LAJMI I FUNDIT:

Si e ka zbërthyer imazhi kulturor Skënderbeun!?

Si e ka zbërthyer imazhi kulturor Skënderbeun!?

Ariola Prifti

Çdo komb ka një Hero Kombëtar. Por rrallë i ndodh një vendi kaq të vogël si Shqipëria të ketë për të tillë, një figurë si Gjergj Kastrioti Skënderbeu (6 maj 1405 – 17 janar 1468). Vlera më e lartë kombëtare e figurës së tij është se për 25 vjet ai mbajti larg Shqipërisë ushtrinë turke, duke e thyer pothuajse në çdo betejë. Janë të shumta betejat e fituara nga Skënderbeu së bashku me ushtrinë e tij.


Vlerat e figurës së Skënderbeut janë ndërkombëtare, duke qenë se ai u bë prijësi i barrierës ndaj ushtrive turke për pushtimin e Evropës dhe mosshtrirjes së fesë islame në kontinentin evropian. Barleti në veprën e tij “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut”, flet për karakteristikat trupore dhe vizaton portretin fizik të Skënderbeut, diku për cilësitë e mendjes dhe të zemrës, diku tjetër për sjelljet e tij ndaj ushtarëve ose kundërshtarëve.

Skënderbeu shquhej së pari dhe admirohej për tiparet e tij trupore. Këtë admirim dhe dashuri ai e pati që kur ishte peng në oborrin e Sulltanit. Bukuria e trupit dhe hijeshia e gjymtyrëve, shtati i lartë dhe qafa e fuqishme, ia rrisnin shumë virtytet e tjera dhe dukeshin se ia shtonin mirësitë e shpirtit. Sipas konceptit klasik të grekëve të vjetër, trupi i bukur dhe i fuqishëm është pasqyrë e bukurisë dhe e fuqisë së shpirtit, të mendjes, të ndjenjës dhe të vullnetit. Skënderbeu mishëron çdo gjë të lartë, të bukur të fuqishme, të madhërishme.

Që në moshë të vogël Skënderbeu digjej dhe bluante në mendje plane për gjëra të mëdha. Ai kishte fuqi shpirtërore të pamposhtur, po aq sa edhe trupore dhe vepronte shpejt e nuk përkulej para asnjë vështirësie, nuk donte t’ia dinte as nga të ftohtit, as nga të nxehtit. Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte i dashur për karakterin e tij popullor. Ai i donte ushtarët me gjithë zemër, ai u shkonte kokë më kokë, kur plagoseshin dhe kujdesej për ta si ndonjë shok i thjeshtë i tyre.

Barleti tregon në veprën e tij sesi njëherë Skënderbeu pasi kishte luftuar me armikun kishte dhënë urdhër ushtarëve të tij të shkonin në një luginë që banorët e quanin “E Bukura” dhe atje kishte dhënë urdhër të ngulnin flamurët dhe të qendronin gjersa të çlodheshin ushtarët, të riformoheshin më drejt, nën dritën e diellit, radhët e tyre dhe të mund të merreshin masat për kujdesin e të plagosurve, të cilëve, ai duke lënë më një anë madhështinë e kapedanit, me natyrën e tij prej ushtari, u shkonte pranë, i ngushëllonte një për një dhe i fërkonte me dorë, sikur të ishin të vegjël. Për këtë arsye edhe ushtarët e donin sa qanin për të. Karakteri popullor i Skënderbeut u pëlqente edhe armiqve. Skënderbeu ishte mëndjelartë e mëndjehollë, me shpirt të madh e të fortë, i urtë e i përmbajtur sa s’ka. Skënderbeu e përmbante veten edhe në zemërimin më të madh. E madhërishme ishte sjellja e Skënderbeut për butësinë e shpirtit të tij akoma edhe kundrejt armikut të mundur. Zotësinë luftarake Skënderbeu e tregoi në të gjithë taktikën e luftës, taktikë e re, për të cilën e admironin edhe armiqtë.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu u fliste me pasion ushtarëve për taktikën para çdo ndeshjeje dhe dëshironte që ushtarët të ishin të bindur për këtë gjë.

Skënderbeu e parashtron, rëndësinë e taktikës së tij që në mbledhjen e Lezhës, duke e konsideruar si një nga kushtet themelore që do të sigurojë fitoren kundër turqve.

