LAJMI I FUNDIT:

Shitja e makinave në Britani në nivelin më të ulët që nga viti 1946

Shitja e makinave në Britani në nivelin më të ulët që nga viti 1946

Tregu i makinave në Britani të Madhe pësoi muajin e tij më të keq në më shumë se shtatë dekada, pasi kufizimet e pandemisë së COVID-19 shtynë shitjet e tyre me një rënie prej 97 për qind.

Sipas Shoqërisë së Prodhuesve dhe Tregtarëve të Automjeteve, vetëm 4,320 makina iu shitën blerësve privatë, bizneseve dhe flotave krahasuar me afërsisht 161 mijë që ishin në muajin prill të 2019-së, përcjell Telegrafi.


Me dyqanet e mbyllura dhe blerësit e izoluar në shtëpi, grupi i industrisë tha se vetëm 871 makina iu shitën blerësve privatë gjatë muajit prill. Shumë prej tyre ishin automjete elektrike me bateri si modeli Tesla Model 3 që klientët kishin bërë porosi që para pandemisë.

Shitjet totale mujore janë më të dobëtat që nga shkurti i vitit 1946, kur 4,044 makina u shitën në Britani, ndërsa vendi u përpoq të rifitonte gjendjen e tij nga pasojat e menjëhershme të Luftës së Dytë Botërore.

Britania e Madhe ka qenë nën izolim që nga fundi i muajit mars, kur kryeministri Boris Johnson urdhëroi baret, restorantet, teatrot, kinematë dhe palestrat të mbyllen, si pjesë e një përpjekjeje për të kontrolluar pandeminë e Coronavirusit. /Telegrafi/