LAJMI I FUNDIT:

Shumë të paaftë duan të bëhen të njohur dhe ia dalin mbanë…

Shumë të paaftë duan të bëhen të njohur dhe ia dalin mbanë…

Nga: Ennio Flaiano
Përktheu: Elona Caslli

Dua dhe mundem; diviza e këtij shekulli. Shumë njerëz që “duan”; shumë njerëz të mbushur vetëm me vullnet (jo “ me vullnet të mirë” kantian, por me vullnet ambicioz); shumë të paaftë që duan të bëhen të njohur dhe që ia dalin mbanë; shumë të paaftë që nuk kanë asgjë, veç një vullneti të fortë dhe të errët.


Ku e drejtojnë këtë vullnet?

Shumë shpesh, në fushat e artit.

Fushat e artit, në ditët e sotme, janë më të gjera dhe më të turbullta. Një film uestern, ku kushdo bën ligjin e tij dhe ua dikton sherifave.

Këtu vullneti i shfrenuar i këtyre njerëzve merret si art, talent dhe mençuri. Kështu, këta mjeranë, pa patur asnjë cilësi, qoftë në zemër apo në mendje, jetojnë të dehur nga ideja për të mbërritur diku apo për t’u ekspozuar diku.

Mësojnë diçka të lehtë, rikrijojnë vargjet e ndonjë mjeshtri të zgjedhur i cili i përçmon këta të paaftë. Më pas, pushtetin e tyre të mjerë e administrojnë me dembelizëm.

Ndjekin modën.

Shkojnë pas rrymës.

Kanë gjithmonë frikë se mos gabojnë.

Të palodhur për të bërë lajka.

Të pandjeshëm ndaj çdo lloj refuzimi.

Mizorë në fitore dhe të përgjëruar në humbje.

Fama lodhet një ditë dhe vendos të shkojë një herë të vetme në krevat me ta, sa për t’i hequr qafe.