LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu: Kushtëzimi i regjistrimit të automjetit është cenim i pronës

Sejdiu: Kushtëzimi i regjistrimit të automjetit është cenim i pronës

Anëtari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Korab Sejdiu, ka deklaruar se kushtëzimin e regjistrimit të automjetit dhe ndërrimit të pronarit me shlyerjen e gjobave të papaguara për kundërvajtje në trafikun rrugor, është cenim i pronës.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, në të cilën janë shqyrtuar rekomandime e Avokatit të Popullit në lidhje me kushtëzimin e regjistrimit të automjetit; Projektligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Projektligjin për Gjykatat etj.


Në këtë mbledhje u diskutua në lidhje me kushtëzimin e regjistrimit të automjetit dhe ndërrimit të pronarit, si dhe lidhur me shlyerjen e gjobave të papaguara për kundërvajtje në trafikun rrugor.

Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Ligji për automjete s’i takon Komisionit për Legjislacion, por Komisionit për Zhvillim Ekonomik. “Edhe ata janë duke u marrë me këtë çështje, por në rast se nuk arrijnë ta plotësojnë ndryshim plotësimin e ligjit atëherë ky komision do ta marrë nën përgjegjësinë e saj.Ne si komision nuk jemi kompetent për ligjin për automjete, është Komisioni për Zhvillim Ekonomik, duhet të adresohej atje edhe pse ju ka shkuar edhe atyre”, ka deklaruar Haxhiu.

Kurse, anëtari Hajdar Beqa, ka deklaruar se nëse Komisioni i Zhvillimit Ekonomik e përfundon ashtu siç duhet, atëherë nuk ka nevojë për ndërhyrje nga ana e këtij komisioni.

“Plotësim-ndryshimi nuk parasheh nenin 43 për kushtëzimet dhe kam sugjeruar që komisioni të bëjë amendament të veten dhe nëse na vjen ligji me ndryshime të iniciuar, nëse nuk ka arrite Komisioni për Zhvillim Ekonomik të marrim iniciativë komisioni ynë për ndryshim plotësim të ligjit nëse ata kanë arrite me plotësuar, atëherë është në rregull”, ka thënë Beqa.

Kurse, anëtari i këtij komisioni, Korab Sejdiu, ka deklaruar se ky është cenim i pronës për kushtëzimin e regjistrimit të automjetit dhe ndërrimit të pronarit me shlyerjen e gjobave të papaguara për kundërvajtje në trafikun rrugor.

“Avokati ka thënë se kjo është cenim i drejtës së pronës, duhet ta kundërshtojmë në këtë aspekt, çështja e kompensimit të paaftësive tona me i kry me punët tona po krijon probleme për qytetarët sikur gjobat eventuale nuk i jepen veturës, por personit dhe kompensimi i veturës nuk ka të bëjë asgjë me gjobë”, u shpreh Sejdiu. /Epoka e Re/ Telegrafi/