet e mundshme të Nasrit me një rrjet kriminal që dyshohet se drejtohej nga trafikanti i burgosur nga Marseille, Berrebouh, i njohur me nofkën "Derri i Egër", i cili ndodhet në burg që nga viti 2021.
Sipas mediave franceze, një pjesë e hetimit fokusohet te dyshimet për pastrim të organizuar parash përmes klubit të natës XS, në Ivry-sur-Seine, në periferi të Parisit.
🚨🚨| BREAKING: Samir Nasri held for (10) hours in custody as part of a probe into 𝐎𝐑𝐆𝐀𝐍𝐈𝐒𝐄𝐃 𝐌𝐎𝐍𝐄𝐘 𝐋𝐀𝐔𝐍𝐃𝐄𝐑𝐈𝐍𝐆.
Paris financial crimes police questioned him Thursday in a judicial investigation also covering drug importation and criminal association.… pic.twitter.com/MncYtYVaBG
— Goals Side (@goalsside) July 9, 2026
Nasri u bë aksionar i këtij lokali rreth vitit 2016, pasi raportohet se investoi disa qindra mijëra euro në kohën kur aktivizohej te Manchester City dhe përfitonte paga milionëshe.
Më vonë, ish-mesfushori francez u bë bashkëpronar i klubit të natës së bashku me Bilele Z., një person që sipas hetuesve konsiderohet pjesë e rrjetit të dyshuar kriminal dhe i cili gjithashtu u ndalua nga policia të enjten.
Ndërkohë, autoritetet franceze vazhdojnë hetimet për të përcaktuar nëse Nasri ka pasur ndonjë rol në skemën e dyshuar të pastrimit të parave, ndërsa deri në këtë fazë ai nuk është akuzuar për asnjë vepër penale./Telegrafi/








































