LAJMI I FUNDIT:

Skandal i eksperimenteve në Gjermani për të testuar gazrat e makinave

Skandal i eksperimenteve në Gjermani për të testuar gazrat e makinave

Qeveria gjermane ka denoncuar eksperimentet tronditëse të financuara nga prodhuesit e makinave, në të cilët mediat gjermane zbuluan se janë përdorur qenie njerëzore dhe majmunë për të testuar ndikimin dhe dëmin që sjellin gazrat dhe tymi i naftës që shkarkohen nga makinat.

Mediat gjermane, përcjell Telegrafi, thonë se eksperimenti tronditës është bërë nga EUGT, një organ i financuar nga Volkswagen, Daimler dhe BMW. Qeveria tha se këto testime janë të pajustifikueshme dhe kërkuan detaje të menjëhershme të ngjarjes në fjalë.


“Këto teste mbi majmunët apo edhe njerëzit nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë,” tha Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares Angela Merkel. Ndërsa Ministrja e Mjedisit, Barbara Hendricks i cilësoi eksperimentet si të neveritshme dhe shprehu tronditjen, se si shkencëtarët kishin rënë dakord për t’i kryer ato.

Organizata Evropiane e Kërkimeve për Mjedisin dhe Shëndetin e themeluar nga 3 gjigantët prodhues të automjeteve, ka zhvilluar një testim me oksid nitrik në njerëz të shëndetshëm. Mediat gjermane raportuan se në një laborator në Gjermaninë perëndimore, 19 burra dhe 6 gra për një muaj u ekspozuan ndaj shkarkimeve të ndryshme të tymit të naftës.

Në kohën që prodhuesit e makinave këmbëngulnin se teknologjia moderne kishte ulur ndotjen nga motorët me naftë në nivele të sigurta, gjiganti Volkswagen u përfshi në një skandal në 2015, pasi u zbulua se kishte pajisje manipuluese të cilat bënin që motorët e makinave të rezultonin më pak ndotës se sa mund të ishin në të vërtetë. Pas skandalit të ditëve të fundit, kanë ardhur dhe reagimet nga vetë kompanitë në fjalë.

Prodhuesi i makinave Mercedes-Benz, Daimler deklaruan se ishin tronditur nga studime të tilla, ndërsa kompania Volkswagen tha se metodat shkencore të përdorura nga EUGT ishin krejtësisht të të gabuara dhe kërkonin falje për këtë. Bordi mbikëqyrës njoftoi se do të kryejë një hetim të plotë, duke i quajtur eksperimentet krejtësisht absurde. /Telegrafi/