Shqiptarët e Shqipërisë e duan BE-në më shumë se ata të Kosovës, serbët në fund të “pusit”


Qytetarët e Kosovës nuk janë më proevropianët e Ballkanit.
Këtë status e kanë vëllezërit nga Shqipëria.
Serbët, ndërkaq, mbesin në fund për sa i përket nivelit të përkrahjes për integrimin në Bashkimin Evropian.
Sipas një njoftimi që ka lëshuar Komisioni Evropian del se 92 për qind e qytetarëve të Shqipërisë mbështesin anëtarësimin në BE, duke e bërë shtetin e tyre vendin më proevropian në rajon. Pas saj renditet Kosova me 83 për qind.
Në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinë, mbështetja për integrimin evropian mbetet mbi 60 për qind, ndërsa Serbia shënon nivelin më të ulët me vetëm 31 për qind.
Komisioni Evropian thekson se qytetarët në vendet partnere të zgjerimit vazhdojnë të shohin anëtarësimin në BE si një investim për të ardhmen, duke e lidhur atë me “forcimin e paqes dhe sigurisë, mundësi më të mëdha ekonomike dhe perspektiva më të mira për brezat e rinj”.

Anketa përfshin edhe vendet e Partneritetit Lindor, ku mbështetja për anëtarësimin në BE arrin në 71 për qind në Gjeorgji, 65 për qind në Ukrainë dhe 58 për qind në Moldavi.
Ndërkaq, në Turqi, 46 për qind e qytetarëve shprehen në favor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian vlerëson se zgjerimi mbetet një investim strategjik për të ardhmen e BE-së dhe se mbështetja e vazhdueshme e qytetarëve në vendet aspirante dëshmon rëndësinë e procesit të integrimit evropian.





































