LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët e përçarë të Kongresit të Triestit: Ismail Qemali, i korruptuar dhe agjent i Greqisë!?

Shqiptarët e përçarë të Kongresit të Triestit: Ismail Qemali, i korruptuar dhe agjent i Greqisë!?

Franc Baron Nopça (Franz Nopcsa von Felso-Szilvas)
Pjesë nga Vepra: “Udhëtime në Ballkan: kujtimet e baronit Franc Nopça”
Përgatiti: Sabri Selmani

Nga 27 shkurti deri më 6 mars unë mora pjesë në Kongresin e Shqiptarëve në Triest. Ky kongres shqiptar ishte gjë e çuditshme. Në pranverë të vitit 1913 froni shqiptar ishte ende i pazënë dhe punët shqiptare drejtoheshin prej Ismail Qemalit, i cili kishte takuar Berhtoldin, në Budapesht pranë Shkëlqesisë së Tij, Janosh Hadik, dhe pastaj me kërkesë dhe me mbështetjen e Berhtoldit ai udhëtoi për në Vlorë ku themeloi qeverinë e përkohshme të Shqipërisë së sapokrijuar. Por, pas kësaj, si mik shumëvjeçar i Greqisë, bile edhe si agjent i paguar nga grekët, ai kishte premtuar që të lehtësonte pushtimin e Janinës, në rast se ngelej në pushtet në Shqipëri. Ishte e qartë se Ismail Qemali donte të mbetej shefi i qeverisë së përkohshme, sepse një gjë e tillë, kuptohet, ishte me fitim financiar. Më pak e kuptueshme, siç doli nga takimi i Berhtoldit me Ismail Qemalin, ishte fakti që Berhtoldi besonte se kishte aftësinë për t’ia hedhur Qemalit.

Natyrisht nuk ia doli mbanë. Duke qenë se në vitin 1911 botuesi Stid [Stead] më kishte treguar diçka për marrëdhëniet e Ismail Qemalit me Greqinë dhe se shkrimtari Aleksander Ular i cili, bashkë me Enriko Insabaton kishte shkruar librin “Gjysmëhëna që po fiket”, më kishte zbuluar disa gjëra për sjelljen e Qemalit si Guvernatori i Tripolisë, nuk e kisha të vështirë të parashikoja se Qemali do t’ia shiste Shqipërinë Greqisë. Kur Berhtoldi më kërkoi mendim për Ismail Qemalin, që dy javë pas themelimit të qeverisë së përkohshme, unë i thashë fjalë për fjalë: “Ismail Qemali është maskara”.

Fakti që Ismail Qemali e tradhtoi Shqipërinë m’u konfirmua më vonë plotësisht nga Eqrem bej Vlora, djali i të dërguarit shqiptar në Vjenë, Syrja bej, dhe nipi i Ismail Qemalit. Nuk e kam të qartë nëse, pas pushtimit të Janinës, grekët donin të liroheshin nga Ismail Qemali siç thotë fjala e urtë “Limoni i shtrydhur flaket”, por më duket se është e mundur. Megjithatë, gjatë kohës kur në Vlorë qeveria e përkohshme kryesohej nga Ismail Qemali, i cili merrte ryshfete, bile ryshfete të mëdha, u bë propaganda e madhe në Evropë për kandidatët e ndryshëm të fronit shqiptar. Albert Gjika [Albert Ghika], i cili kishte qenë edhe vetë pretendues i fronit shqiptar, ia doli t’i zgjojë interesin për fronin shqiptar edhe Dukës Monpensie. Ai ia kaloi këtij të fundit “të drejtat” e tij të njohura prej askujt, dhe për një shpërblim të caktuar bëri propagandë për dukën. Kopraci Fazil pashë Toptani dhe disa shqiptarë të tjerë u bindën lehtësisht që të përkrahnin Monpensienë, dhe kështu u krijua plani për shpalljen e Monpensiesë mbret i Shqipërisë gjatë kongresit të Triestit.

