LAJMI I FUNDIT:

Sëmundjet inflamatore të zorrëve, sfidat e trajtimit

Sëmundjet inflamatore të zorrëve, sfidat e trajtimit

Gama e sëmundjeve që përfshinë traktin gastrointestinal të poshtëm është e gjerë dhe komplekse. Sëmundjet inflamatore të zorrëve (IBD) paraqesin një entitet në vete dhe përbëjnë një sfidë të rëndësishme në trajtimin dhe kontrollin e komplikimeve që ato sjellin.

Dr. Visar Berisha
Gastroentereolog
Spitali Amerikan, Kosovë
Rr. “Shkupi”, nr.25, Prishtinë
+381 38 221 661; +381 38 400 661
visar.berisha@spitaliamerikan.com
www.spitaliamerikan.com


Në shumicën e rasteve sindroma inflamatore që përcjellë këto sëmundje është e gjerë, e përgjithshme dhe jo standarde. Simptomatologjia kryesisht ndërtohet nga disa prej elementeve bazë që përcjellin këto sëmundje; barkëqitjet e shpeshta dhe të pa kontrolluara nga ilaçet e rëndomta për trajtimin e barkëqitjeve dhe ushqimi, humbjet në peshë dhe prania e herë pas hershme e gjakut në jashtëqitje. Jo rrallë, këto nuk janë shpërfaqjet standarde të sëmundjes. Mund të jetë kapsllëku, fryrja dhe gurgullimat e zorrëve, kryesisht pas ngrënjës, anemia etj. Por ajo që komplikon qasjen e mjekut për të identifikuar sëmundjet inflamatore të zorrëve, shpesh nuk janë simptomat apo shenjat, është qëndrimi pezhorativ që pacientët kanë ndaj problemeve që vijnë nga koloni (zorra e trashë), i ndikuar nga prejardhja kulturore e tyre.

Dy janë sëmundjet kryesore që ndërtojnë sindromën inflamatore të zorrëve; Koliti ulceroz dhe sëmundja e Crohn-it. Shpërfaqja e tyre klinike është afërsisht e njëjtë dhe vështirë për t`u dalluar nga pacienti. Veç profesionisti i lëmisë përkatëse mund t`i ofrohet mundësisë së veçimit të këtyre dy entiteteve, mbështetur në sindromën klinike që ato shfaqin. Pastaj, është endoskopia e poshtme dhe përmes sajë biopsia e mukozës së ndryshuar të zorrëve që jep përgjigjen definitive për praninë e sëmundjeve inflamatore të zorrëve (IBD) dhe llojin e saj, Kolitin apo Crohn-in.

Sindromën biologjike të këtyre sëmundjeve mund ta kthjellojmë edhe përmes të ashtuquajturve markerë të inflamacionit, siç janë formula leukocitare, proteina c-reaktive apo një prej markerëve specifik inflamator për inflamacionet e zorrëve, kalprotektina. Por të gjitha këto nuk japin përgjigje për lokalizimin, llojin dhe komplikimet e sëmundjes. Me gjithë se kalprotektina dhe proteina c-reaktive janë tregues të rëndësishëm te dekursit klinik të sëmundjes.

Krejt këto prevalohen nga dy prej ndërmarrjeve shumë të rëndësishme dhe përplotësuese njëra me tjetrën; endoskopia e traktit të poshtëm gastrointestinal (kolonoskopia) dhe biopsia e zorrëve. Qoftë për të vendosur diagnozën fillestare (kolonoskopia dhe biopsia), qoftë për të indentifikuar ekzacerbimet, remisionet dhe komplikimet e sëmundjes (kolonoskopia). Këto metoda janë standardi i artë për identifikimin dhe përcjellën e IBD-s.

Ato që përbëjnë sfindën reale në përballjen me IBD është terapia dhe forma e të ushqyerit. Çdo herë e më tepër kemi individualizim të terapisë, dmth, se përgjigjet e organizmit janë specifike ashtu siç është edhe kultura individuale për t`iu përgjigjur me disiplinë sëmundjes kronike.

Epoka e të ashtuquajturve agjentë biologjik ka prevaluar terapinë standarde të imunosupresorëve, si Melsalazina, Sulfasalazina, Azathioprina… kortikoidet dhe agjentë tjerë sumplementar si vitamina D. Infleximabi, Adalimumabi dhe agjentë tjerë biologjik ndërhyjnë në kaskadën e inflamacionit kronik duke frenuar gjenerimin e faktorit nekrotik tumoral, TNF alfa. Përmes kësaj ulin përgjigjen inflamatore kronike me natyrë imunologjike dhe i japin kohë murit të zorrëve të rigjenerojnë vetveten. Kështu, arrihet, në të shumtën e rasteve, të mbyllen edhe fistulat e zorrëve, të cilat janë ndër komplikimet e rënda të sëmundjes së Crhon-it. Përparësia tjetër e terapisë biologjike është forma e të aplikuarit; merret në formë infuzive, ka një cikël të rregulluar me javë, pra nuk është ditore dhe shkon duke u rritur çdo herë distanca e marrjes së terapisë. Kjo terapi, në të shumtën e rasteve largon fazat e përkeqësimit dhe kështu rritë kualitetin e jetës.

Sfidat që dalin të kjo terapi janë përvoja ende jo e mjaftueshme për të paraparë efektet e sajë anësore apo komplikimet. Sot dihet se, për shkak të natyrës biologjike që kanë, këto ilaçe mund të krijojnë antitrupa në organizmin e marrësit dhe kështu të vije deri të refuzimi i terapisë. Po ashtu, problematikë tjetër paraqitet kohëzgjatja e marrjes së kësaj terapie. Sa do zgjatë trajtimi, kur do pjekën kushtet për ndërprerjen e tij, nëse ndërprehet si duhet të rifillohet me terapinë?!

Gjithsesi se këto sfida nuk e zvogëlojnë efektin e mrekullueshëm që këta agjentë biologjik po japin deri tash. Më kohën përgjigjet për të ardhmen do të vijnë. E keqja është se sot, tek ne kjo terapi ende ka kosto të lartë financiare. Nuk është arritur të futet tek lista e barërave esenciale dhe kështu paraqet problem të madh për qasjen e pacientit deri tek kjo terapi.

Duke e përfunduar, duhet ta themi me plotë gojën se bazuar në përvojën tonë të deritanishme, me pacientë që vuajnë nga Sëmundjet Inflamatore të Zorrëve, terapia me Infelximab apo Adalumimab ka ndryshuar të tërësi jetën e pacientëve tanë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori