0Shares

Është grimerja më e suksesshme në trojet shqiptare dhe më gjerë. Arti që ajo bën me duart e saj në gjininë e bukur, është definicion i mjeshtrisë estetike, kulminacion i bukurisë. Ngjyrat e gjalla, e të gjitha aspektet tjera se si ajo trajton të bukurën janë refleksion i një përkushtimi dhe pasioni që e posedon vetëm ajo.

E filloi këtë zeje në moshë të re, ndërsa sot është prej sipërmarrëseve më të suksesshme në rajon. Sellma Kasumoviq është shembulli i përkryer nëse dëshironi të prezantoni një femër të suksesshme.

Kreative në secilin moment të punës së saj, gjithnjë e gatshme për të provuar gjërat e reja, ajo asnjëherë nuk iu frikësua sfidave. Tash, Sellma pasi theu kufinjt tanë, është duke rivalizuar më të mirët e botës, ata që dikur i kishte shembull.

Për Telegrafin ajo rrëfen mbi shumëçka rreth karrierës së saj si make up artiste, e flet për sfidat nëpër të cilat ka kaluar dhe të tjera risi për të ardhmen.

Telegrafi: Keni filluar karrierën si “make up” artiste qysh në një moshë të hershme. Sa ka qenë e vështirë rruga juaj prej atëherë e deri sot?
Sellma: Karrierën e kam filluar në një moshë të hershme, kur isha vetëm 13 vjeçe. Mendoj se asnjë karrierë nuk mund të jetë e suksesshme pa kaluar në vështirësi e sidomos në rastin tim ku në një vend si Kosova mundësitë për të krijuar një biznes si një femër ka qenë e vështirë dhe biznese për grim nuk ka pasur asnjë. Por, mahnitem me veten se si nga një studio shumë e vogël dhe pengesave gjatë rrugës kam arritur ta shndërroj këtë në një brend, apo kompani.

Telegrafi: Brendi juaj i “make upit” është më i njohuri dhe më i preferuari nga femrat. Si e keni arritur këtë?
Sellma: Brendi Sellma para disa ditësh ka bërë 1 vjet nga krijimi i produkteve. Më vjen mirë që produktet po pëlqehen nga të gjithë dhe që më e madhe është dashuria për kualitetin se sa vetëm pse emri im figuron në produkte. Arritja e suksesit qëndron në përparësinë që kanë produktet të cilat në formulën e tyre janë të vërshuara nga vitaminat dhe përmbajnë vaj avokadoje. Suksesin e ndjej atëherë kur klientet të cilat një herë kanë realizuar blerjen i shoh të kthehen dhe nuk ndalen se bleri produktet përsëri.

Telegrafi: Njiheni për bashkëpunimin e ngushtë me Kacin, një nga stilistët po ashtu më të kërkuar të flokëve. Na tregoni si jeni takuar me të dhe nga ka lindur ideja për të bashkëpunuar më ngushtë duke qenë të paprekshëm në estradë?
Sellma: Ideja fillestare ka qenë e Valdrinit që të bëhemi të tretë bashkë dhe Kaci ishte më fleksibili dhe i talentuari çka vlen të thuhet edhe për ditët e sotme. Pasi ne kishim 80% të klientëve të përbashkët, për t’i ofruar klientit rehati dhe kursim të kohës pa pasur nevojë të shokj në tri lokacione të ndryshme për flokët, grimin dhe fustantet, lindi ideja që klientët t’i kenë të gjitha gjërat në një vend.

Telegrafi: Keni bashkëpunime me shumë yje të njohura të estradës vendore. Cili është raporti me ta dhe si keni arritur t’i tërhiqni drejt brendit tuaj?
Sellma: Raportet janë të mira me të gjithë dhe dominon respekti. Tërheqja ndodh me punë të mirë dhe të vullnetshme, por mbajtja e klientëve është ajo që bën diferencën.

Sellma dhe Anastasia Beverly Hills!

Telegrafi: Nuk kanë munguar as çmimet ndërkombëtare për ju, na flisni më shumë si u inspiruat të depërtoni në skenën ndërkombëtare dhe kush ju përkrahu në këtë rrugëtim?
Sellma: Si karakter jam një person që gjithmonë shoh përtej kutisë dhe luftoj ta tejkaloj veten. Depërtimi në skenën ndërkombëtare ka qenë fati, puna e pandalshme dhe ndjekja dhe krijimi i trendeve të reja. Pa dyshim që të gjithë të afërmit, familja dhe stafi im i mrekullueshëm kanë qenë në secilin hap me mua. Por, edhe mbështetja e klientëve të mi ishte e pa kursyer.

Telegrafi: Jeni parë me shumë artistë të famshëm ndërkombëtar të “make upit” të cilët punojnë me yje botërore. Na filsni pak për relacionin me ta, a vazhdoni të mbani kontaktet?
Sellma: Të takosh kolege me influencë si blogerja më e famshme HUDA Beauty, grimerin e Kylie Jenner, Ariel Tejada (makeupbyariel), krijuesen e brendit më të njohur për momentin në botë Anastasia Beverly Hills, e persona me influencë në botën e make upit si Amrezy me 5.3 milionë ndjekës, Vanity Makeup etj, të cilët mbështesin punën time dhe artin që bëj – është thjesht e pa përshkrueshme.

Grim i realizuar nga Sellma tek Huda

Vitin e kaluar kam qenë e ftuar në ngjarjen private të Anastasia Beverly Hills në Los Angeles, me të cilën u takova personalisht pas një bashkëpunimi shumëvjeçar për të cilën jam influencuese e brendit me çfarë nënkuptoj dërgimin e produkteve të reja ende pa u lansuar dhe mbështetjen e vazhdueshme nga ana e saj. Në ngjarje takova edhe shumë personalitete tjera me ndikim në botën e make upit dhe modës. Kimia ka qenë në momentin e parë të takimit, ku kemi diskutuar për industrinë e bukuris ënë botë dhe trended e fundit. Vazhdoj të mbaj kontaktet dhe respekti është i dyanshëm.

Sellma dhe Amrezy!

Telegrafi: A keni pasur oferta për të qenë make up artiste e yjeve ndërkombëtare?
Sellma: Kam pasur nderin të grimoj make up artisten dhe blogeren më të fuqishme të bukurisë në botë, HUDA Beauty e cila numëron 20.8 milionë ndjekës. Ajo më bëri ftesën për ta vizituar në Dubai dhe për të realizuar një video së bashku për kanalin e saj në YouTube dhe rrjetet sociale.

Telegrafi: Mes yjeve shqiptare në skenën ndërkombëtare, Rita Orës, Dua Lipës, Bebe Rexhës dhe Era Istrefit, cila besoni se ka “make upin” më të mirë dhe me cilat keni pasur deri tash mundësi të punoni?
Sellma: Nuk mund të zgjedh make upin më të mirë sepse këto yje të gjitha kanë stilin unik, janë shumë IN dhe po na bëjnë krenare me pamjen e tyre. Kam pasur nderin dhe kënaqësinë të punoj me Dua Lipën dhe Era Istrefin.

Ajo ka punuar me Dua Lipën dhe Era Istrefin!

Telegrafi: Studio Sellma nuk ka të ndalur. Sa punëtor numëroni dhe cilat janë produktet që i keni lansuar?
Sellma: Është një numër i madh i gimreve të cilat çdo dy muaj sigurohem t’iu tregoj dhe mësoj trended e reja nga të cilat inspirohem dhe në raste i krijoj. Produktet e lansuara deri më tani janë 4 lloje të qerpikeve, 5 lloje të buzë kuqeve të lëngshëm matt dhe 6 shkëlqyes buzësh. Risia e radhës ka qenë për sezonin veror, ku brendi Sellma lansoi një ngjyrë të re mat “Royal” dhe një shkëlqyes të ri të buzëve “Queen”, këto dy produkte të reja janë edicione njëra e limituar dhe njëra special, të cilat kanë 3-4 ditë që janë lansuar dhe kanë filluar të blehen shumë shpejt. Ky entuziazëm nga konsumatorët më bën të ndihem e lumtur dhe më jep vullnet të vazhdoj të sjell produkte të reja për vendin tonë dhe më gjerë.

Huda me produktet “Sellma”.

Telegrafi: Cila do të jetë risia e radhës nga ana juaj? Cili është hapi i ardhshëm i madh i Sellmës dhe a besoni se ka kufi për të arriturat tuaja?
Sellma: Gjëra të mira inovative sa i përket grimit për Kosovë dhe jashtë po vijnë të cilat nuk mund t’i zbatoj ende. Por, në vazhdim do të bëhen publike.

Më shumë rreth Sellmës:

SELLMA në Instagram: https://www.instagram.com/sellmakasumoviq/

SELLMA në Facebook: https://www.facebook.com/studiosellma/

/Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)