Selin 'e dinte' që do ta fitonte BBVA 5 - publikohet vizatimi që ajo kishte bërë në hotel para se të futej në shtëpinë e vëllait të madh

Balerina Selin Bollati ka rrëfyer për herë të parë pas finales së madhe të “Big Brother VIP Albania 5”, ku ajo u shpall fituese dhe u largua me çmimin e madh prej 100 mijë eurosh.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Selin ka treguar se, në një farë mënyre, “e dinte” që do ta fitonte këtë edicion, pasi e kishte manifestuar më herët këtë sukses.
Në studio u shfaq edhe një detaj interesant nga periudha para hyrjes së saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri: një vizatim që Selin kishte bërë gjatë qëndrimit në hotel, 48 orë para nisjes së spektaklit.
Siç dihet, para se të futen në format, banorët qëndrojnë të izoluar në hotel dhe, sipas rregullave, u jepet një formular për t’u plotësuar nga produksioni. Në fund të tij përfshihet edhe një pjesë ku banorëve u kërkohet një vizatim/ilustrim, që pasqyron mënyrën se si e imagjinojnë përvojën e tyre në reality show.
- YouTube youtu.be
Në atë vizatim, balerina me origjinë nga Kanina kishte paraqitur veten të hipur mbi një podium, në vendin e parë, ndërsa pas saj kishin qenë dy persona të tjerë në vendin e dytë dhe të tretë.
Ky moment u komentua në emision si një nga rastet kur manifestimi i suksesit “funksionon”, pasi në këtë rast Selin duket se e realizoi pikërisht atë që kishte “parashikuar” përmes vizatimit – duke u shpallur në fund fituese e “Big Brother VIP Albania 5”. /Telegrafi/






























































