LAJMI I FUNDIT:

“Më shkurt e më lirë”: Në pritje të rrugës Prizren-Tetovë

“Më shkurt e më lirë”: Në pritje të rrugës Prizren-Tetovë

Ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë do t’i kursente mbi 1.400 euro në muaj Ergin Gjikolit, pronar i kompanisë “Fe Plast”, e cila merret me prodhimin e aksesorëve të aluminit dhe plastikës për dyer dhe dritare.

Kompania me qendër në Prizren – pjesa jugore e Kosovës – i shet prodhimet e saj në tregun e Maqedonisë së Veriut. Atje, përkatësisht në qytetin e Tetovës, ka edhe një depo mallrash.


Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Gjikoli thotë se, së paku katër herë në muaj, transporton mallra me maune nga Prizreni në Tetovë, përmes autostradës “Arbën Xhaferi”, që lidh dy shtetet. Dy herë gjatë javës udhëton edhe vetë nga Prizreni, përmes maleve të Sharrit, në Tetovë.

“Transportuesi i mallrave nga Prizreni në Tetovë i merr 650 euro. Në muaj i shpenzoj 2.600 euro. Nëse ndërtohet rruga dhe afrohet distanca mes këtyre dy qyteteve, mua do të më përgjysmohen shpenzimet”.

“Në bazë të largësisë, transportuesi do t’i merrte 300 euro [për një transport] apo 1.200 euro në muaj”, thotë Gjikoli.

Rruga Prizren-Tetovë u soll në qendër të vëmendjes në gusht, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu gatishmëri për ndërtimin e saj.

Për këtë aks rrugor, qeveritë e dy vendeve ishin marrë vesh në një mbledhje të përbashkët në vitin 2021.

“Rruga Prizren-Tetovë që nëpër Prevallë e Glloboçicë është e gjatë 113 kilometra dhe i merr më shumë se dy orë e gjysmë udhëtim, do të jetë më e shkurtër se 50 kilometra dhe do të përshkohet për dukshëm më pak se një orë”, tha Kurti gjatë një vizite në Prizren, më 13 gusht.

Për këtë rrugë, ai foli edhe gjatë një vizite në Maqedoninë e Veriut, që bëri po atë muaj.

Studimin e fizibilitetit apo të vlerësimit për rrugën e ka bërë tashmë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës (MMPHI) dhe, sipas tij, rruga do të jetë rreth 50 kilometra e gjatë dhe do të përfshijë një tunel prej 6.4 kilometrash.

Nga kjo ministri thanë për Radion Evropa e Lirë se kompania që do t’i kryente punimet në rrugë, nuk është zgjedhur ende.

“Çmimi i saktë nuk dihet ende, pasi që nuk janë kontraktuar punimet dhe nuk është hartuar projekti kryesor për komplet rrugën. Mirëpo, sipas planifikimeve të përafërta për komplet rrugën Prizren-Tetovë, ajo pritet të kushtojë rreth 200 milionë euro”, thuhet në një deklaratë të MMPHI-së, dërguar REL-it.

Ky institucion nuk dha ndonjë informacion se në çfarë forme do të sigurohen mjetet e as kur do të nisin punimet.

Çfarë thonë në Maqedoninë e Veriut?

Në Ministrinë e Transportit dhe Komunikimeve në Maqedoninë e Veriut thonë se së bashku me ministrinë përkatëse të Kosovës janë duke përgatitur një projekt-program dhe marrëveshje bashkëfinancimi për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren.

Por, as kjo ministri, as Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se sa para janë planifikuar për ndërtimin e rrugës në fjalë dhe si është paraparë financimi i saj.

Cilat janë përfitimet?

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë shkëmbime të vazhdueshme tregtare.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin korrik, Kosova ka eksportuar produkte në vlerë prej nëntë milionë eurosh në Maqedoni të Veriut, ndërsa prej atje Kosova ka importuar mbi 30 milionë euro produkte.

Profesori i menaxhimit të projekteve në Kolegjin Dardania, Halim Gjergjizi, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfitimet ekonomike nga rruga në fjalë, do të jenë më të mëdha se kostoja e saj e ndërtimit.

“Përveç lehtësimit të shkëmbimeve tregtare, rruga do të hapë shtigje, mundësi dhe afërsi të reja. Sektori i turizmit do jetë, po ashtu, më tërheqës”, thotë ai.

“Distancat e qendrave turistike në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri do të afrohen. Nga Maqedonia e Veriut do të shkurtohet koha e udhëtimit për në Qendrën Turistike ‘Brezovica’ në Kosovë dhe për në bregdetin e Shqipërisë, kurse nga këto dy shtete do të jetë më afër Qendra e Skijimit ‘Kodra e Diellit’ në Tetovë”, thotë Gjergjizi.

Ngjashëm shprehet edhe Hysen Sogojeva, udhëheqës i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.

“Dihet se në pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut turizmi dimëror është më i shkurtër, për shkak se bora shkrihet më herët. Kështu që të gjithë nga pjesa lindore mund të vazhdojnë në pjesën perëndimore të Kosovës, pasi temperaturat janë më të ftohta dhe bora qëndron më shumë”, thotë ai.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut lidhen në tri vendkalime kufitare.

Pika kryesore kufitare gjendet në Han të Elezit dhe ajo lidhet me autostradën “Arbën Xhaferi”.

Vendkalimi tjetër është Glloboçicë-Jazhincë, që lidh Prizrenin me Tetovën. Kurse, nga viti 2020 është hapur edhe vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiq.

Që nga paslufta e deri në vitin 2020, në Kosovë janë bërë investime kapitale në ndërtimin e rrugëve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, në vend janë 137 kilometra autostradë.