LAJMI I FUNDIT:

SHBA, kërkohet ndalimi i fluturimeve të kompanive arabe

SHBA, kërkohet ndalimi i fluturimeve të kompanive arabe

Grupi i kongresistëve të Kongresit Amerikan nga Nju Jorku dhe Nju Xhersi kanë kërkuar nga presidenti Donald Trump që të ndalojë kompaninë arabe “Emirates” që të vendosë fluturime nga aeroportet në Njuark, Nju Xhersi deri në Athinë në Greqi, që është kërkesa më e re në kontestin rreth konkurrencës jo lojale.

Grupi prej 25 kongresistësh në letër pohon se “Emirates” dhe kompanitë tjera ajrore nga Gjiri, në mesin e të cilave edhe “Etihad”, kanë përparësi të padrejtë në raport me avio-transportuesit amerikanë, pasi marrin miliarda dollarë nga subvencionet shtetërore.


Kongresistët kërkojnë nga Trump që të intervenojë për të shtyrë fluturimin e parë në destinacionin Njuark-Athinë, i planifikuar për të dielën, derisa qeveria të mos gjejë zgjidhje për këtë kompani ajrore.

Në kumtesën e sotme “Emirates” thotë se aeroplani do të fluturojë të dielën sipas planifikimeve.

Kompanitë më të mëdha ajrore amerikane më herët kanë bërë të ditur se “Emirates”, “Katar airways” dhe “Etihad airways” marrin miliarda dollarë subvencione nga qeveritë e tyre, gjë e cila iu mundëson transport nën çmimin e tregut dhe të shkelin të ashtuquajturën “marrëveshje për qiell të hapur”.

Ndryshe, kompanitë “American”, “Delta” dhe “United” kërkuan nga Uashingtoni që të hapë bisedimet me Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, por administrata e kaluar e presidentit Barack Obama nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

“Emirates” dhe kompanitë tjera nga Gjiri kanë hedhur poshtë pohimet se po e marrin tregun dhe se po dëbojnë konkurrencën.