Në prag të fushatës zyrtare, partitë intensifikojnë përplasjet– analistët: mungojnë programet dhe vizionet

Më pak se tri ditë para nisjes së fushatës zyrtare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, skena politike është përfshirë nga akuza të ndërsjella, ndërsa opinionistët paralajmërojnë se subjektet politike po hyjnë në garë pa programe konkrete dhe pa vizione të qarta për të ardhmen.
Analisti Imer Mushkolaj ka deklaruar se fushata zgjedhore, deri tani, po zhvillohet kryesisht rreth debatit për të kaluarën, ku partitë po përqendrohen më shumë në fajësimin e kundërshtarëve sesa në prezantimin e ideve të reja për qytetarët.
Në emisionin “Debat Plus”, Mushkolaj tha se diskursi politik po dominohet nga akuza ndaj qeverisjeve të kaluara dhe debate për figura politike, ndërsa mungojnë planet konkrete zhvillimore.
“Deri tash, për fat të keq, shumica e fushatës zgjedhore po karakterizohet me të kaluarën. Po provohet se qysh me lënë tjetrin fajtor për të kaluarën, jo për të ardhmen”, deklaroi ai.
Sipas Mushkolajt, nuk janë parë programe të strukturuara apo vizione të qarta për zhvillimin e vendit.
“Nuk kam parë ide më të strukturuara, programe e vizione. Deri tani janë duke diskutuar për të kaluarën, në përpjekje maksimale për me lon fajtor tjetrin”, theksoi Mushkolaj.
Ai vlerësoi gjithashtu se periudha e shkurtër kohore nga zgjedhjet e fundit nuk lë shumë hapësirë për premtime të reja politike.
“Nuk e di çka kanë me premtu më shumë sesa ajo çka kanë premtuar në dhjetor. Kohë shumë e shkurtër. Nuk ka ndodh diçka e madhe për me ndryshu për katër muaj”, u shpreh ai.
Sipas tij, edhe takimet elektorale në Kosovë dhe diasporë po dominohen nga temat e së kaluarës, gjë që ai e cilësoi si të dëmshme për debatin politik dhe demokratik në vend.
Ndërkohë, analisti Ylli Hoxha ka kritikuar premtimet elektorale për pagën e 13-të dhe të 14-të, duke thënë se ato po përdoren si mjete për nxitjen e votuesve dhe jo si politika të mirëfillta ekonomike.
Duke komentuar ofertat e partive politike gjatë fushatës, Hoxha sqaroi se paga e 13-të nënkupton një pagë shtesë brenda 12 muajve, ndërsa paga e 14-të përbën rritje të të hyrave të punëtorëve për rreth 18 për qind.
“Paga e 13-të është një pagë shtesë brenda 12 muajsh. Paga e 14-të i bie rritje e të hyrave të punëtorit për 18%”, deklaroi ai.
Sipas Hoxhës, ofertat publike për rritje pagash nga subjektet politike nuk janë në përputhje me mundësitë reale ekonomike dhe as me frymën që duhet të ndërtohet në shoqëri.
“Këto oferta publike, si premtimi për rritje 50% apo premtime të tjera, janë në shpërputhje me ligjin që është aprovuar rishtazi, por edhe me mundësitë reale”, tha Hoxha.
Ai vlerësoi se pagat nuk duhet të përdoren si instrument politik në raportin mes votuesit dhe përfaqësuesve qeveritarë.
“Pagat nuk do të duhej të ishin lëmoshë mes votuesit dhe përfaqësuesit qeveritar. Kjo është keqpërdorim i pozitës në të cilën je si kryeministër apo ministër”, u shpreh ai.
Hoxha theksoi se në shoqëritë moderne ekzistojnë mekanizma të përcaktuar për rritjen e pagave, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, duke shtuar se edhe Kosova duhet të ndjekë modele të standardizuara për trajtimin e tyre.
Sipas tij, debati aktual politik po rrëshqet drejt populizmit dhe “tallavares politike”, ku fokusi kryesor mbeten premtimet financiare për qytetarët.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor, pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese.
Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh — pas atyre të mbajtura në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025./Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com










