Ndërkohë u përhapën thashetheme se Monpensie e kishte thyer bllokadën greke dhe e kishte marrë edhe Vlorën dhe Ismail Qemalin. Duke pasur parasysh kundërshtimin e Monarkisë për shkak të lidhjeve familjare të Monpensiesë, u pa e udhës që Austro-Hungaria të mbështeste Kongresin e Shqiptarëve, dhe kështu u vendos që kongresi të mbahej në tokën e Monarkisë, për të pjellë këtu një vezë qyqe të bukur diplomatike. Si mashë për shpalljen e kongresit u përdor në mënyrë të shkathët Stefan Curani, zemërmirë por i leshtë, i zellshëm, por naiv, i cili kishte nam të mirë në Ballhausplatz dhe i cili shpalli kongresin si idenë e tij. Duke qenë se Ballhausplatzit i pëlqeu një tubim shqiptarësh në tokën austriake për atdheun e tyre, Vjena e miratoi dhe mbështeti planin.

Përveç shqiptarëve, në këtë kongres erdhën edhe italo-shqiptarë, dhe bashkë me ta Markezi Kastriota me gjithë djemtë nga Napoli. Të pranishëm gjithashtu ishin Albert Gjika, baroni Dungern, profesor dhe historian i Universitetit të Çernovicit, dy deputetë socialkristianë, konti Taaffe dhe z. Pantz nga Vjena, korrespondenti i Romës i gazetës Reichspost, Kavaljere Majerhëfer dhe unë. Unë solla me vete doktor Leo Frojndlihun, i cili kishte qenë deputet socialist në Vjenë dhe i cili, në momentin kur Shqipëria u bë interesante, themeloi me mjeshtri të madhe gazetën Albanische Korrespondenz dhe tani po luante kartën e sundimit imperialist. I pranishëm në Trieste gjithashtu ishte Hasan Arnauti, i cili punonte për mua si detektiv i fshehtë.

Aty ishin edhe disa organe të shtypit. Gjithashtu në Triest u shfaq edhe Zoti Jovo Vajs [Jovo Weiss] nga Beogradi, i cili pretendonte se donte t’u shiste shqiptarëve pushkë me çmim 90 korona secila, por në vërtetë ai nuk ishte veçse agjent serb. Përfaqësuesi i qeverisë austriake ishte Kështilltari Makavec [Makavetz], një njeri i urtë, i qetë dhe me energji, i cili nuk hutohej kollaj. Pas darkës së përshëndetjes, të nesërmen u zgjodhën Markezi Kastriota si kryetar nderi dhe Faik bej Konica si kryetar kongresi. Në kryesi u pranuan edhe Hilë Mosi, Fazil Toptani dhe Dervish Hima. Zgjedhja e Konicës nuk i pëlqente Gjikës sepse kur ky i fundit papritur hapi çështjen e kandidaturës së fronit, u pengua me aftësi nga kundërshtari i tij i vjetër, Faiku. Për më tej, me shkathtësi, Gjika, i cili si shumë rumunë kishte patur një karrierë batakçillëku, rrëmbeu djalin debil të Ismail Qemalit, për t’a patur në dorë këtë të fundit. Ai kishte udhëtuar në Nicë që para kongresit, ku familja e Qemalit jetonte në kushte të vështira financiare – Qemali vetë ishte i bllokuar – dhe e kishte sjellë me shpenzimet e veta, apo të themi më saktë me shpenzimet e Monpensiesë, djalin Tahirin, në kongresin shqiptar të Triestit.

