Dëshmitari bashkëpunues: Nagip Krasniqi vendosi për “TUV Hellas”, tenderi ndryshoi nga procedurë e hapur në negociuar

Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, dhe Isuf Zejna, janë ulur përsëri në bankën e të akuzuarve në lidhje me akuzën e Prokurorisë Speciale për dëmin që pretendohet se i është shkaktuar ndërmarrjes.
Në seancën e sotme (25.05.2026) ka vazhduar dëshminë dëshmitari bashkëpunues Ymer Dragusha.
Dragusha në këtë rast ka qenë i akuzuar, mirëpo lidhur me të në seancën e datës 07.02.2025 Gjykata kishte aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes tij dhe Prokurorisë Speciale.
Ymer Dragusha gjatë dëshmisë së tij tha se nga viti 2022 e deri në pensionim ka qenë ushtrues detyre i drejtorit të prokurimit në KEK.
Dëshmitari Dragusha sqaroi rrugëtimin e tenderit në KEK “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kaldajave B1 dhe B2 TC Kosova B”.
Dragusha tha se çdo aktivitet i prokurimit fillon duke pasur deklaratën e nevojave dhe përcaktimin e disponueshmërisë së mjeteve e cila duhet të jetë e nënshkruar nga zyrtari autorizues i cili është njësia kërkuese, pastaj drejtori financiar dhe pastaj kryeshefi ekzekutiv.
Sipas Dragushës, kjo deklaratë e nevojave nga njësia kërkuese është parashtruar në shtator të vitit 2022 në vlerë prej 900 mijë deri 950 mijë euro pa TVSH.
Tutje, dëshmitari tha se kjo kërkesë – deklarata e nevojave nga kryeshefi ekzekutiv është refuzuar dhe është zvogëluar në vlerë prej 200 mijë euro dhe është kërkuar të parashtrohet e re në vlerë prej 700 mijë euro.
Sipas dëshmitarit, sipas dokumentacionit të mëhershëm është paraparë që ky tender të shkojë në procedurë të negociuar pa publikim.
“Por marrë parasysh se ka qenë afati deri në angazhim të kësaj kompanisë konsulent i mjaftueshëm, në bazë të takimeve që i kemi pasë me kryeshefin ekzekutiv është parë të shkohet në procedurë të hapur në afat të përshpejtuar kohor të cekur që me këtë aktivitet të prokurimit është përcaktuar nga menaxheri i Departamentit të Prokurimit”- tha më tej dëshmitari.
Në pyetjen se cila ishte arsyeja që të bëhej kalimi nga procedurë e hapur në të negociuar, dëshmitari tha se nuk janë kompetencë e tij ndryshimet që janë bërë në këtë tender.
“Nuk mund të jap një vlerësim, mund të jenë shkaqe të ndryshme, por mund të jetë edhe afati kohor. Nuk janë në kompetenca të mia këto ndryshime që janë bo” – tha dëshmitari.
Tutje, dëshmitari tha së përzgjedhja e kompanisë greke “TUV Helas” si kompani e preferuar nga BE dhe KEK për projektin “Mbikëqyrja e implementimit të projektit: Dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimet e kaldajave B1 dhe B2 në TC Kosova B” tha së është bërë nga kryeshefi ekzekutiv.
Dëshmitari tha se ky ka qenë rasti i parë i tij që ka pasur me firma konsulente në përmasa ndërkombëtare.
Ndër të tjera, dëshmitari tha se nuk është në dijeni nëse dikush ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme apo është dëmtuar.
Me kërkesë të mbrojtjes së dëshmitarit bashkëpunues, avokates Sabrije Krasniqi për ndërprerjen e seancës, seanca e sotme (25.05.2026) u ndërpre dhe e radhës pritet të mbahet me 08.06.2026.
Në seancën e datës 08.06.2026, dëshmitari bashkëpunues Ymer Dragusha pritet ta vazhdojë dëshminë e tij.
Dragusha kishte bërë marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale, e cila ishte aprovuar nga Gjykata.
Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna edhe në shqyrtim gjyqësor janë deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë për veprat të cilat u vihen në barrë nga Prokuroria Speciale.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Rrahman Beqiri (kryetar i trupit gjykues), Lutfi Shala dhe Kujtim Krasniqi (anëtarë).