KARAKTERI POPULLOR I GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT

Por, taktika e Skendërbeut e ka forcën e saj dhe bazën e suksesit sidomos në karakterin e vetëdijshmërisë në gjithë masën e ushtarëve, në faktin se ajo, para se të vihej në praktikë, u bëhej e njohur ushtarëve, shoshitej e pranohej me bindje prej tyre, sepse Skënderbeu nuk vepronte kurrë pa u këshilluar me shokët e ushtarët e tij.

“Unë s’jam nga ata”, u thotë ai ushtarëve, “që të tërheq njerëzit në rreziqe, pa ditur se ç’bëjnë” ai shton se,” Unë kam dashur që, përpara se të vë në zbatim ndonjë mënyrë të re në këtë luftë, të flas më parë me ju dhe të di mirë vullnetin e secilit, kështu që ose unë të vij pas mendjes suaj, ose ju pas simes”. Zotësinë dhe trimërinë e Skënderbeut e njihnin mirë edhe turqit.

HEROI YNË KOMBËTAR DHE PËRFAQËSIMET E TIJ ARTISTIKE

Për Heroin tonë Kombëtar dhe për epikën e tij janë shkruar dhe i janë përkushtuar vepra të shumta narrative e janë thënë me dhjetëra legjenda dhe tradita lokale. Vlerat e figurës së Skënderbeut janë ndërkombëtare. Nga personalitete të huaj, nga historianë të huaj, ai është vlerësuar me epitete të tilla si “Atlet i Krishtit” dhe “Ideatori i Aleancës së Parë Euroatlantike”. Epitete këto që e ngrenë shumë lart figurën e Heroit tonë Kombëtar. Sot në botë emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytete dhe qytete të rëndësishme, duke filluar që nga Tirana, Prishtina, Shkupi, Parisi, Roma, Michigani, etj. Buste dhe shtatore të Skënderbeut po ashtu janë vendosur dhe priten ende të vendosen, në shumë vende të tjera. Në pjesën më të madhe të punimeve artistike, Heroi Kombëtar qëndron hipur mbi kalë duke simbolizuar luftëtarin. Kali i Skënderbeut është një tjetër simbol që ka shoqëruar heroin tonë Kombëtar. Sipas Barletit, kali i tij ishte i bardhë dhe i përkiste një race të zgjedhur. Madje gojëdhënat tregojnë se pas vdekjes së Skënderbeut, ai nuk pranoi t’i hipte njeri tjetër dhe pas kësaj ai ngordhi.

Dy janë uniformat që ka përdorur Gjergj Kastrioti Skënderbeu. E para ishte uniforma e luftës, me përkrenare dhe parzmore, ndërsa veshja tjetër që përmend Barleti është ajo popullore me qeleshe dhe xhubletë.

SHESHI DHE KUPTIMI I TIJ

Sheshi, në rrugën imagjinare të kujtesës, është vendosur gjithmonë në qendër të një sistemi kompleks dhe të ndërlikuar shenjash urbane, ku në të përmblidhen në të njëjtën kohë burimi dhe zgjidhja. Qyteti është gjeneruar nga një vakum apo hapësirë e dedikuar dhe e përcaktuar, dhe kompleksiteti i saj shkrihet ose shpaloset në shesh, është pika e mbarimit dhe qendra e rrugës gjarpërore apo labirintike. Sheshi është një hapësirë e përftuar nga një zgjidhje e vazhdueshmërisë së të punuarit, një qendër force, e një potencialiteti të pashprehur apo të shprehur në një nivel të ndryshëm, shpesh e përcaktuar dhe e karakterizuar nga një pjesëmarrje e një objekti të veçantë arkitektonik të një rëndësie të caktuar (si kishë, monument, pallat mbretëror, muze, shatërvan etj). Ajo paraqet gjithashtu një shenjë të prekshme të një fuqie e cila nuk mund të mos lërë gjurmë të dukshme. Ashtu si qyteti tokësor nuk është gjë tjetër përveçse pasqyrë e paqartë dhe e pasaktë që i referohet grimcave të dritës dhe të lavdisë së Qytetit Qiellor.