Tahiri nuk kishte asnjë kacidhe në xhep dhe Gjika blente çdo gjë për atë, bile edhe cigaret, kështu që Tahiri nuk bënte asnjë hap pa Gjikën apo zëvendësin e tij dhe ishte faktikisht i burgosuri i Gjikës. Se çfarë donte Gjika me Tahirin, u bë e qartë më vonë. Paraqitja e jashtme e kongresit ishte si më poshtë: nga ana e djathtë e tavolinës së kryesisë, e vendosur mbi podiumin me një flamur shqiptar, ishte tavolina e shtypit, kurse nga ana e majtë, tavolina e mysafirëve. Anëtari i kryesisë, Dervish Hima, i cili sipas rastit bëhej mason në Evropë dhe mysliman fanatik në Turqi, kishte marrëdhënie të mira me gazetën Neue Freie Presse, kurse unë doja që deklaratat e shtypit të kalonin nëpër duart e mia. Prandaj, arrita që reportazhet zyrtare të kongresit t’i jepeshin vetëm gazetës Albanische Korrespondenz. Korrespondentët politikë të pranishëm u prekën dhe u ankuan, por pas ndërhyrjes sime ata u njoftuan nga Vjena që të bindeshin. Për shkak të kësaj lëvizjeje të zgjuar, Dervish Hima mund të informonte gazetën Neue Freie Presse vetëm me lejën e z. Frojndlih, i cili ishte pa përvojë në gjëra shqiptare, kështu që ai kishte nevojë për mua. Për të theksuar rëndësinë e Frojndlihut, ai u ftua në tavolinën e mysafirëve, në sy të të gjithë gazetarëve. Shpalosja e flamurit shqiptar u prit në këmbë me entuziazëm dhe, gjatë hapjes solemne, Kongresi i dërgoi të njëjtin telegram përshëndetjeje Berhtoldit dhe San Xhuljanos.

Unë këshillova që të mos u dërgoheshin telegrame mbretërve të Evropës duke qenë se teksti nuk mund të ishte njësoj për shkak të qëndrimit të theksuar të Austro-Hungarisë. San Xhuljano u përgjigj menjëherë, gjë që bëri shumë përshtypje. Berhtoldi u përgjigj vetëm pasi unë i kërkova Mëkëmbësit të Triestit, Princit Hohenlohe, që t’a bindte ministrin për këtë. Fakti i vonesës së përgjigjes nga Berhtoldi natyrisht la një përshtypje të keqe dhe, për t’a kompensuar këtë, i propozova Hohenlohesit që ai të ftonte kryesinë e kongresit për drekë. Propozimi im u realizua me lejën e Berhtoldit dhe me praninë e konsullit italian në Triest.

Dreka ishte e shkëlqyeshme dhe tavolina ishte zbukuruar me lule. Italo-shqiptarët ishin të shumtë në kongres, por mbajtën fjalime vetëm italisht. Unë u përshëndeta gjatë hapjes solemne nga Faiku si mik i madh i shqiptarëve. Mendova gjatë disa minutave për një përgjigje, u ngrita në podium dhe atëherë mbajta një fjalim në gjuhën shqipe. Me përjashtim të konsullit të përgjithshëm Kral dhe të disa konsujve të tjerë austriakë dhe italianë, besoj se asnjë evropian tjetër nuk e ka bërë një gjë të tillë. Përveç konfliktit midis vllehëve dhe shqiptarëve gjatë të cilit kombësia ende e palindur e vllehërve dha prova të dukshme të fanatizmit dhe të mendjemadhësisë së saj ballkanike, dhe pas një shkëmbimi fjalësh midis kryetarit Faik bej Konica, dhe mashtruesit Nikollë Ivanaj, i cili e sfidoi kryetarin vetëm për të tërhequr vëmendje mbi veten, por nuk pati sukses, në kongres u thane vetëm fjalë boshe.

Duke qenë se nuk doli asgjë e arsyeshme nga kjo shkretëtirë fjalësh, unë e thirra Faik bej Konicën në darkën e ditës së fundit dhe i bëra të qartë se kongresi nuk kishte bërë asnjë punë. Gjëja minimale që mund të pritej nga një kongres politik ishte një rezolutë. Faiku ishte dakord me mua, dhe unë ia diktova rezolutën e cila ditën e nesërme do t’u përcillej si telegram fuqive të mëdha. Pas një gjysme ore ishim gati dhe të nesërmen Faiku ia paraqiti rezolutën kongresit. Pas një debati, prapë për gjendjen e vllehërve në kongres dhe në të ardhmen e Shqipërisë, që Faiku e mbaroi me një ultimatum për të mirën e shqiptarëve, rezoluta u pranua, dhe fjalët e mia iu transmetuan fuqive të mëdha si rezoluta e kongresit.

