LAJMI I FUNDIT:

​Situata me energjinë, PDK propozon masa për të përballuar sezonin e dimrit

​Situata me energjinë, PDK propozon masa për të përballuar sezonin e dimrit

Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të tregohet e përgjegjshme dhe të angazhohet menjëherë në përballimin e situatës me energjinë. Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Blerand Stavileci, ka thënë sot në konferencë për media se Qeveria aktuale e ka lënë Kosovën tërësisht të papërgatitur për t’u përballë me pasojat e krizës energjetike.

Stavileci tha se Qeveria e Kosovës jo vetëm që është treguar e paaftë dhe e papërgjegjshme për t’i paraprirë zgjidhjeve të gjendjes së vështirë energjetike të dimrit, por edhe ka ndërmarrë veprime të dëmshme në fushën e energjisë, me dështimin, refuzimin dhe bllokimin e projekteve strategjike, të cilat do ta zgjidhnin çështjen e sigurisë së furnizimit.


Në emër të PDK-së, Stavileci propozoi edhe masat që duhen të ndërmerren menjëherë nga ekzekutivit në mënyrë që të përballohet sezoni i dimrit si dhe të evitohet shoku tarifor para prillit të vitit të ardhshëm kur aprovohet tarifa vjetore.

“Të shpallet gjendje emergjente e furnizimit me energji, sipas Ligjit për Energji, neni 25; Të vendoset çmimi tavan për tregun e brendshëm dhe devijimet nga ky çmim të subvencionohen nga qeveria; T’i kthejë në konsumatorë të rregulluar të gjithë ata të cilët janë në tregun e lirë, me qëllim që të bëhet socializimi i kostos së tyre të importit të energjisë për periudhën sa kjo krizë do të jetë prezentë dhe; T’i hiqet tantiema në qymyr KEK-ut dhe proporcionalisht të ulet çmimi i shitjes së kësaj Korporate me qëllim që ky përfitim të bartet tek konsumatori final”, deklaroi Stavileci.

Stavileci shtoi se Qeveria e Kosovës është treguar neglizhente dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ta adresuar këtë krizë, e cila afrohej me shpejtësi.

“Paralajmërimi ynë se kjo krizë e kërcënon seriozisht furnizimin e rregullt dhe me çmime të përballueshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar kështu stabilitetin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe vetë sigurinë kombëtare doli realitet, ndërkaq Qeveria, jo që nuk ka bërë ndonjë veprim konkret, por, përkundrazi, aq shumë e ka neglizhuar situatën sa që çdo ditë po shohim duke kolapsuar një pjesë e sistemit, siç ndodhi sot edhe me ngrohtoren e kryeqytetit”, tha Stavileci.

Ndryshe nga Qeveria e Kosovës, sipas Stavilecit, qeveritë e shumë vendeve prej kohësh janë vënë në lëvizje dhe kanë marrë masa që të përballen me pasojat e rënda nga shkurtimet në furnizim nga burime të ndryshme të energjisë.

“Kjo situatë përkeqëson mirëqenien e familjeve dhe reflekton negativisht në xhepin e secilit konsumator si rezultat i shtrenjtimit të të gjitha produkteve. Po ashtu, rrezikon t’i dëmtojë shumë rëndë bizneset kosovare që edhe ashtu ende nuk e kanë marrë veten nga kriza e pandemisë”, tha ai.

Stavileci deklaroi se qytetarët po vujajnë pasojat e mungesës së energjisë elektrike dhe se kjo situatë po krijon pasiguri të madhe tek të gjithë. Sipsa tij, Qeveria aktuale e ka lënë Kosovën tërësisht të papërgatitur për t’u përballë me pasojat e krizës energjetike, të cilën, sipas tij, ata e kishin paralajmëruar shumë muaj më parë.