Kujtojmë se Krasniqi tashmë ka një rast tjetër gjyqësor, në cilësinë e të akuzuarit për pozitën e njëjtë si ish-kryeshef i KEK-ut.
Lidhur me aktakuzën e parë Krasniqi nuk kishte pranuar fajësinë, ndërsa rasti është në procedim e sipër.
Çka thotë aktakuza e dytë e Prokurorisë Speciale për Nagip Krasniqin?
Nagip Krasniqi si kryeshef i KEK-ut në bashkëkryerje me Ymer Dragushën (ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit) akuzohen se nga nëntori i vitit 2022 e deri në fund të janarit të vitit 2023 kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare – duke i tejkaluar kompetencat që i kanë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tejkalimi i kompetencës është bërë që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S.A”, në rastin e aktivitetit të prokurimit lidhur me “Riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5”.
Tutje, sipas Prokurorisë, më 27.12.2022, Krasniqi kishte ftuar në zyrë të akuzuarin Ymer Dragusha, duke i kërkuar të njëjtit që të fillohet procedura për hulumtimin e tregut, që të fillohet procedura e negociuar për tenderin për riparimin e kalldasë së bllokut A5. Sipas Prokurorisë, Dragusha e kishte vënë në dijeni Krasniqin se një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.
Tutje, Prokuroria pretendon se Dragusha pasi kishte marrë kërkesën nga Krasniqi, i kishte thënë zyrtarit E. T., që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë: “Intering”, “Monting Energjetika”, Litwin S.A”, të cilët operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.
Tri ditë më vonë – sipas Prokurorisë – më 29.12.2022, Krasniqi dhe i akuzuari tjetër Dragusha kishin zhvilluar negociata me operatorët ekonomikë lidhur me tenderin “Riparimi kapital i kalldasë së bllokut A5” pa qenë në komisionin për vlerësim dhe negocim dhe ende pa u bërë njoftimi për shpallje në faqen E-Prokurimi. Ndërsa, më 16.01.2023, pas përfundimit të negociatave, kanë bërë njoftimin për shpallje – duke i eliminuar nga gara operatorët: “Intering”, “Monting Energjetika” dhe duke e favorizuar operatorin “Litwin S.A”.
Themelimi i komisionit për vlerësim dhe negocim për “Riparimin kapital emergjent të kalldasë së bllokut A5” ishte bërë katër ditë më vonë. Pikërisht, më 20.01.2023, prej kur ishte bërë shpallja për njoftimin për kompaninë “Litwin S.A”.
Ky komision, sipas dosjes, kishte ardhur me një konstatim, më 25.01.2023, se operatori në fjalë nuk i plotësonte kushtet që kërkoheshin në dosjen e tenderit dhe se nuk iu kishte përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave, me ç’rast komisioni kishte rekomanduar që të anulohet aktiviteti i prokurimit.
Sipas komisionit, operatori në fjalë kishte kërkuar të ndryshohen kushtet e tenderit, të zgjatet afati për kryerjen e punëve, të ulet përqindja në penallti dhe të zvogëlohet garancia bankare.
Ndonëse kryeshefi i asaj kohe, Nagip Krasniqi, kishte dijeni për Raportin e komisionit dhe gjetjet e tij, siç theksohet në dosje, ai kishte urdhëruar të pandehurin tjetër, Ymer Dragusha, që të nënshkruajë kontratën. Këtë e kishte bërë përmes e-mail-it më 25.01.2023.
Kontrata ishte nënshkruar më pas, ndonëse ende nuk ishte siguruar garancia bankare, e cila do të ekzekutohej në rast të dështimit të kontratës.
Si rezultat i veprimeve të të pandehurve, nga 19.07.2022 e deri më 06.05.2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit.
Andaj, siç theksohet nga ana e Prokurorisë, KEK-u u detyrua që të importojë energji në vlerë prej mbi 36 milionë euro.
Me këtë në dispozitivin e parë, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Tutje, aktakuza vazhdon me dispozitivin e dytë, në të cilin prapë Krasniqi e Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Në këtë dispozitiv, Krasniqi e Dragusha akuzohen, sipas Prokurorisë, se i kanë mundësuar përfitim pasuror personit tjetër, operatorit ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit “Angazhimi i një kompanie konsulente ligjore”, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.
