Siç kemi raportuar më herët, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive të Amerikës, Anthony Fauci është shprehur tejet optimist se shumë shpejt do të arrihet të prodhohet një vaksinë kundër COVID-19.

Por, shtrohet pyetja se sa përparim është arritur në zhvillimin e një vaksine, raporton BBC.

Analizat nga korrespondenti i shëndetësisë së televizionit publik britanik, James Gallagher treguan se rreth 140 vaksina janë në zhvillim të hershëm dhe rreth dy duzina tashmë po testohen te njerëzit, transmeton Telegrafi.

Pas testimit të para të vaksinës së zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit rezultojnë se mund të krijojnë imunitet në trupin e njeriut dhe kjo ka bërë që Mbretëria e Bashkuara të nënshkruajë një marrëveshje me kompaninë farmaceutike, AstraZeneca për ta furnizuar me 100 milionë doza.

Të dhënat e para pas testimit të tetë pacientëve që morën pjesë në një hulumtim amerikan treguan se në trupin e tyre janë krijuar antitrupa që mund të neutralizojnë coronavirusin.

Një grup studiuesish në Kinë kanë ardhur në një përfundim fillestar se një vaksinë e krijuar prej tyre krijojnë antitrupa ndaj COVID-19. Ajo është duke u vënë në dispozicion të ushtrisë kineze. /Telegrafi/