S’ka kush e ndal Ferronikelin

Ekipi i udhëhequr nga strategu mitrovicas,Gani Sejdiu, ka mposhtur kampionin në fuqi, Kosovën e Vushtrrisë me rezultat 3-1.
Që nga fillimi i ndeshjes vendasit treguan se përveç fitores asnjë rezultat tjetër nuk është i dëshirueshëm dhe në fund ia arritën atë që deshën.
Serinë e golave e hapi sulmuesi Përparim Livoreka me një gol mjaftë të bukur nga një kënd i vdekur, ndërsa golin e dytë e realizoi mesfushori fantastik Qemajl Elshani.
Me të filluar pjesa e dytë mysafirët ngushtuan epërsinë ku pas goditjes së Hasanit topi devijohet nga Doshlaku i vendasve.
Për golin e tretë dhe të fitores shënoi sulmuesi pejan Egzon Gashi, 15 minuta para fundit të ndeshjes.
Ferronikeli vazhdon të mbajë pozitën e parë në tabelë me 60 pikë, gjashtë më shumë se Prishtina që ka një ndeshje më pak. /Telegrafi/



















