Krasniqi, sipas Prokurorisë, ishte konsultuar për termat e referencës me të pandehurin Isuf Zejna, i cili është aksionar i kësaj kompanie ligjore më 02.03.2023 dhe ka kërkuar nga i akuzuari tjetër Dragusha që të iniciohet procedura e prokurimit e negociuar për angazhimin e konsulentit për këshillime në aspektin ligjor dhe të prokurimit për kryeshefin ekzekutiv dhe stafin e KEK-ut, ndonëse në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve nuk ishte paraparë – duke e përcaktuar si operator të vetëm kompaninë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.
Sipas Prokurorisë, ekzistonin raporte të ngushta shoqërore në njërën anë mes palëve.
Dosja elaboron tutje se Dragusha përkundër faktit që e dinte se kërkesa e Krasniqit ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik kishte filluar procedurën e prokurimit më 02.03.2023, me titull “Angazhimi i një kompanie konsulente ligjore”.
Ndonëse, organi kompetent për komentimin e Ligjeve të Prokurimit Publik kishte lëshuar një rekomandim se duhet të ketë procedurë të hapur, Krasniqi e Dragusha kishin zhvilluar procedurë të negocimit me kompaninë ligjore dhe më 03.04.2023, pas urdhrit të Krasniqit, Dragusha nënshkruan kontratën me kompaninë ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” në vlerë prej 60 mijë euro, theksohet në dosje.
Aktakuza voluminoze 68-faqëshe në dispozitivin e tretë përsëri akuzon Krasniqin e Dragushën për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.
Sipas dispozitivit të tretë, nga dhjetori i vitit 2022 e deri më 18.04.2023, Krasniqi në të njëjtën cilësi dhe Dragusha po ashtu në të njëjtën cilësi – duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë tejkaluar kompetencat duke i mundësuar përfitim pasuror personit tjetër – operatorit ekonomik “Ergotem S.A”, duke i shkelur të drejtat personave të tjerë për aktivitetin e prokurimit “Pllaka rrëshqitëse në PF – kanalet e mullinjve të thëngjillit”.
Krasniqi, sipas Prokurorisë, disa muaj para se të bëhej njoftimi në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për aktivitetin e njëjtë, i kishte ftuar në mënyrë të kundërligjshme përfaqësuesit e operatorit “Ergotem S.A”, me qëllim që të zhvillohet një vizitë në punishtet e KEK-ut. Tutje, i urdhëron zyrtarët përgjegjës që t’ia dërgojë kësaj kompanie specifikat teknike të tenderit, ende pa u bërë shpallja e tenderit.
Kështu, sipas Prokurorisë, më 15.12.2022, Krasniqi i shkruan të pandehurit Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallej më 16.12.2022 të ftohet operatori ekonomik “SBB” dhe “Ergotem S.A” – duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj që në të njëjtën datë të bëhet shpallja e njoftimit për kontratë.
Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave nga ana e komisionit, operatori “Ergotem S.A” shpallet fitues i tenderit.
Para nënshkrimit të Kontratës, kjo kompani kërkon nga KEK-u që të ndryshohen kushtet e tenderit lidhur me garancinë bankare, nga 50%, sa ishte në dosje të tenderit të zbritet në 10% . Kështu nga dy të pandehurit pranohet kjo kërkesë, por duke e rritur pakëz vlerën e përqindjes në 15 % – duke u nënshkruar kontrata më 07.04.2023 nga Dragusha. Kurse, më 18.04.2023, nënshkruhet nga Krasniqi në vlerë prej mbi 1 milion euro.
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 25.01.2023, në Prishtinë, me dashje, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë, i pandehuri Nagip Krasniqi si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut dhe Ymer Dragusha si ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit (ZEP), më 25.01.2023, në Prishtinë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast operatorit ekonomik “Tuv Hellas” dhe t’ua shkelin të drejtat personave të tjerë, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar, i emërtuar si “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, në tenderin me nr. të prokurimit KEK-23-348-2-1-5, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me LPP.
Në aktakuzë thuhet se më 24.01.2023, ende pa u bërë shpallja e njoftimit për tender, i pandehuri Nagip Krasniqi i kishte shkruar të pandehurit Ymer Dragusha dhe e kishte obliguar kundërligjshëm që të kontaktonte me operatorin ekonomik “Tuy Hellas” dhe ta ftonte që të aplikonte për tender të negociuar. Mirëpo, zyrtarët e KEK-ut e kishin njoftuar fillimisht të pandehurin Nagip Krasniqi se ky veprim ishte në kundërshtim me nenin 7 të LPP.
