LAJMI I FUNDIT:

Sean Penn: Mosvaksinimi është njësoj sikur t’ia drejtosh dikujt armën në fytyrë

Sean Penn: Mosvaksinimi është njësoj sikur t’ia drejtosh dikujt armën në fytyrë
(Foto: NBC News)

Sean Penn konsideron se vaksinat kundër coronavirusit duhet të jenë të detyrueshme, duke e krahasuar mosvaksinimin me drejtimin e armës ndaj dikujt.

Gjatë fundjavës, aktori i famshëm konfirmoi për CNN se ishte larguar nga xhirimet e serialit “Gaslit”, sepse nuk ishte e obligueshme që të gjithë aktorët dhe anëtarët e ekipit të vaksinoheshin.


“Aktorët janë të mbrojtur, por nëse skenografi punon së bashku me një tjetër që nuk është i mbrojtur, ata mund të sëmuren. Unë nuk doja të isha bashkëpunëtor në diçka që do të thotë të kujdesesh vetëm për një grup, jo për të gjithë”, ka deklaruar Penn duke shtuar se beson që të gjithë duhet të vaksinohen.

“Duhet të jetë e detyrueshme, si ndezja e dritave në automjet gjatë natës, por padyshim që nuk do të ndodhë nesër, por megjithatë në botën e biznesit është duke iu kushtuar gjithnjë e më shumë vëmendje”, ka vënë në dukje aktori.

Ai ka theksuar sedo të kthehej në xhirimet e “Gaslit” kur të jetë i sigurt se “njëqind për qind e ekipit është vaksinuar”.

“Nuk mund të sillesh rreth e rrotull duke ia drejtuar armën dikujt në fytyrë, pikërisht kjo ndodh kur njerëzit janë të pavaksinuar”, është shprehur 61-vjeçari. /Telegrafi/