LAJMI I FUNDIT:

Serbia pamundëson transitin e rrymës për Kosovë

Serbia pamundëson transitin e rrymës për Kosovë

Operatorët komercialë të energjisë nuk mund të tregtojnë energji elektrike në kufirin energjetik të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, thuhet në një përgjigje nga zyra për informim e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Kjo ndërprerje ka ndodhur që nga 14 dhjetori, kur KOSTT-i ka filluar të operojë si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës.


“Aktualisht, nuk bëhen transaksione komerciale të energjisë elektrike (tregtim) në kufirin energjetik Kosovë – Serbi, por linjat ndërkufitare janë në operim dhe në ato rrjedh energjia elektrike”, thuhet në një përgjigj të KOSTT-it.

Sipas KOSTT-it, arsyeja pse ende nuk ka tregtim në linjat ndërkufitare Kosovë-Serbi është për shkak se operatori serb EMS (Rrjeti Elektro-energjetik i Serbisë) ende nuk ka bërë marrëveshje me KOSTT-in për tregtim të kapaciteteve.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje EMS-së, lidhur me këtë çështje dhe për një marrëveshje të tillë, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Por, thonë zyrtarë të KOSTT-it, kjo nuk do të thotë që tregtarët nuk kanë mundësi që të tregtojnë energjinë elektrike për në destinacionin e synuar, pasi që ata mund të shfrytëzojnë rrugë të tjera alternative.

Gjukaj: Serbia e ka keqpërdorur fazën testuese

Njohësi i çështjes energjetike në Kosovë, Arben Gjukaj, thotë se Serbia, duke shfrytëzuar fazën tranzitore të pavarësimit të rrjetit transmetues të Kosovës, ka shitur në mënyrë jo-transparente dhe kundër rregullave për tregti ndërkufitarë te kapaciteteve transmetuese, në linjat në mes të Kosovës dhe Serbisë (400 dhe 220) kilovolt (KV).

E gjithë kjo, sipas tij, është bërë për shkak se operatori i transmisionit të Serbisë, EMS-ja nuk ka bashkëpunuar me operatorin e transmisiont të Kosovës, KOSTT, në fazë tranzitore të fillimit të operimit të KOSTT-it si zonë rregulluese e pavarur me Shqipërinë. Kjo situatë do të jetë deri më 31 dhjetor, pasi Serbia krejt kapacitetet e linjave transmetuese ndërshtetërore që kanë shkuar në drejtim të Kosovës i ka deklaruar zero. Ai shton se nuk ka kapacitete të lira në këto linja për tregtarët që dëshirojnë të shesin apo blejnë energji në Kosovë ose anasjelltas.

“Në këtë situatë e vetmja rrugë për tregtim të energjisë elektrike për tregtarët dhe operatorët tjerë vendorë, është përdorimi i rrugëve alternative që janë linja transmetuese me vendet tjera fqinje që lidhin Kosovën me rajonin”, thotë Gjukaj.

Në takimin e datës 1 dhjetor 2020 të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-së, të gjithë Operatorët e Sistemit të Transmetimit (OST), janë zotuar që do ta përkrahin KOSTT-in në fazën e tranzicionit si zonë e pavarur rregulluese Shqipëri-Kosovë.

Menjëherë pas fillimi të operimit të pavarur të KOSTT-it, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova importonte nga ky shtet, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, të martën Nebih Zariqi, anëtar i bordit të KOSTT-it.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Blerim Kuçi, ndërkaq ka thënë të enjten se Serbia po shkel Traktatin e Komunitetit të Energjisë, duke bllokuar linjat transmetuese për Kosovën.

Ai i ka bërë këto komente në një takim të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, që këtë herë është mbajtur në kryesimin e Malit të Zi, pas pavarësimit energjetik të Kosovës.

Sipas Kuçit, këto veprime janë të patolerueshme dhe duhet të sanksionohen nga Bashkimi Evropian.