LAJMI I FUNDIT:

Shtyrja e zgjedhjeve në veri, vendosja e barrikadave dhe sulmet ndaj policisë e gazetarëve – e shtuna e tensionuar në Kosovë

Shtyrja e zgjedhjeve në veri, vendosja e barrikadave dhe sulmet ndaj policisë e gazetarëve – e shtuna e tensionuar në Kosovë

Situata e përgjithshme në veri të vendit vazhdon të mbetet e tensionuar. Incidentet e vazhdueshme kanë ndodhur në këtë pjesë nga grupe të maskuara e të armatosura, incidente këto të cilat gjatë të shtunës (10 dhjetor), u shpeshtuan edhe më shumë.

Si rrjedhojë e situatës së krijuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori vendim që të shtyhen për në prill zgjedhjet, të cilat ishin paraparë që të mbahen në veri të vendit më 18 dhjetor.


Vendimin e Osmanit për shtyrje të zgjedhjeve në veri e mirëpritën shtetet e QUINT-it.

“Ky vendim konstruktiv avancon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaruan vendet e QUINT-it, shkruan Telegrafi.

Shtyrjen e zgjedhjeve e mirëpriti edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier.

Ai është shprehur mirënjohës ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe partive politike për siç ka thënë, lidershipin dhe angazhimin konstruktiv në shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit.

Pak orë para shtyrjes së zgjedhjeve, autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për shkak të, siç është thënë, dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.

E për të kundërshtuar arrestimin e Pantiq, serbët lokalë ngritën barrikada dhe kanë bllokuar disa rrugë në veri.

Barrikadat e vendosura nga serbët në veri të vendit

Duke përmendur çështjet e sigurisë, Policia e Kosovës më vonë ka njoftuar për mbylljen e dy pikë kalimeve mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës u sulmuan me armë zjarri, ndërkaq nga mjetet shpërthyese u rrezikuan edhe gazetarët të cilët po raportonin nga vendi i ngjarjes.

PK deklaroi se në vetëmbrojtje, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri të dyshuarve, të cilët janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Policia theksoi se serbët kanë shtënë me armë në tri raste.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore, të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të pikës kufitare të Bërnjakut”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duhet të hiqen menjëherë dhe se autoritetet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

E presidentja Vjosa Osmani deklaroi se bandat kriminale të udhëhequra nga presidenti i Serbisë., Aleksandër Vuçiq kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës, shkruan Telegrafi.

“Si gjithnjë, në veri bandat kriminale të udhëhequra nga lideri i tyre politik Vuçiq, nga i cili marrin urdhra, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës, mirëpo në këtë sfidë sikurse edhe në çdo tjetër, do të dalim fitimtarë”, tha Osmani.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.

Reagimet e opozitës për situatën në veri

Për situatën e krijuar në veri të vendit kanë reaguar edhe partitë opozitare në Kosovë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka quajtur dështim të Qeverisë shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat në veri. Sipas tij, me vendimin e djeshëm ekzekutivi është dorëzuar para bandave kriminale në pjesën veriore, e kjo ka thënë se e dobëson shtetin.

Krasniqi ka shtuar se instalimi i barrikadave në veri, në kohën kur po merrej vendimi për mosmbajtjen e zgjedhjeve, është dëshmi se “kjo tërheqje e Qeverisë nga zbatimi i ligjit dhe kushtetutës e rrezikon edhe më shumë ushtrimin e sovranitetit të plotë në katër komunat e veriut”.

Ndaj, i pari i PDK-së ka kërkuar nga Qeveria të jap përgjegjësi për sic ka thënë, këtë prapakthim dhe për dëmin që tashmë ia ka shkaktuar vendit më veprimet e veta të pamenduara.

Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se shteti i Kosovës duhet të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që i ka për heqjen urgjente të barrikadave dhe çdo pengese tjetër në veri.

Më tej kërkojë që Qeveria e Serbisë të heqë dorë menjëherë nga politika luftënxitëse dhe t’i tërheqë nga veriu njësitë e veta paramilitare. Po ashtu Haradinaj, apeloi tek BE dhe SHBA që të ndërhyjnë me qëllim të qetësimit të situatës në veri.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti se janë futur në aventura politike duke e sfiduar shtetin dhe se tani po e dorëzojnë atë.

Më herët gjatë javës është raportuar për sulm në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor, teksa zyrtarë të këtij institucioni kanë synuar nisjen e përgatitjeve për zgjedhje.

Përveç këtij sulmi, më 8 dhjetor është raportuar edhe për plagosjen e një zyrtari të Policisë së Kosovës në veri. Autoritetet shëndetësore kanë thënë se ai është jashtë rrezikut për jetën.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë shpallur në veri pasi përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kundërshtuar vazhdimisht mbajtjen e tyre. Policia e Kosovës ka shtuar së fundi prezencën në veri të vendit. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Politikë
Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Lajme
Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje:

Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje: "Unë po i jap fund jetës, amanet gruan dhe dy djemtë"

Lajme
Rezultatet e para përfundimtare në Tetovë, këto janë rezultatet

Rezultatet e para përfundimtare në Tetovë, këto janë rezultatet

Politikë
Kalo në kategori