LAJMI I FUNDIT:

SBASHK-u: Kurti do protesta e greva, ia plotësojmë dëshirën në shtator

SBASHK-u: Kurti do protesta e greva, ia plotësojmë dëshirën në shtator
Rrahman Jasharaj gjatë një proteste në Prishtinë /Foto: Ridvan Slivova

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sot janë deklaruar rreth mundësisë së mbajtjes së protestave dhe grevave, ndërsa theksuan se kryeministri Albin Kurti i donë grevat dhe protestat dhe se këtë dëshirë do t’ia plotësojnë në shtator.

Në një komunikatë për media thuhet se SBASHK-u dhe sindikatat tjera në kuadër të BSPK-së kanë bërë gjithë angazhimet dhe nuk i kanë ndalur përpjekjet që kërkesat legjitime të anëtarësisë të gjejnë zgjedhje të pranueshme.

Lexoni të plotë reagimin:  

SBASHK- Kurti do protesta e greva, ia plotësojmë dëshirën në shtator

SBASHK-u dhe sindikatat tjera në kuadër të BSPK-së kanë bërë gjithë angazhimet dhe nuk i kanë ndalur përpjekjet që kërkesat legjitime të anëtarësisë të gjejnë zgjedhje të pranueshme.

Nga ana tjetër Kryeministri Kurti bashkë me ministra të Qeverisë së tij kanë vazhduar me qasjen e gabueshme ndaj sindikatave dhe i kanë ikur vazhdimisht dialogut. Duke u gjendur në këtë situatë e duke parë se Kryeministri Kurti nuk po qante kokën as pas letrave mbështetëse të ardhura nga kreu i Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës e as protestës me mbi 18.500 pjesëmarrës, po në të kundërtën nisi t’u jepte vërejtje e këshilla lidhur me sindikalizmin.

SBASHK-u dhe sindikatat tjera në kuadër të BSPK-së filluan me veprime sindikale duke organizuar protesta e duke mbajtur edhe grevë njëorëshe. As këto nuk i bënë përshtypje Kurtit e as Qeverisë së tij.

SBASHK-u duke respektuar zërin e anëtarësisë ishte i gatshëm të shkonte në grevën e përgjithshme në tërë sektorin e arsimit dhe këtë e prezantoi në takimet në kuadër të BSPK-së, por Ligji mbi grevat e obligonte të përdorej edhe mundësia e fundit në përpjekje për dialog duke angazhuar ndërmjetësuesin ligjor. Sindikatat e respektuan Ligjin dhe caktuan ndërmjetësuesin ligjor, i cili edhe bëri gjithë angazhimet brenda kompetencave ligjore të tij, por as kjo nuk i bëri përshtypje Kurtit dhe Qeverisë së tij dhe me këtë ata sikur nuk po duan dialog e qetësi sociale, po protesta e greva.

Duke u përballur me qasjen e tillë të Kurtit dhe Qeverisë që ka mbyllur hermetikisht dyert për dialog, SBASHK-u me keqardhje informon opinionin e gjerë se janë harxhuar të gjitha mjetet sindikale dhe nuk kemi as një fije shprese se Kryeministri do të ndryshoj qasjen dhe prandaj bazuar në Ligjin e grevave ne do të jemi të shtyrë t’ia plotësojmë dëshirën Kryeministrit dhe Qeverisë dhe shtatori, pa fajin tonë , shkollat nuk do t’i gjej me fillim të vitit shkollor e as me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, po me grevë të përgjithshme, që nga çerdhet e deri në Universitete.

Këtë nuk po e deklarojmë sa për të thënë diçka, por është vendim i Këshillit Drejtues dhe organeve tjera të SBASHK-ut, nëse deri në shtator nuk plotësohen kërkesat tashmë të njohura. /Telegrafi/