Gjatë kongresit, Kavaljere Majerhëfer mori vesh nga Tahiri, djali i Ismail Qemali, se Monpensie po përgatiste një puç. Ai ma tregoi mua, dhe asnjë i huaj tjetër nuk e mori vesh, pra as Frojndlihu dhe as Dungerni. Të dy ne e informuam Makavecin, dhe ky i fundit e informoi Ballhausplatzin. Aty u ndërmorën tërë kundërmasat. Plani i Gjikës për të hapur çështjen e fronit në kongres tashmë kishte dështuar, por kishim merak për ndonjë sulm tjetër, duke qenë se Monpensie rrinte gati me jahtin e tij në det. Kaluam dy ditë në Triest pa lajme nëse Vjena do ta miratonte ose jo kandidaturën e Monpensiesë për shkak të lidhjes së tij familjare me Arqidukeshën Maria Dorotea. Shqiptarët, ndër të tjerë edhe Faik bej, filluan të na pyesnin se si duhej te reagonin lidhur me këtë kandidaturë. Me përgjegjësinë time unë i thashë: “Në mënyrë armiqësore! Nuk besoj se Monpensie është kandidati i Vjenës”. Më në fund erdhi përgjigjja nga Vjena e cila mbështeti hamendjen time. Tash mund të vepronim në mënyrë të hapur kundër Monpensiesë. Rastësisht deputetët e Vjenës pranë kongresit dhanë një darkë në Palace Hotel, dhe gjatë një pushimi në bisedat unë thashë me zë të lartë: “Kam dëgjuar se Monpensie do të bëhet mbreti i Shqipërisë dhe bile ka shtypur tashmë shpallje. A ka vallë ndonjë prej zotërinjve këtu një shpallje të tillë në xhep? Ju e dini, zotërinj, se unë mbledh shtypin për Shqipërinë”.

Habi e madhe! Qetësi e plotë! Por, Fan Noli harroi dhe nxori nga xhepi shpalljen e shtypur dhe ma dha. E fshehta e Monpensiesë doli në shesh. Në mbrëmje shpalljen ia dërgova me postë Berhtoldit. Shqetësimet tona u pakësuan, por nuk u zhdukën.

Ditën tjetër në kongres pati një moment vërtet dramatik kur u përhapën lajme se kishte ardhur në Triest një kasnec i qeverisë së përkohshme nga Vlora, dhe disa minuta më vonë u soll në sallë një plak i lodhur nga udhëtimi, shtatgjatë, i përkulur dhe me shumë emocione. Ishte kryeministri shqiptar, Kristo Meksi, i sapoardhur nga Vlora. Një ngazëllim i stuhishëm! Të gjithë ishin si të elektrizuar. Faiku u zbeh sepse kishte përshtypje se kryesia kishte humbur çdo ndikim mbi kongresin. Tashti kryesimin këtu e mori qeveria e përkohshme. Ai nuk dinte se çfarë lajmesh kishte sjellë me vete Meksi. Po të propozonte Kristo Meksi si i dërguari i qeverisë shqiptare në Vlorë, Dukën Monpensie si mbret të Shqipërisë, pas ndonjë marrëveshjeje të fshehtë, atëhere kishte mbaruar çdo gjë. Unë u ula pranë ministrit të qeverisë austriake, Makavec, dhe i thashë: “Shikoni, nëse Kristo Meksi mbështet kandidaturën e Monpensiesë, jemi të humbur, sepse ai do të shpallet njëzëri”.