Përkundër kësaj, sipas aktakuzës, i pandehuri Krasniqi përmes e-mail-it e kërcënon zyrtarin A.K., se do ta largojë nga puna nëse nuk vepron sipas urdhrave të tij.
Në aktakuzë thuhet tutje se nën kërcënim dhe presion, zyrtarja Myrvete Gërguri e kishte kontaktuar kompaninë në fjalë dhe i kishte ofruar udhëzime të nevojshme se si të aplikojë në tender. Krejt kjo një ditë para shpalljes së tenderit, sepse më 25.01.2023 ishte bërë njoftimi për shpalljen e tenderit në E-Prokurim.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit nga zyrtarë përgjegjës se nuk mund të zhvillohet procedurë e negociuar në rastin e këtij tenderi, të pandehurit e kishin shpërfillur njoftimin dhe kishin vazhduar me procedurë të negociuar vetëm me operatorin ekonomik “TUV Hellas’’, të cilin sipas aktakuzës veçse e kishte përzgjedhur i pandehuri Nagip Krasniqi ende pa u shpallur tenderi.
Tutje, në aktakuzë thuhet se gjatë procedurës së negocimit në mënyrë të kundërligjshme të pandehurit i kishin bërë favor këtij operatori: kriterin tenderues të garancionit bankar nga 50% në 10% dhe përkundër faktit se operatori ekonomik kishte mungesë të dokumentacionit në dosjen e tenderit për pikat tenderuese, si: referenca për punë, diplomat e ekspertëve dhe certifikata ISO 9001.
Në aktakuzë përshkruhet se bazuar në faktin se gjatë procedurës së negocimit i pandehuri Nagip Krasniqi personalisht disa herë kishte pasur kontakte telefonike me përfaqësuesin e këtij operatori dhe duke qenë në dijeni për mangësitë që operatori ekonomik kishte në raport me kushtet e tenderit, vendosën që të nënshkruajnë kontratë me këtë operator në vlerë prej 628,425.00 euro, më 30.03.2023.
Andaj, me këtë në bashkëkryerje e kishin kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Nagip Krasniqi prej muajit korrik deri më 25.11.2022, në Prishtinë me dashje në cilësinë e personit zyrtar si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut duke keqpërdorur detyrën kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i mundësonte përfitim personit tjetër. Pra, në këtë rast operatorit ekonomik “Bahri Asllan & FAM” dhe ua shkel të drejtat personave të tjerë, në këtë rast pra operatorit ekonomik “Takraf” dhe i shkaktoi dëm buxhetit të Kosovës, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar i emërtuar si “Punë shtesë në riparimin e ekskavatorit E9 – Montimi i shtratit sferik”, me numër të prokurimit ‘’KEK-22-11643-5-2-5’’ kishte shkelur rëndë rregullat e përcaktuara me LPP, në atë mënyrë që kishte urdhëruar fillimisht aktivitet prokurimi të lartcekur.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pastaj ai kishte zhvilluar të ashtuquajturën “faza fillestare të negociuara’’ me operatorin ekonomik “Bahri Asllan & FAM”. Mirëpo, për shkak të kushteve të negocimit i kishte pezulluar negociatat me këtë operator dhe kishte hapur negociata të reja me operatorin ekonomik “Takraf”, me të cilin pas disa takimeve më 26.07.2022, sipas aktakuzës, arriti një marrëveshje e cila nuk u ekzekutua menjëherë, për shkak të kushteve në terren. Andaj, u shty deri në krijimin e kushteve atmosferike.
Në aktakuzë përshkruhet se përkundër faktit që me operatorin ekonomik “Takraf” kishte një marrëveshje të dakorduar, siç u përshkrua më lartë, i pandehuri Nagip Krasniqi përmes zyrtares së tij i ka dërguar e-mail operatorit ekonomik “Bahri”.
Andaj, sipas dosjes së Prokurorisë, me këtë në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Tutje, në dispozitivin e gjashtë të aktakuzës i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se në periudhën kohore 2022-2023, në Prishtinë, me dashje, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit, të cilat po zhvilloheshin në KEK.
