LAJMI I FUNDIT:

“Shpella” dhe lufta për jetë në Siri

“Shpella” dhe lufta për jetë në Siri

Nuk ka popull e shtet përparimtar në botë, që çlirimin e përparimin e koncepton me ndihmën ruse.

Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, vetëm serbët i pritën rusët si çlirimtarë. “Po vijnë rusët”, brohoritën ata. Por, shpejtë u penduan kur pjesëtarët e Ushtrisë së Kuqe nisën përdhunimet masive të grave e të vajzave serbe. Shumë nga këto përdhunime përfunduan me vrasje e vetëvrasje. Kur komunistët jugosllavë u ankuan për këtë tek Stalini, ai u tha: “Janë djem të rinj ata, le të zbaviten pak”! Nga ajo kohë lindi edhe thënia: “Ja te oslobodil, ja te jebal” (Unë të kam çliruar, unë të…)!

Dëbimi i trupave gjermane nga Evropa Lindore, nga forcat ruse (sovjetike), ishte një tjetër pushtim për popujt e robëruar nga nazistët. Jugosllavia e Titos nisi përparimin tek kur u nda nga sovjetikët më 1948. Shqipëria komuniste, si shteti më i varfër e më i prapambetur i Evropës, u zezua edhe më shumë meqë i avancoi mësimet ruse për të tjetërsuar popullin. Të tjerët, ata që e donin përparimin e që sot janë pjesë e BE-së, duruan deri në rënien e komunizmit më 1989-1991, për të mos e harruar kurrë poshtërimin që u është bërë deri atëherë.

Pas shkatërrimit të Jugosllavisë, serbët – për të ruajtur privilegjet e vjetra të dominimit – sërish e kërkuan ndihmën ruse. Kërkesa të tilla ka secili që e do kaosin, si në Ukrainë, Moldavi, Armeni apo Gjeorgji. Mbi të gjitha, kaos do kreu kriminal i Sirisë, Bashar al-Assad. Se çfarë është në gjendje të bëjë ky i fundit, kjo mësohet edhe në dokumentarin “The Cave” që – krahas dokumentarit “Min Ajl Sama” (Për Samën) – ishte kandidat për çmimin Oscar.

Ngjarja shtjellohet në spitalin e quajtur “Ālkhf‎” (Shpella – për shkak të tuneleve të shumtë nëntokësorë), që menaxhohej nga mjekja Amani Ballour. Spitali i improvizuar ishte në Guta, në dalje të Damaskut. Para Luftës Civile që nisi më 2011, në atë rajon jetonin rreth sy milionë banorë. Më 2017 ishin 400 mijë. Sot nuk dihet sa. Një pjesë e madhe janë vrarë; shumica janë deportuar. Fjala është për territorin që ka përjetuar rrethimin më të gjatë e më të tmerrshëm në historinë moderne. Për pesë vjet, luftë e rezistencë çdo ditë. Por, tmerret më të mëdha bëheshin nga aeroplanët rusë që hidhnin edhe helme kimie.

Në anën tjetër, në “Shpellë” bëhej lufta tjetër për jetën, e cila mund të shpjegohet me statistikën që jepet te dokumentari “Për Samën” (për spitalin e improvizuar në Alepo që udhëhiqej nga mjeku Hamza Al-Kateab): “Për 20 ditë, 890 operacione”! Pra, çdo 30 minuta një operacion, në kushte të padurueshme, me mungesë ilaçesh e ushqimi, e të kërcënuar përherë nga forcat e Assadit e nga bombat ruse. Në kushtet e tilla, vdekjet janë të pashmangshme. Prandaj, pamjet e fëmijëve të vrarë, si të Aylan Kurdit, u bënë përditshmëri. Edhe pamjet e fëmijëve të lënduar e të shtangur nga tronditjet e bombardimeve, si ato të Omran Daqneeshit. Kjo e detyroi mjeken Ballour të pyes: “A po na sheh Zoti”?

Dhembja shihet kudo në “Shpellë” dhe jashtë saj, por edhe tek lotët e kirurgut Salim Namour që punoi pa nda për të shpëtuar jetët e civilëve. “Asgjë nuk mund të bëjmë për ta”, thotë ai i dëshpëruar. Namour operacionet i kryente duke dëgjuar muzikë klasike dhe, në një moment, regjisori Feras Fayyad pamjet e tmerrit i ilustron me “Rekuiemin” (e vdekjes) së Mozartit. Sepse, vdekja është ajo që pret secilin që do lirinë e njerëzoren në Siri.

Si tek dokumentari “Për Samën”, edhe tek “Shpella” nuk mungon humanizmi, dashuria dhe forca e individëve që bëjnë të pamundurën për të shpëtuar viktimat e pafajshme. Por, kjo luftë e madhe për jetën merr fund më 2018, kur stafi mjekësor detyrohet ta braktisë Gutën gërmadhë. “Si mund t’i mbaj lotët kur shoh sesi njerëzimi shkatërrohet para meje”, thotë Ballour, teksa largohet.

Regjisori Fayyad ka deklaruar se ky dokumentar duhet t’i vë njerëzit në pozitë të keqe, kur e shohin realitetin e hidhur përreth. Prandaj, sado të rënda që janë pamjet, këta dokumentarë duhet parë. Sepse, aty shihet e vërteta e një Lufte të tmerrshme Civile; e vërteta për krimet e pushtetit mizor të Assadit dhe të aleatëve rusë që për interesa të poshtra nuk kanë asnjë ndjesi për shkatërrimet dhe vuajtjet që ua shkaktojnë miliona njerëzve… Mbi të gjitha, aty shihet e vërteta për padrejtësinë më të madhe të shekullit XXI.

“Për Samën” dhe ndërgjegjen e botës së civilizuar
Lexo po ashtu “Për Samën” dhe ndërgjegjen e botës së civilizuar