0Shares

Believe in something. Even if it means sacrificing everything.

Beso në diçka. Edhe nëse kjo do të thotë se duhet të sakrifikosh gjithçka.

Në cilën do gjuhë, në cilin do shtet, nga të gjithë njerëzit anë e mbanë botës, pa dallim të racës, fesë e etnisë – mesazhi i tij është shumë i qartë.

Colin Kaepernick arriti të bashkojë botën, me sakrificën e tij. Atij i ndihmoi brendi më i njohur i veshjeve sportive, Nike, që e angazhoi si pjesë e 30 vjetorit të kampanjës “Just Do It”, edhe pse ai nuk është më pjesë e NFL (Ligës Kombëtare të Futbollit) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, pse duhej Nike, një brend i veshjeve sportive, të angazhojë për një prej fushatave kryesore, një sportist të përjashtuar nga NFL dhe aktiviteti i futbollit amerikan? Pikërisht, këtu fillon tregimi për të, për heroin e kohës moderne të një kauze klasike – për Colin Kapernick.

Kush është Colin Kaepernick?

Colin Kaepernick

Colin Kaepernick është futbollist amerikan, lojtar i pozitës “quarterback”. U lind më 3 nëntor 1987 nga nëna e tij e cila ishte e vetmuar, para se të adaptohej nga familja Kaepernick. Si fëmijë i adaptuar dhe i racës së përzier, ai gjithmonë është ballafaquar me paragjykimet e shoqërisë.

Aktualisht ai është agjent i lirë – nuk luan më në Ligën Kombëtare të Futbollit amerikan. Në fakt ai nuk luan që nga viti 2016. Deri atëherë ai ishte prej lojtarëve kryesorë të San Francisco 49ers, klub që e draftoi në vitin 2012 dhe që i dhuroi paraqitjen e parë në Super Bowl që nga viti 1994.

Në vitin 2016 karriera e tij mori kthesë tjetër, jo vetëm për të, por për gjithë botën. Gjatë interpretimit të himnit kombëtar të SHBA-ve para fillimit të ndeshjeve në NFL, ai vendosi që të gjunjëzohej dhe të mos ngritej në këmbë në shenjë proteste ndaj padrejtësisë racore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas vrasjes nga policia të njerëzve të armatosur që ishin me ngjyrë.

Momenti i kthesës – protesta e Kaepernick për të drejtat racore duke mos u ngritur në këmbë gjatë intonimit të himnit amerikan. Ai humbi kontratën dhe asnjë klub nuk nënshkroi më me të. Për të drejtat e barabarta njerëzore sakrifikoi karrierën e tij prej sportisti dhe jetën duke rrezikuar të mbetet edhe pa para, derias në skenë u shfaq Nike për ta angazhuar për sakrificën e tij.

Që nga ajo kohë pati reagime të shumta, sa negative, aq më shumë pozitive.

Ai u lirua nga kontrata prej klubit San Francisco 49ers në vitin 2016 dhe që prej asaj kohe asnjë klub më nuk ka nënshkruar me të, edhe pse ishte një prej lojtarëve më të mirë, pasi që NFL ndikoi te klubet që të mos e angazhojnë atë pas veprimit që sipas tyre poshtëroi gjithë Amerikën duke mos respektuar himnin kombëtar.

Në vitin 2017 Kapernick paditi NFL dhe pronarët e ligës duke i akuzuar për bllokim për të mos e angazhuar atë në sport.

Në vitin 2018, Amnesty International e shpërblen Kaerpenick me çmimin e Ambasadorit të Vetëdijësimit.

Nike dhe lëvizja sa e guximshme, aq edhe gjeniale

Më 4 shtator, Colin Kaepernick publikoi një foto me një mesazh që rrëmbeu gjithë botën… përveç racistëve dhe pseudo patriotëve përkrahës të Donald Trump.

“Beso në diçka. Edhe nëse kjo do të thotë të sakrifikosh gjithçka”, ishte mesazhi që jo vetëm përfaqësoi kauzën personale të Kaepernick, por kauzën për të cilën ai sakrifikoi karrierën e tij, diskriminimit racor dhe pabarazisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pikërisht ai, Colin Kaepernick u konfirmua si fytyrë e Nike për 30 vjetorin e kampanjës “Just Do It”, edhe pse ai më nuk është pjesëmarrës në sport.

Fushatës ju bashkuan edhe shumë yje të tjera nga të gjitha sferat që përkrahën këtë lëvizje të guximshme nga Nike për të angazhuar një sportist jo aktiv, për një kampanjë që do të përçonte një mesazh shumë të më gjerë se atë sportiv.

Krejt rastësisht, me një personazh jo aktiv në sport, ndryshe nga angazhimi i ndonjë superylli aktiv, Nike rrëmbeu gjithë vëmendjen për brendin me anë të Colin Kaepernick.

Shitjet online të Nike u rritën për 31 për qind pas fillimit të kampanjës, të cilën e përkrahën një numër i madh i yjeve nga fusha e sportit, muzikës dhe politikës.

Në kulmin e kritikave, Nike lansoi reklamën e plotë televizive me Colin Kaepernick e titulluar “Dream Crazy” – “Ëndërro Çmendurisht”.

“Të quash një ëndërr të çmendur nuk është ofendim. Është kompliment”, thotë mes tjerash Kaepernick në narracionin e tij në video reklamën e plotë ku shfaqen edhe yje si Serena Williams dhe LeBron James.

Kjo ishte një lëvizje gjatë e menduar nga Nike. Kaepernick u zbulua se nënshkroi me Niken pesë vjet më parë, por asnjëherë nuk u bë fytyrë e brendit sportiv, deri tani kur ishte momenti i duhur dhe kur edhe vet futbollisti e kuptoi arsyen e angazhimit të tij.

Shefi i marketingut te Nike, Aaron Goldman, thotë se Nike i ka bërë të gjitha hulumtimet e duhura kur e mori vendimin për të bërë lëvizjen me Colin Kaepernick.

“Pabarazia racore është një top brengë për këtë audiencë, bashkë me kauzat si uji i pijes dhe kontrolli i armëve”.

Colin Kaepernick gjatë një prej ndeshjeve të tij në futbollin amerikan (NFL) për San Francisco 49ers

“Duhet të jeni shumë të sigurtë se Nike ka bërë hulumtimet e veta dhe e di se çka do të çojë përpara produktin e vet dhe kush do të jenë njerëzit që do të rezonojnë me këtë kampanjë. Ata janë njerëzit të cilët Nike ka vendosur që të jenë konsumatorët e saj në të ardhmen, kështu që nëse të tjerët ofendohen, Nike e ka bërë këtë me plan dhe nuk i interesojnë reagimet negative”, u shpreh Goldman për MarketWatch.

Nike mund të thuhet qartë se rrezikoi me një kampanjë më të mprehtë në koncept, duke rifreskuar sloganin të vjetër tri dekada, “Just Do It”.

Është forma që pa dyshim Nike e ka kuptuar se është më e mira për të ngritur zërin në formë efektive në këtë industri, pavarësisht lidhjeve politike që po i bëhen.

Reagimet anti-Kaepernick të Trump dhe racistëve tjerë kundër Nike

“Ashtu sikurse NFL, vlerësimi i të cilës ka rënë krejt poshtë, edhe Nike po vritet nga hidhërimi dhe bojkoti”.

“Unë vërtet pyes veten se nëse kanë pasur ide se çka po bëjnë? E kam të vështirë të shikoj sërish NFL dhe gjithmonë do ta kem të vështirë, derisa ata të ngriten për FLAMURIN”, u shpreh Donald Trump në një prej reagimeve të shumta të tij kundër Kaepernick dhe Nike.

Është e vërtetë. Mijëra amerikanë dogjën vethëmbathjet e tyre të Nike në shenjë proteste ndaj brendit sportiv për angazhimin e Kaepernick në krye të fushatës së tyre, pasi që e konsiderojnë sportistin si ofendues të shtetit të Amerikës dhe mos respektues orinder të himnit kombëtar.

Shumë adhurues amerikanë të Nike dogjën veshëmbathjet e tyre pasi kuptuan se Kaepernick është imazhi i ri i brendit sportiv.

Përkundër kritikave dhe reagimeve të shumta, Nike vazhdoi me kampanjën dhe e përhapi atë në gjithë SHBA-në, duke publikuar imazhin mbresëlënës me mesazhin e Kaepernick në të gjitha pikat kryesore të shteteve më të mëdha.

Fushata e re e Nike prezente gjithandej nëpër SHBA

Aksionet e Nike shënaun rënie në ditën e parë për shkak të reagimeve zyrtare të presidentit, Donald Trump, i cili cilësohet si racist nga shumë organizata ndërkombëtare dhe shoqëria civile në SHBA, teksa shumica e publikut të gjerë po në SHBA janë fuqishëm në përkrahje të Kaepernick dhe kauzës së tij për barazi racore.

Guximtari dhe ëndërrimtari gjithmonë fitojnë…

Sakrifikoi karrierën e tij për një kauzë të shenjtë, u shpërblye nga Nike që theu rekorde falë tij. Ai ëndërroi çmendurisht. Nike pati guximin. Të gjithë fituan. Bota fitoi. 

Fuqia e këtij mesazhi do të mposhtë të gjitha reagimet negative dhe Nike, ashtu sikurse Kaepernick, e gjithë bota, janë fituesit e vërtetë, për një Amerikë, për një botë të barabartë për të gjitha racat, religjionet dhe dallimeve tjera ekzistojnë vetëm në mendjen e disa njerëzve, por jo në realitet mes njerëzve.

Sepse nuk ka ëndërr mjaft të çmendur sa të quhet e pamundur për kë do.

Sepse të gjithë mund të ëndërrojnë çmendurisht të lirë nga paragjykimet.

Ai ëndërroi çmendurisht. Nike pati guximin. Të gjithë fituan. Bota fitoi.

/Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)