LAJMI I FUNDIT:

Si të mbrohemi nga alergjitë sezonale

Si të mbrohemi nga alergjitë sezonale

Alergjia në polen është një alergji sezonale e rrugëve të frymëmarrjes, e cila mund të shfaqet në muaj të ndryshëm gjatë vitit.

Dr. Dukagjin Zogaj
Alergolog – Imunolog
tel. 044/ 229 999

Pacientët janë mësuar me faktin që koha e alergjisë në polen është sezoni i pranverës, por alergjia në polen mund të lajmërohet edhe në sezone të hershme apo edhe të vonshme. Si shembull, mund të përmendin polenin e lajthisë dhe të verrit të egër, të cilët çuditërisht gjenden në natyrë qysh nga janari apo shkurti. Sezoni madhor i alergjisë në polen është prilli, maji dhe qershori (polenet e barishteve dhe drithnajave, etj), por nuk duhet harruar as sezoni i vonshëm polenik.


Janë disa faktorë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes. Ndër faktorët më kryesorë janë ekspozimi ndaj polenit, vetia alergjisë së tij, përqendrimi i tij në ajër dhe madhësia e grimcës së polenit. Po ashtu ndikojnë dhe faktorët klimaterikë: ndryshimi i temperaturave të ajrit, lagështia dhe shirat.

Cilat janë simptomat kryesore të alergjisë në polen?

Simptomat kryesore të alergjisë në polen janë:

• teshtimat e shpeshta,
• kruarja e hundës,
• bllokimi i hundës
• rrjedhja e hundës,
• lotimi i syve,
• skuqja dhe kruarja e syve dhe
• shumë shpesh problemet me frymëmarrje.

Pacienti nuk duhet të këtë të gjitha këto simptome për të dyshuar në alergji. Janë të mjaftueshme disa nga këto simptome për të dyshuar që një pacient ka alergji në polen.
Alergjitë e rrugëve të frymëmarrjes, përfshirë këtu edhe alergjinë në polene, janë sëmundje të trashëguara që përcillen brenda familjes nga një gjeneratë në tjetrën.

Përveç faktit se janë sëmundje trashëguese, nuk duhet harruar të përmendim faktin që këto sëmundje janë edhe ”mashtruese”. I quajmë të tilla sepse simptomat e para janë identike me simptoma e një rrufe apo ftohjeje dhe fillimisht të gjithë pacientët mendojnë se kanë një ftohje banale. Por, me kalimin e viteve simptomat e alergjisë në polene ndryshojnë dhe fillojnë të atakojnë edhe rrugët e poshtme të frymëmarrjes, vazhdojnë me kollitje, lodhje, bronkite dhe përfundojnë me astmë bronkiale.

Masat që duhet të ndërmerren

Pacientët të cilët kanë simptomat e lartshënuara fillimisht duhet të lajmërohen të mjeku alergolog për të bërë testimin alergjik. Testi alergjik kutan është një procedurë e shkurtër, shumë e lehtë dhe e saktë, e cila për një kohë shumë të shkurtër evidenton alergjinë te pacientët.

Nëse pacienti figuron pozitiv në testin e alergjisë, atëherë duhet ndërmarrë disa masa për mjekimin e tij:

1. Duhet bërë njoftimi dhe edukimi i pacientit në lidhje me sëmundjen, natyrën dhe seriozitetin e saj,

2. Duhet të ndërmerren masat preventive, ku më të shpeshtat janë këto:
– rrobat e pacientit duhet të teren brenda ambientit dhe jo jashtë në oborr apo ballkon,
– dritaret e dhomës së pacientit apo ambienti ku punon duhet të qëndrojnë të mbyllura, në mënyrë që të bllokohet futja e poleneve brenda,
– pacientit duhet të shmang daljen gjatë pikut maksimal të temperaturës gjatë ditës (ora 11,30 deri 16,00), sepse atëherë polenet janë më prezente,
– pacienti duhet çdo ditë pasi të ketë mbaruar të gjitha aktivitet ditore të largojë rrobat e veshura gjatë ditës, të bëj dush dhe të vesh rroba të pastra,
– duhet evituar disa ushqime të cilat kanë alergji të kryqëzuar me alergjitë në polene.

3. Duhet përdorur terapia simptomatike, varësisht nga simptomat që ka pacienti. Normalisht në këto raste duhet përdorur kortikosteroide, antihistaminik dhe sprej të hundës. Në raste më të rënda kjo terapi mund të ndryshohet.
Terapia simptomatike duhet të përdoret gjatë sezonit të alergjisë në polene dhe kohëzgjatja e përdorimit varet nga simptomat që ka pacienti. Rekomandohet që terapia të zvogëlohet me kalimin e simptomave deri në ndalimin e plotë të saj.

4. Imunoterapia specifike apo “vaksinimi” është një mjekim i domosdoshëm te pacientët me alergji në polene. Imunoterapia specifike konsiston në dhënien e sasive të vogla të polenit në të cilin është alergjik pacienti dhe duke vazhduar me rritje të tij deri në masën e përcaktuar.

Imunoterapia specifike ndikon në atë mënyrë që bën parandalimin e mundësisë së kalimit të alergjisë në polene në drejtim të astmës bronkiale.

Kjo është një terapi e cila merret pasi të ketë kaluar komplet sezoni i polenit (varësisht se në cilin polen është alergjik pacienti) dhe quhet vaksinim parasezonal. /Telegrafi/
 

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori