Senati i Shteteve të Bashkuara ka hedhur një hap përpara drejt miratimit të një pakete të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe Iranit, në një përpjekje për të rritur presionin ekonomik ndaj Moskës.

Sipas raportimeve të Bloomberg, senatorët amerikanë kanë arritur një marrëveshje për një projektligj që i jep presidentit Donald Trump kompetenca për të vendosur tarifa të larta ndaj mallrave ruse.


Në bazë të propozimit, administrata amerikane do të mund të vendosë tarifa deri në 500 për qind ndaj importeve nga Rusia.

Gjithashtu, parashikohen tarifa shtesë prej 100 për qind ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë, gaz apo burime të tjera energjetike ruse.

Sipas burimeve të cituara nga Bloomberg, Senati mund ta miratojë projektligjin që këtë javë. Megjithatë, hyrja e tij në fuqi pritet të vonohet për shkak të pushimit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nuk pritet të ndodhë para muajit shtator.

Masat e reja synojnë të kufizojnë të ardhurat që Rusia siguron nga eksportet energjetike dhe të godasin vendet që vazhdojnë marrëdhëniet tregtare me Moskën, pavarësisht sanksioneve perëndimore.

Projektligji vjen në një kohë kur Uashingtoni po kërkon mënyra të reja për të shtuar presionin ndaj Rusisë lidhur me luftën në Ukrainë dhe aktivitetet e saj ndërkombëtare. /Telegrafi/