LAJMI I FUNDIT:

Samiti i G20-së: Të ruhet dialogu ekonomik

Samiti i G20-së: Të ruhet dialogu ekonomik

Ministrat e vendeve të 20 vendeve të industrializuara dhe në ekspansion, në takimin e tyre në Argjentinë bënë thirrje për ruajtjen e dialogut për të tejkaluar grindjet tregtare.

Ata pranuan në deklaratën e përbashkët pas takimit se rritja e tensioneve tregtare dhe gjeopolitike paraqet rrezik për rritjen ekonomike botërore. Kjo deklaratë e takimit, ende një draft që mund të revizionohet nga vende të ndryshme vëren se ekonomitë e vendeve në zhvillim janë më tepër të përgatitura për të përballuar lëkundjet nga jashtë, por ato ende kanë sfida në përballimin e paqëndrueshmërisë të tregut dhe lëkundjeve të kapitalit.


Në Samitin e krerëve të 20 vendeve të industrializuara dhe në ekspansion që u zhvillua në Argjentinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë sinjale për bisedime me Bashkimin Evropian dhe Japoninë, madje edhe për një marrëveshje të tregtisë së lirë.

Bashkimi Evropian ka vënë si kusht për negociata të reja tregtare heqjen e doganave për aluminin dhe çelikun para negociimit.

“Nuk negociojmë me psitoletë në gjoks”, ka thënë ministri francez i Financave, Bruno La Maire.

Bashkimi Evropian shpreson në zgjidhjen e konfliktit tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në tryezën e bisedimeve.

“Nuk besoj se do të kemi një shkallëzim në të ardhmen për doganat”, u shpreh Sekretari i Shtetit në Ministrinë austriake të Financave, Hubertus Fuchs.

Në Samit do të duhej të ishte në fokus e ardhmja e punës dhe përmirësimi i infrastrukturës. Por këto kaluan në hije, për shkak të grindjes së vazhdueshme së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kinën dhe Bashkimin Evropian për doganat ndëshkuese.

Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, kërkoi në kryeqytetin argjentinas ruajtjen e tregtisë së lirë në kuadër të grindjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Përfitimet në mirëqenie janë më të mëdha, kur ne kooperojmë”, tha politikani socialdemokrat në takimin e ministrave të Financave në Argjentinë.

Ai nuk e pranoi kritikën e amerikanëve për politikën tregtare të europianëve.

“Bashkimi Evropian zhvillon një politikë të arsyeshme. Ne nuk përpiqemi përmes barazimit së valutës të krijojmë avantazhe ekonomike”, tha ai.

Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christinë Lagarde, paralajmëroi shtetet e G20-së nga shkallëzimi i konfliktit tregtar.

“Në rastin më të keq kjo mund sjellë rënien e rritjes ekonomike botërore me 0.5 për qind”, tha ajo.

Për këtë ajo do t’i paraqesë ministrave një raport të posaçëm. Rritja më e pakët ekonomike, sipas vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar kërcënon të bëhet realitet, nëse zbatohen të gjitha doganat ndëshkuese amerikane dhe masat reciproke të vendeve përkatëse.

Që në fillim të takimit, Lagarde u shpreh se luftërat tregtare i shkaktojnë miliarda ekonomive popullore.

Edhe presidenti i Bankës Kombëtare Zvicerane, Thomas Jordan, i ftuar në samitin e G20-së u shpreh me shqetësim se “grindja tregtare mund të shkallëzohet më tej”.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, përforcoi edhe njëherë kërkesën e tij për shanse të drejta për vendin e tij në tregtinë me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qeveria në Uashington e ka ‘dëshirën për një marrëdhënie të balancuar’, e për këtë është e nevojshme të importohen më shumë produkte amerikane.

“Kina duhet të hape tregjet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim që ne të konkurrojmë drejt dhe të rrisim eksportet tona”, kërkoi Mnuchin.

“Nëse Kina nuk lëviz nga pozicionet e saj, atëherë kërcënimi i Presidentit Trump për të vendosur dogana ndëshkuese ndaj të gjitha produkteve kineze është një mundësi realiste”, paralajmëroi ai.

Edhe në drejtim të Evropës, Sekretari amerikan i Thesarit kishte mesazh të qartë.

“Nëse Evropa beson në tregtinë e lirë, atëherë ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë një marrëveshje tregtare pa dogana, pa kufizime dhe pa subvencione, por në këtë rast duhet të përmbushen ‘të tre kriteret’”, tha ai.

Por ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, u shpreh se pa heqjen e doganave ndëshkuese për çelikun dhe aluminin nuk do të ketë negociata për një marrëveshje tregtare. Në këtë pikë Gjermania dhe Franca janë të një mendimi.

“Ne presim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndërmarrin hapat e nevojshëm, për të dalë nga kjo luftë tregtare”, tha Le Maire.

Ai i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i kthehen arsyes e të respektojnë partnerët.

Vendet e G20-së përfaqësojnë 85 për qind të kapacitetit ekonomik botëror, dy të tretat e popullsisë botërore dhe lëvrojnë 75 për qind të tregtisë në botë. /DW/ Telegrafi/