Makaveci dukej i qetë nga jashtë, por nga brenda po dridhej. Ai ishte gati të shkonte deri aty sa të bënte skandal duke mbyllur kongresin. Kristo Meksi filloi të fliste. Ai i transmetoi Kongresit të Shqiptarëve përshëndetjet e qeverisë së përkohshme dhe njoftoi se anëtarët e qeverisë ishin shëndoshë e mirë. Pas kësaj u largua nga podiumi, përsëri i shoqëruar nga duartrokitje të stuhishme, pa kuptuar fare se çfarë vendimi kishte patur në dorë. Atmosfera u çel. Ne kuptuam se Ismail Qemali nuk dinte gjë për planin e Monpensiesë. Tani erdhi koha për të larguar Tahirin nga Gjika. Një rastësi na lehtësoi planet tona. Gjika nuk donte të paguante shpenzimet e hotelit të Tahirit. Ai iu drejtua të tjerëve, dhe pas pak kohe më erdhi një patriot shqiptar. Besoj se ishte Mark Kakarriqi apo Koci, i cili më tha se Tahiri, i biri i kryetarit të qeverisë të përkohshme, kishte një hall. Ky patriot, duke qenë se kishte dëgjuar se unë isha mik i shqiptarëve, më pyeti nëse mund ta ndihmoja për të shlyer borxhin e Tahirit sepse, po të bëhej e njohur kjo, gjithë Shqipëria do të diskreditohej. Tahiri kishte nevojë për 500 deri 600 korona.

Ai tha se kishte turp të më kërkonte para vetë. Unë isha gati menjëherë të ndihmoja dhe i premtova se do të rregulloja çdo gjë mu pasdite. Drekën e hëngra me Tahirin dhe Majerhëferin dhe i shpjegova Tahirit se ishte bërë vegël, bile se ishte peng në duart e Gjikës, me anë të të cilit ata mund të detyronin babain e tij të hiqte dorë nga qeveria e përkohshme për të shpëtuar djalin, në dobi të Monpensiesë. Tahiri natyrisht u tremb jashtë mase. Ai më rrëfeu çdo gjë që dinte, por tha se nuk kishte para që të largohej nga Gjika. Unë i premtova që do të rregulloja çdo gjë. Pasdite pagova faturën e hotelit dhe ia dhashë shumën e nevojshme për shpenzimet e tij deri të nesërmen. Më vonë e takova përsëri patriotin shqiptar i cili kishte kërkuar 500-600 korona dhe i njoftova se e kisha shlyer borxhin e Tahirit, por se ai kishte gabuar me shumën. Nuk ishte fjala për 500-600 korona, por vetëm për 190 korona. Në këtë mënyrë një patriot shqiptar dështoi në planin e tij për të fituar 300-400 korona.

Tahiri më ftoi për darkë dhe, që ai të mos përzihej në ndonjë veprim gjatë natës, duke qenë se edhe Gjika banonte në atë hotel, i dhashë shumë alkohol për të pirë. Në mesnatë e ktheva në hotel, të pirë e bërë xurxull si derr, dhe në hyrje takuam Gjikën. Ai e kuptoi mirë situatën dhe pa se për sa i përket Tahirit, kishte dështuar. Me nxitjen time Tahiri i tha se tash do të shkonte në Vjenë, ku do të banonte me mua. Kështu u ndërprenë përfundimisht lidhjet midis Gjikës dhe Tahirit. Herët në mëngjes dërgova dikë për të marrë çantat e Tahirit dhe pastaj ai udhëtoi, përsëri pa para në xhep, për në Vjenë, ku e strehova në një hotel. Kësaj radhe ishte pengu im. Më vonë i bleva një biletë treni për në Nicë, i dhashë pak para xhepi në dorë, dhe e ktheva te nëna e tij. Që të mos përsëritej një histori e tillë, Ballhausplatzi i dërgoi Zonjës Qemali një shumë më të madhe që t’a ndihmonte atë me problemet e saj financiare. Që të flas për nivelin intelektual të Tahirit, mjafton të them se gjatë kohës së Abdul Hamidit ai kishte qenë oficer i forcave detare turke. Kjo i shpjegon të gjitha. Kaq ishte pjesëmarrja ime në Kongresin e Shqiptarëve në Triest.

Për hir të së vërtetës, duhet të theksoj se Ministria e Punëve të Jashtme më ka mbuluar shpenzimet. Kam marrë para nga organet qeveritare austro-hungareze gjithsej katër herë.

Herën e parë mora një shumë pas krizës së Anekcionit [të Bosnjës] për shlyerjen e shumës që kisha harxhuar në vitin 1909 gjatë muajve janar, shkurt dhe mars për agjitacion në Shqipëri. Herën e dytë Ministria më dha mundësi të dërgoja Saidin në Malin e Zi dhe në Shqipëri gjatë Luftës Ballkanike. Herën e tretë u shlyen shpenzimet e mia në Kongresin e Shqiptarëve nga fondet që më solli Ali Arnauti. Herën e katërt mora një rrogë të lartë kur punoja në Bukuresht në një mision të posaçëm diplomatik gjatë fillimit të Luftës Botërore.

