eksperti-banner

Sharon Osbourne ka ngritur shqetësime për shëndetin e saj pasi ka bërë të ditur se është detyruar të shtrohet papritur në spital, duke humbur kështu një moment shumë të rëndësishëm kushtuar bashkëshortit të saj të ndjerë, legjendës së rock-ut, Ozzy Osbourne.

73-vjeçarja ndau në rrjetet sociale pamje nga statuja gjigante prej gjashtë metrash e Ozzy-t, e cila u përurua në festivalin francez të muzikës metal “Hellfest”, ndërsa shpjegoi mungesën e saj në ceremoni.


“Më vjen keq që nuk munda të isha në Hellfest për zbulimin e statujës së Ozzy-t. Fatkeqësisht, pata një udhëtim të papritur në spital në fillim të javës”, shkroi ajo, pa dhënë më shumë detaje mbi gjendjen e saj shëndetësore, shkruan DailyMail.

Sharon falënderoi organizatorët e festivalit dhe artistin Philippe Pasqua për statujën që i kushtohet ikonës së Black Sabbath, duke e cilësuar atë “absolutisht mahnitëse”.

Ozzy Osbourne ndërroi jetë në korrik të vitit 2025 në moshën 76-vjeçare, ndërsa shkaku zyrtar i vdekjes u konfirmua si një atak në zemër dhe arrest kardiak.

Vitet e fundit, Sharon ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për shkak të problemeve shëndetësore dhe humbjes drastike në peshë pas përdorimit të Ozempic.

Ajo ka pranuar se ka humbur më shumë kilogramë sesa kishte planifikuar dhe se e ka pasur të vështirë të rifitojë peshën e humbur.

Kjo nuk është hera e parë që Sharon përballet me probleme shëndetësore. Ajo ka kaluar më parë një betejë me kancerin e zorrës së trashë, i është nënshtruar një mastektomie të dyfishtë dhe ka pasur disa shtrime të tjera në spital gjatë viteve, duke përfshirë edhe një incident në vitin 2022, kur humbi ndjenjat gjatë xhirimeve të një emisioni. /Telegrafi/