Sheshi është një metaforë e zemrës, ose e qendrës së shenjtë nga të cilat rrezatojnë ndikimet shpirtërore, hapësira e përfunduar, parajsa në mesin e të cilës është vendosur Pema, simboli polar kozmik, e cila është rritja, ngjitja, imazhi dinamik i botës, emblema e jetës shpirtërore. Pra sheshi, qendra e krijimit dhe terreni i materializuar, reflektimi tokësor i asaj shpirtëror, është vendi në të cilin kanë bërë marrëveshje të gjitha rrugët e botës, destinacioni i pandërprerë i pelegrinazhit të njerëzve në kërkim të parimit të pandryshueshmërisë, burim i së vërtetës dhe shpëtimit. Brenda rrjetit të rrugëve dhe shtresave që përbëjnë planin territorial, sheshi përfaqëson hapësirën në të cilën shprehet jeta kolektive pra forma urbane në të cilën çdo shoqëri ka përfaqësuar vetveten. Sheshi për këtë arsye mund të përkufizohet si një trashëgimi kulturore e ndërmjetme, ndërmjet monumentit të vetëm dhe vazhdimësisë urbane, duke grumbulluar funksionet dhe qëndrimet publike kontradiktore me jetën private të ndërtesave dhe pallateve të banuara.

Sheshi me karakter zyrtar apo monumental,vendi i pushtetit dhe i paradave, por edhe hapësira ideale, sheshi ka qenë gjithmonë objekt i ndjenjave kontradiktore, sipas kuptimeve të ndryshme që i atribuohen atij. Për këto arsye sheshi është një pikë e rëndësishme reflektimi duke marrë parasysh dhe duke analizuar ndryshimet që ky objekt pëson në kohëra të ndryshme historike duke qenë i lidhur ngushtë me sjelljet dhe ndërveprimet e ndryshme të banorëve, gjatë shekujve.

MONUMENTI I SKËNDERBEUT NË “SHESHIN SKËNDERBEJ”, TIRANË, SHQIPËRI

Kur flasim për fjalën Shesh, menjëherë na vjen në mëndje “Sheshi Skënderbej”, i cili është sheshi qendror i Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Ky është sheshi më i madh i Shqipërisë me një sipërfaqe afërsisht 40,000 metra katrorë.

Sheshi e mori këtë emër në nderim të Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe është vendi simbol jo vetëm i kryeqytetit por i të gjithë shqiptarëve, që me sipërfaqen e tij përfaqëson më së miri qendrën gjeografike dhe politike të Shqipërisë. Fokusi i këtij sheshi është përqendruar në statujën madhështore kushtuar Heroit Kombëtar. Monumenti i Skënderbeut mbi kalë në Tiranë u vendos më 1968. Ky monument është vepër e skulptorit Odhise Paskali në bashkëpunim me artistët Andrea Mano dhe Janaq Paço. Ai u vendos në Tiranë me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Ky shesh u konceptua fillimisht në qendrën historike të Tiranës nga Mbreti Zog I në bazë të stilit arkitektonik neo-racionalist, ajo u zgjerua në vitet ndërmjet 1920-1930 nën diktaturën fashiste të Mbretërisë së Italisë. Më pas, në periudhën komuniste (1944-1990), u rimodelua sipas kërkesave të regjimit të atëhershëm. Ndryshimet e fundit në këtë shesh u bënë gjatë viteve 2016-2017. Aktualisht ky shesh sjell një impakt më ndërveprues me njeriun dhe bëhet simbol i jetës se përditshme të tij. Është vendi dhe hapësira shplodhëse dhe gjithashtu pika e takimit për qytetarët jo vetëm të Tiranës por të gjithë Shqipërisë.

Sheshi rrethohet sot nga Banka Kombëtare e Shqipërisë (1936), Muzeu Historik Kombëtar (1981), Hotel Tirana International (1979), Pallati i Kulturës (1960), Kulla e Sahatit (1821), Xhamia e Ethem Beut (1823), Bashkia e Tiranës (1920), Teatri Kombëtar i Fëmijëve (1920).

MONUMENTI I SKËNDERBEUT NË KRUJË, SHQIPËRI

Monumenti i Skënderbeut në Krujë është një vepër e skulptorit Janaq Paço. Kjo skulpturë monumentale u përurua më 28 nëntor të vitit 1959. Ndodhet në qendër të qytetit të Krujës dhe është statuja e parë monumentale e ngritur në Shqipëri.