Të gjitha shpenzimet e tjera për udhëtim, agjitacion, dhe informacion, i pagova nga xhepi im. Vetëm një herë isha agjent politik dhe kurseva para. Kjo ishte ku dola në mision si çoban.

Pati edhe një episod mjaft interesant në Kongresin e Shqiptarëve kur famullitari Pjetër Tushaj i tregoi z. Majerhëfer se ai dhe Kryepeshkopi i Shkodrës, Monsinjor Sereqi [Sereggi], kishin bashkëpunuar më Malin e Zi kundër turqve në vjeshtë të vitit 1912. Majerhëferi më informoi për këtë lajm, që e kisha marrë me mend. Ishte për të qeshur se si e turpërova agjentin serb Vajs. Z. Vajs, për karakterin e dyshimtë të të cilit më kishte informuar Ali Arnauti, donte të prezantohej me mua. Unë nuk isha kundër sepse kështu mund t’a demaskoja më mirë. Kur mësova për qëllimin e Vajsit, iu afrova atij menjëherë, u përkula jashtëzakonisht thellë para tij, dhe u paraqita, duke e pyetur se si mund t’a ndihmoja. Mirësjellja ime e habiti plakun, ashtu siç kisha pritur. Për shkak të moshës dhe të mënyrës së tij, prisja të ishte i ngadalshëm nga pikëpamja e inteligjencës. Ai u hutua, donte të prezantohej shpejt dhe tha: “Jov…” dhe menjëherë e ndreqi: “Johan Vajs.” Unë i thashë: “Thoni lirisht Jovo. E di që jeni nga Beogradi.” Kështu e kapa dhe z. Vajs nga Serbia pohoi se kishte jetuar në Serbi, ishte përfshirë në një proces me qeverinë serbe për një truall, dhe më në fund pranoi se kishte ardhur në Triest si përfaqësues i një fabrike armësh, për t’iu ofruar shqiptarëve, përkatësisht shtetit të tyre, armë.

Rrenat e z. Vajs nuk ishin të këqia. Ai besonte se unë nuk e kuptoja qëllimin e ardhjes së tij. Ai kishte për detyrë të vëzhgonte nëse shqiptarët furnizoheshin me armë nga qeveria austro-hungareze. Unë i thashë z. Vajs se pikërisht pushka automatike e tij ishte e papërshtatshme për shqiptarët për shkak të harxhimit të madh të municionit, dhe e njoftova se nuk ishte shumë e zgjuar nga ana e firmës së tij të dërgonte përfaqësuesin e saj të Beogradit, pra të dërgonte atë njeri në Triest, i cili po furnizonte me armë armikun shekullor të shqiptarëve, d.m.th. serbët. Në fund, e këshillova që të mos diskreditohej dhe të mos diskreditonte firmën e tij, të largohej sa më shpejtë nga Triesti dhe t’iu ofronte mallrat shqiptarëve më vonë, kur armiqësia midis serbëve dhe shqiptarëve të ishte zbutur pak. Natyrisht z. Jovo Vajs nuk ishte shumë i kënaqur për këtë këshillë dashamirëse, kunjin e së cilës e kuptoi shumë mirë. Ai u zhduk nga vendi menjëherë. Më 3 mars unë i shkrova Konradit10 nga Triesti si më poshtë:

“Shkëlqesi!

Do të keni dëgjuar për rrengun e parashikuar të Dukës së Monpensiesë për marrjen e fronit shqiptar. Biografinë e tij të shtypur shqip ia dërgova Berhtoldit sot paradite. Mbase do të mendoni se jam i çmendur, kur Ju bëj këtë propozim, por për shkak të rreziqeve që mund të dalin si pasojë e politikës sone të mosveprimit, unë ju propozoj këtë plan, edhe po të jetë aventurist.

