Mediat turke kanë shkruar gjerësisht të hënën për mbrojtësin e Kosovës, Florent Hadërgjonaj, pas paraqitjeve të shkëlqyera me Alanyasporin në edicionin 2025/26.

Portali “SonDakika” e ka cilësuar sezonin e 31-vjeçarit si “të jashtëzakonshëm” dhe ndër më të mirët në karrierën e tij, duke theksuar se Hadërgjonaj nuk spikati vetëm në aspektin defensiv, por edhe me kontribut të madh në sulm.


Sipas këtij mediumi, Hadërgjonaj e mbylli sezonin me shifra mbresëlënëse, nëntë gola dhe 11 asistime në të gjitha garat, duke u kthyer në një nga lojtarët kyç për pikët e Alanyasporit.

“SonDakika” shkruan se kosovari ka hyrë në histori si një nga mbrojtësit më produktivë jo vetëm të klubit, por edhe të Superligës turke.

Hadërgjonaj është pjesë e Alanyasporit nga vera e vitit 2023, ndërsa kontrata e tij i skadon vitin e ardhshëm. Te i njëjti klub aktivizohet edhe një tjetër mbrojtës i Kosovës, Fidan Aliti. /Telegrafi/

telegrafi sport app