Sipas aktakuzës, këto fshehtësi i pandehuri Krasniqi i ka ndarë me personin jozyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin, e cila nuk mban asnjë pozitë zyrtare në administratën shtetërore e për të cilat informata i pandehuri Krasniqi kishte qasje si rezultat i detyrës së tij dhe të cilat nuk ishin publike. Mihali është pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Në aktakuzë thuhet se më 02.07.2022, i pandehuri Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me Mihalin i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it – sipas marrëveshjes së datës 24.06.2022 mes KEK-ut dhe KESH-it.
Tutje, në aktakuzë thuhet se më 22.04.2022, i pandehuri Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Dejona Mihalit dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin mars-prill 2022. Pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali “Reporteri”, me titullin “Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milion euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike”.
Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Krasniqi më 24.02.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një dokument me titull “Agjenda e takimit të datës 09.02.2023”, në të cilën janë të përfshira pikat kryesore, si dhe termat e referencës për prokurimin e titulluar “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët’’.
Tutje thuhet se më 12.04.2023, i pandehuri i lartcekur gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal” i ka dërguar Mihalit një draft-autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit G.B.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 04.08.2022, gjatë komunikimeve i pandehuri Krasniqi në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit kërkesën drejtuar Qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ministrave të Qeverisë për plotësim-ndryshimin e vendimit për shpalljen e emergjencës energjetike.
Sipas aktakuzës, më 29.09.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me anëtarët e të njëjtit grup i pandehuri Krasniqi e ka dërguar tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë (6) tenderuesve, të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit “Riparimi kapital i kalldasë” dhe “Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit”.
Tutje në aktakuzë thuhet se më 13.10.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp” në grupin ku bënte pjesë Mihali, i pandehuri Krasniqi e ka dërguar informatën të cilën e ka pranuar nga anëtari i komisionit të vlerësimit dhe negocimit S.I., në lidhje me tenderin me numër KEKC-22-287-51, përkitazi me ofertat e ofruara nga operatorët ekonomikë. Si dhe komunikime të tjera në këto platforma.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Krasniqi po akuzohet se më 16.05.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: D.B., E.T. dhe M.K., pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit.
Me këtë, i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se e ka kryer veprën penale – zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Në dispozitivin e shtatë të aktakuzës i pandehuri Isuf Zejna në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” po akuzohet se në periudhën kohore dhjetor 2021 deri në prill të vitit 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit personal, e ka ndihmuar të pandehurin Nagip Krasniqi që në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut ta keqpërdorë detyrën zyrtare në lidhje me tenderin me numër KEK-23-1630-2-2-5, i titulluar “Angazhimi i një kompanie konsulentë ligjor”.
Në aktakuzë thuhet se më 14.02.2023, i pandehuri Zejna i ka ndihmuar të pandehurit Nagip Krasniqi në përgatitjen e termave të referencës për tenderin në të cilin ishte vetë pjesëmarrës.
Sipas aktakuzës, fillimisht i pandehuri Krasniqi ia dërgon një draft të termave të referencës të pandehurit Zejna, e më pastaj i pandehuri Zejna ia kthen të njëjtin draft të pandehurit Krasniqi. Ndërsa, ky i fundit draftin e dërgon te Zyra e Prokurimit në KEK dhe u kërkon inicimin e këtij aktiviteti të prokurimit me procedurë të negociuar.
Tutje, në aktakuzë thuhet se me të kuptuar lidhur me këtë procedurë KRPP i shkruan KEK-ut shkresën, përmes së cilës e rekomandon se kjo procedurë duhet të zhvillohet me procedurë të hapur, me qëllim të rritjes së transparencës dhe konkurrencës.
Në aktakuzë thuhet se Nagip Krasniqi për shkak të raporteve të ngushta me të pandehurin Isuf Zejna e injoron këtë rekomandim dhe më 03.04.2023 e nënshkruan kontratën me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, respektivisht me të pandehurin, Isuf Zejna, duke e shpërblyer me shumën prej 60.000.00.
Me këtë i pandehuri Isuf Zejna po akuzohet se ka kryer veprën penale – ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar./Kallxo.










