MONUMENTI I SKËNDERBEUT NË PRISHTINË, KOSOVË

Monumenti i Skënderbeut në Prishtinë u përurua në vitin 2001. Autor i këtij monumenti është skulptori Janaq Paço. Materiali i kësaj skulpture monumentale është bronzi i derdhur. Si një nga të paktët, sot, arti i këtij artisti tregon mbi të gjitha anën njerëzore të tij. Shprehja e parë, e cila na vjen nga çdo skulpturë e tij, është me energji. Një energji karakteristike, plot me duf. Në bazë të saj ndihet ajo ndjeshmëri akute dhe e shqetësuar e një njeriu modern, e cila torturon, dhe duket se godet; por është edhe e zbutur nga inteligjenca dhe vullneti.

Feja, atdheu, heroizmi, janë ndjenjat që, shkallë shkallë, në bazë të zhvillimit të frymës së tij, mbizotërojnë në frymëzimin e saj, e cila manifestohet më pas gjithmonë me plotësinë e njeriut dhe me forcën e bindjes që nuk lindin ndryshe përveçse kush ka përvojë të madhe të saj.

MONUMENTI I SKËNDERBEUT NË SHKUP, MAQEDONI

Monumenti i Skënderbeut në Shkup është i derdhur në bronz dhe peshon 2,7 tonë, ndërsa së bashku me bazamentin është i lartë 7 metra. Kjo njëkohësisht e bën atë dhe shtatoren më të lartë në Maqedoni, vepër kjo e skulptorit Thoma Thomai. Luftëtari, i mbyllur në një armaturë solide, me përkrenaren mbi kokën e tij dhe shpatën e ngjeshur, është paraqitur në një kalë të guximshëm që përparon me hapin në ecje. Nga kjo vepër duket se buron një fuqi dhe një forcë e përqendruar. Gurthemeli i bazamentit ku qëndron monumenti i Skënderbeut në Shkup u vendos më 28 nëntor të vitit 2005. Ndërsa monumenti u vendos më 28 nëntor 2006.

MONUMENTI I SKËNDERBEUT NË SHESHIN “ALBANIA”, ROMË, ITALI

Sheshi Albania është një shesh në Romë i vendosur përgjatë Rrugës Aventino, jo shumë larg Porta San Paolo, në afërsi të kodrës Aventino. Sheshi u ndërtua me planin rregullues të vitit 1883, i cili përfshinte ndërtimin e të gjithë kodrës Aventino, zgjerimin e ndërtesës në Testaccio, në rrugën Marmorata dhe në lagjen San Saba. Bëhej fjalë për një zonë, e cila ishte shumë pak e banuar deri në atë periudhë kohore, gjë që bëri të mundur gjurmimin pothuajse të drejtpërdrejtë nga rruga aktuale e Aventinës. E quajtur në fillim Sheshi Raudusculana, sepse ishte vendosur aty ku më parë ishte Porta Raudusculana, sheshi ndryshoi emërtimin e saj më 4 korrik 1940, duke u bërë Sheshi Albania, për të përkujtuar aneksimin e Shqipërisë në Mbretërinë e Italisë, që u realizua nga ato një vit më parë. Në këtë shesh gjenden ndërtesa të ndërtuara midis viteve 1930 dhe 1960 dhe monumentin me statujën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Heroi Kombëtar shqiptarë. Kjo vepër është realizuar nga skulptori italian Romano Romanelli. Në monografinë e tij të vitit 1924, studiuesi italian Mario Tinti përkufizoi skulpturën e Romanellit “statike dhe euritike, gjeometrike dhe gravitacionale, të zbritura nga ambjenti i mjedisit atmosferik, i mbyllur plotësisht në vetvete dhe në armaturën e tij stilistike, pothuajse për të ruajtur më mirë mungesën e shpirtit njerëzor nga të gjitha rëniet dhe kontingjencat. “

Ndërmjet dhjetorit të vitit 1466 dhe pranverës së vitit 1467, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu erdhi për herë të tretë në Itali për të kërkuar ndihmë nga Papa Pali II. Aty, ai qëndroi tek një tregtar epiriot, në një pallat pranë Shatërvanit të Trevit, në sheshin aktual Skënderbej, një nga të parët në Romë që mban një emër të huaj. Në bazamentin e këtij monumenti është shkruar një mbishkrim në vitin 1968 nga Bashkia e qytetit të Romës me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Prej 23 tetorit 1930, Romanelli mori titullin akademik i Italisë. Në vitin 1932 realizoj, për Kullën e Revolucionit në Brescia, monumentin me Musolinin mbi kalë, e cila risolli në solemnitetin e formës së saj rivendosjen e punimit për Sheshin Albania në Romë. Por ky monument u hoq në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe fatkeqësisht u zhduk.