Do të blej, gjoja me paratë e mia, dy avullore të Llojdit, shumë të vogla dhe shumë shpejta, dhe do t’i armatos me topa dhe me 300 ushtarë të veshur civil si vullnetarë të mi, dhe, duke marrë pajisjet e duhura ushtarake, do të zbarkoj në veri të Durrësit nën flamurin shqiptar. Avullorja e dytë do të shkojë në Vlorë. Anijet greke nga frika prej Hamidisë do të jenë zhdukur, edhe Monpensie e di këtë. Kjo avullore do të informojë qeverinë shqiptare e cila mban kontakte miqësore me Vjenën dhe të cilën unë si vullnetar do t’a njoh zyrtarisht.

Gjithë kjo duhet të inskenohet gjatë kohës që Ballhausplatzi po i shkruan Zetterit dhe Kordiosë për qëllimin e Monpensiesë. Ministria duhet të duket e zemëruar. Duke qenë se shqiptarët e egër – pra ata me pushkë – më njohin mirë, një protestë e mundshme e letrarëve dhe politikanëve mund të jetë njësoj për mua, gjë që nuk vlen për Monpensienë.

Ju kërkoj ndjesë, Shkëlqesi, nëse Ju shkruaj këtu me shpejtësi diçka që, me syrin Tuaj të stërvitur i cili kupton më mirë vështirësitë, Ju duket fëmijërore. Por unë besoj se nëse një francez, i cili nuk di shqip, guxon të komplotojë, atëherë mund të komplotoj edhe unë. Të mërkurën do të vij në Vjenë për të folur me Ju personalisht për këtë çështje, nëse Shkëlqesia e lejon, dhe deri atëherë me shumë respekt,

Baron Franc Nopça”

Nga Triesti u ktheva në Vjenë. Aty, kur unë i tregova Berhtoldit për pasojat e mundshme negative nëse froni shqiptar do të mbetej bosh për një kohë të gjatë, ai m’u ankua se nuk gjente një kandidat të përshtatshëm. Në fakt, kishte një numër të madh kandidatësh. Në radhë të parë ishte Konti Urah fon Vyrtemberg, pastaj edhe një princ egjiptian, Ahmed Fuad, dhe djali i Markezit Castriota nga Napoli. Në këto rrethana, vendosa të merrja një hap që mund të më bënte lehtësisht qesharak dhe mund të dëmtonte tërë imazhin e punës time për shqiptarët. Megjithatë mora guxim dhe e provova. Unë i thashë Shkëqesisë Konrad me shkrim se edhe unë do të isha gati të bëhesha kandidat për fronin, nëse kandidatura ime do të mbështetej nga Ballhausplatzi. I shpjegova se do të më duhej vetëm një shumë e madhe, për të blerë të ashtuquajturit patriotë shqiptarë.

Nga përvoja ime me puçin e Monpensiesë, pashë se nuk do të ishte e vështirë që të shpallesha mbret prej tyre. Në momentin kur të bëhesha mbret evropian, nuk do të kisha të vështirë të gjeja fonde të tjera të duhura duke u martuar me ndonjë amerikane të pasur me pretendime për një titull aristokratik, pra të hyja në një martesë ku normalisht do të kisha antipati. Mbështetjen e banorëve të Veriut e kisha të sigurt për shkak të qëndrimit tim aty në vitet 1910 dhe 1911, dhe në Vjenë mund të shpresohej që Ismail Qemali, i mbështetur më parë nga Berhtoldi, nuk do të krijonte vështirësi. Disa ditë më vonë, më datën 22 mars, i shkrova këtë letër:

“Shkëlqesi!

Për shkak të acarimit të fatlumtë të marrëdhënieve të Monarkisë me Malin e Zi, pjesa e fundit të bisedës sonë që lidhej me mua, është bërë pa rëndësi. Nëse flisni për këtë punë me Kontin Berhtold, do t’Ju kërkoja të mos e përmendnit fare kandidaturën time, që të shmang përshtypjen e interesit vetjak. Para ndërhyrjes sonë aktive ky hap më dukej e vetmja rrugë, por për fat, Ballhausplatzi ka vendosur për një më të mirë.

