LAJMI I FUNDIT:

Sindikata kundër zgjedhjes së kryeshefit: Trepçës i nevojiten njerëz profesionalist

Sindikata kundër zgjedhjes së kryeshefit: Trepçës i nevojiten njerëz profesionalist

Bordi Mbikëqyrës i Trepçës ka zgjedhur për kryeshef ekzekutiv të kësaj ndërmarrje Basri Ibrahimin, ndërsa për pozitën e sekretarit korporativ ka zgjedhur Afrim Haxhiun. Por zgjedhja e tyre është duke e kundërshtuar Sindikata e Punëtorëve të Trepcës, e cila thotë se ndërmarrja ka nevojë për njerëz profesionistë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, ka thënë për Telegrafin se Trepçës i nevojiten njerëz që kanë njohuri rreth kësaj industrie.


“Të them të drejtën, vetë konkurrimi nuk ka qenë konkurrim që t’i sfidoj dhe kanë ardhur si alternative që të zgjidhen këta. Për shkak të situatës që është krijuar në Trepçë, ku gjendja financiare është shumë e keqe dhe çdo njëri apo tjetri ka hezituar të konkurrojnë që të vijnë në atë pozitë. Tash iu ka dhënë mundësia dikujt që ndoshta nuk është i ngritur profesionalisht për këtë punë, por iu ka dhënë mundësia që të vijnë në këtë pozitë dhe bordi e ka përzgjedhur. Gjithmonë Trepçës i nevojiten njerëz profesionalist në këtë lëmi që kanë pasur njohuri rreth Trepçës dhe prapë po e potencoj se nuk ka pasur kandidat të tillë që ta sfidojnë”, tha Sadiku.

Ai ka shtuar se Sindikata do t’i ofroj bashkëpunim kryeshefit të ri.

“Në gjithmonë e kemi ofruar bashkëpunimin si Sindikatë, pavarësisht se cili drejtor apo menaxher ka ardhur, nëse dëshiron bashkëpunim në interes të Trepçës dhe punëtorëve ne i ofrojmë bashkëpunim dhe nëse nuk dëshiron bashkëpunim atëherë do të përballet me sfidat sikurse të tjerët”, tha ai.

LVV reagon pas zgjedhjes së kryeshefit dhe sekretarit të ri të Trepçës
Lexo po ashtu LVV reagon pas zgjedhjes së kryeshefit dhe sekretarit të ri të Trepçës

Lidhur më përzgjedhjen ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka konsideruar si zaptim të Trepçës.

“Bordi plotësisht jo profesional dhe i kapur i Trepçës e bëri dje dhe një akt tjetër për zaptimin e Trepçës. Ne do t’i kërkojmë Kuvendit të Kosovës të marrë masa për largimin e personave të tillë. Po ashtu do ta përkrahim sindikatën dhe punëtorët e Trepçës që mos t’iu nënshtrohen atyre dhe të kërkojnë largimin e tyre”, thuhet në reagimin e LVV-së. /Telegrafi/