MONUMENTI I SKËNDERBEUT NË MIÇIGAN, AMERIKË

Prej pak kohësh, është vendosur dhe përuruar një monument i Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky monument është vendosur në një nga vendet që shqiptarët kanë zgjedhur dhe janë vendosur të jetojnë prej vitesh atje, pra në Miçigan. Kjo është statuja e parë dedikuar Skënderbeut në Shtetet e Bashkuara, në kodrat Rochester. Monumenti është i pozicionuar pranë ndërtesës së kishës shqiptare të Shën Palit, e cila u themelua në vitin 1981 nga disa emigrantë shqiptarë, shumë prej të cilëve ishin vendosur në kontenë Okland gjatë viteve 1970.

SHESHI “SKËNDERBEJ” NË PARIS, FRANCË

Sheshi Skënderbej është një rrethrrotullim i vendosur në rrethin Pont-de-Flandre të rrethit numër 19 të Parisit mbi rrugën unazore të Bulevardit periferik. Pas një përpjekje rreth 10 vjecare të Isa Ndreut dhe Lec Shllakut po edhe të Mërgatës antikomuniste, u bë e mundur nga Bashkia e Parisit që më 1978 të merrej leja që njerit nga sheshet e Parisit t’i vihej emri i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në atë kohë Kryetari i Bashkisë së Parisit ishte z. Zhak Shirak, i cili më vonë u bë President i Francës. Në 6-7 maj 1980 u bë një manifestim madhështor mbarëshqipëtar i diasporës, ku erdhën shqiptarë nga e gjithë bota ku jetonin si nga Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Australia, Zelanda e Re, po edhe nga Evropa, e në veçanti Arbëreshët e Italisë të veshur me kostumet e tyre tradicionale 5 shekullore, që i dhanë ngjyrë kësaj feste shqiptare në Paris. Morën pjesë shumë personalitete të shumta të historisë, artit, kulturës, klerikë por munguan përfaqësuesit e ish shtetit të dikurshëm totalitarist shqiptar.

Ky shesh, është shumë pak i njohur dhe janë të pakët ata shqiptarë që e dinë se ky shesh ndodhet në Paris në kryeqytetin Francez. Organizatorët në atë kohë menduan, se ky shesh do ti shërbente diasporës shqiptare me qëllim që të mblidhej të paktën një herë në vit ditën e 28 Nëntorit, e të përkujtonte Nëntorët e lavdishëm si 28 Nëntorin e Krujës dhe 28 Nëntorin e Vlorës. Por kjo nuk ndodhi.

Me rastin 10 vjetorit të festimit të kësaj dite u përgatit në broz Medalja e Skënderbeut nga Isa Ndreu.

Medalja në pjesën e pasme, ka në mes të saj një gravurë të shekullit XV ku Skënderbeu paraqitet si Dux Epiri Alb, dhe ruhet të Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Për përgatitjen e madaljes gravura e Skënderbeut, qoftë për shije astetike dhe kuptim historik, është rrethuar nga stema të ndryshme të Princave Shqiptar si edhe Shtete të huaja, që patën të bëjnë me Skënderbeun në atë periudhë. Ndër to gjendet edhe Stema e Parisit, dhe ajo e qytetit Poitiers, ku Akademia, me rastin e 400 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut 1868 e përkujtoi solemnisht.

Ky përkujtim duhet të ketë pasur lidhje në mes të fitoreve të Skënderbeut kundër Turqve në Lindje të Evropës, dhe të Fitores së Karl Martelit kundër invazionit të Francës nga Arabët, në Perëndim të Evropës. Në këtë shesh do të vendoset një statujë monumentale me përmasa 5 metra. Për realizimin e kësaj vepre është përzgjedhur skluptori shqiptar Agim Rada. Në shtatoren e Skënderbeut nuk do të mungojë edhe kryqi e shqiponja, simbol i stemës së Kastriotëve.

KONKLUZION

Të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë kanë për detyrë të zbulojnë personalitetet e mëdha e të shquara me origjinë shqiptare, njerëzit që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar për zhvillimin e njerëzimit, për t’u bërë atyre nderimet që u takojnë, sepse kështu nderojmë vendin tonë, i cili ka kaq shumë nevojë, sidomos tani në rrjedhën e proceseve integruese, ku ne kemi me çfarë të prezantohemi për nga vlerat dhe identitetin tonë kombëtar. /Milosao/