Për sa i përket Dukës Monpensie, ai mbetet një rrezik dhe më duket se meqenëse ai udhëton nën flamurin anglez, nuk kemi mundësi tjetër të veprojmë kundër rrengut të tij të planifikuar përveç një aksidenti detar ku jahti i tij, qoftë duke u larguar nga Brindisi, qoftë duke ardhur në Vlorë, të përplaset rastësisht me një avullore të Llojdit, duke bërë të domosdoshme që Duka të shpëtohej nga uji dhe të çohej ne Triest apo në Kotorr. Siç kam dëgjuar, ai ka bërë një përpjekje tjetër për të vendosur kontakte me Ismail Qemalin. Duke Ju kërkuar ndjesë që kohët e fundit Ju kam marrë kaq shumë kohë, mbetem me shumë respekt.

Baron Franc Nopça”

Ka mundësi që kandidatura ime të pritej me shpotitje në qarqet kompetente. Disa javë më vonë kur u tërhoqa i neveritur nga çdo veprimtari lidhur me Shqipërinë, shumë njerëz menduan se kjo ndodhi vetëm se nuk u realizuan planet e mia ambicioze. Unë hoqa dorë për shkak se Shqipëria siç doli nga Konferenca e Londrës, ishte një lindje e vdekur. Nuk u përpoqa të mbrohesha nga akuzat dashakeqe të përdorura me kënaqësi nga kundërshtarët e mi, duke ditur se ngjarjet që do të vinin, do të përbënin mbrojtjen më të mirë. Shembja e shtetit shqiptar në vitin 1914 tregoi se unë pata të drejtë në vitin 1913 të largohesha nga anija që po fundosej. I vetmi “gabim” që bëra ishte fakti se unë i parashikova ngjarjet shumë më parë se kundërshtarët e mi.

Gjatë kohës kur po mbahej ende Konferenca e Londrës, në fronin e Shqipërisë hypi princ Vidi. Në këtë kohë doli në pah edhe Prenk Bibë Doda, i cili udhëtonte tutje e tëhu midis Vjenës dhe Romës. E kisha të qartë prej kohësh qëndrimin e tij proserb dhe promalazez, me anë të të cilit ai kërkonte njohjen e tij si princ i Mirditës. Që prej fillimit të luftës ballkanike ai u bashkua me Malin e Zi dhe më vonë, bashkë me Marka Gjonin, gjatë përparimit të trupave serbe kundër Lezhës, iu hapi rrugën trupave të tyre. Pas këtyre gjërave nuk më habiti kur më njoftoi, duke më trajtuar si mikun e tij personal, gjatë një darke festive në Hotelin Zaher [Hotel Sacher], se ai kishte ndërmend të kthehej në Mirditë jo nga Durrësi, por nga Beogradi. Besimi i tij shkonte aq larg sa që ai më kërkoi të ndërhyja pranë Berhtoldit në këtë çështje.

Fill pas Kongresit të Shqiptarëve dhashë dorëheqje nga Komiteti Shqiptar për shkak të kufijve të Shqipërisë të caktuar në Londër dhe u tërhoqa nga çdo veprimtari politike. “Kjo Shqipëri s’ka për të mbijetuar. Nuk do të mbijetojë sepse ajo detyrimisht do të bjerë pre e njërës prej dy fuqive fqinje. Më keq se asgjë. Gjykoj se një veprim i mëtejshëm për Shqipërinë nuk përputhet me sigurinë e Monarkisë. Një Shlezvig-Holshtajn i ri. Kjo Shqipëri mjafton për të blerë neutralitetin e Italisë, jo më shumë.” Këto janë fjalët që i përgatita dhe i dërgova me shkrim Konradit.

Dorëheqjen time nga Komiteti Shqiptar e morën për keq. Gjithsesi unë u tërhoqa nga çdo veprimtari e mëtejshme për Shqipërine dhe i shpjegova arsyet e mia Shkëlqesisë së Tij Konradit, Berhtoldit, Shkëlqesisë së Tij Berenrajter [Baerenreither] dhe të gjithëve që donin të më dëgjonin.