"Qumështi duhet të konkurojë me qumësht - jo me vaj palme", flasin nga Shoqata e Qumështorëve

"Qumështi vendor po rikthehet — tani duhet të mbrohet nga zëvendësimi me vaj palme dhe qumësht pluhur", kështu kanë thënë nga Shoqata e Qumështorëve të Kosovës përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Sipas njoftimit thuhet se: "Sot kemi një situatë dukshëm më të mirë në sektorin e qumështit: i gjithë qumështi vendor po grumbullohet, kërkesa është e lartë dhe çmimi i qumështit te fermeri është rikuperuar në nivelin më të lartë të këtij viti".
Tutje në njoftim thuhet se kjo është një kthesë e rëndësishme pas një periudhe të vështirë për fermerët tanë.
"Megjithatë, ende mbeten probleme me vonesat në pagesa ndaj disa fermerëve dhe kjo duhet të rregullohet. Fermeri jo vetëm duhet ta ketë të garantuar grumbullimin e qumështit, por duhet të paguhet drejt dhe në kohë për çdo litër që dorëzon. Duhet ta themi qartë edhe çfarë e dëmtoi këtë sektor. Vaji i palmës dhe qumështi pluhur janë produkte të importuara. Kur ato përdoren si zëvendësues të qumështit të freskët, zvogëlojnë kërkesën për qumështin e fermerëve tanë dhe ushtrojnë presion të drejtpërdrejtë mbi çmimin e tij. Në fund, fermeri vendor humb tregun përballë një lënde të parë të importuar, më të lirë, e cila zëvendëson qumështin e prodhuar në Kosovë".
Siç thuhet në njoftim rikuperimi që po e shohin sot nuk duhet të jetë i përkohshëm.
"Duhet të ndërtojmë rregulla që e mbrojnë në mënyrë afatgjatë fermerin, përpunuesin korrekt dhe konsumatorin. Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë duhet të ndërmarrin një paketë të koordinuar masash për mbrojtjen e sektorit vendor të qumështit".
Sipas tyre së pari, duhet të ndalohet përdorimi i vajit të palmës si zëvendësues i yndyrës së qumështit në produktet që prodhohen dhe tregtohen si qumësht apo produkte të qumështit.
"Nuk ka arsye që një sektor i ndërtuar mbi punën dhe investimet e mijëra fermerëve vendorë të dobësohet për t'i hapur treg një lënde të parë të importuar. Së dyti, duhet të rritet ngarkesa fiskale, përfshirë akcizën aty ku krijohet baza përkatëse ligjore, për qumështin pluhur dhe hirrën pluhur të importuar që përdoren si zëvendësues të qumështit të freskët. Nuk duhet të jetë ekonomikisht më e leverdishme të importosh pluhur dhe të zëvendësosh qumështin sesa ta grumbullosh qumështin e freskët nga fermerët e Kosovës. Së treti, duhet të ndalohet importimi dhe vendosja në treg si “qumësht” apo “produkt i qumështit” e produkteve të huaja në të cilat yndyra e qumështit është zëvendësuar me vaj palme apo yndyra të tjera bimore. Produktet me yndyrë bimore duhet të identifikohen, kategorizohen dhe etiketohen qartë si të tilla. Ato nuk duhet të futen në treg dhe të konkurrojnë me produktet e mirëfillta të qumështit duke përdorur emërtimin, prezantimin apo kategorinë e rezervuar për produktet e qumështit. Së katërti, Administrata Tatimore e Kosovës duhet të zhvillojë një verifikim të posaçëm tatimor për të shqyrtuar dyshimet nëse produkte të prodhuara me vaj palme apo yndyra të tjera bimore janë deklaruar, faturuar ose raportuar si qumësht apo produkte të qumështit dhe, rrjedhimisht, kanë përfituar në mënyrë të padrejtë nga norma e reduktuar e TVSH-së që zbatohet për qumështin. Nëse konstatohen raste të tilla, duhet të përcaktohen detyrimet shtesë tatimore, përgjegjësitë përkatëse dhe, kur plotësohen kushtet ligjore, rastet t'u referohen organeve kompetente". /Telegrafi/






































