Ruben Amorim afër ta marrë drejtimin e klubit që ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve

Ruben Amorim mund të rikthehet së shpejti në menaxhim, pas periudhës së vështirë te Manchester United. Trajneri portugez po përmendet si zëvendësues i Jose Mourinhos te Benfica, çka do t’i jepte mundësinë të rindërtojë reputacionin e tij në vendlindje.
Amorim është pranë rikthimit në bankinë, pasi u shkarkua nga Man Utd në janar. 41-vjeçari ka qenë pa punë që nga largimi nga “Old Trafford”, por tani po konsiderohet për të marrë drejtimin e Benficës, në rast se Mourinho largohet.
Sipas The Sun, gjiganti portugez e sheh Amorimin si kandidatin kryesor për ta marrë postin.
Pavarësisht vështirësive në Angli, reputacioni i tij në Portugali mbetet i lartë, falë një periudhe të suksesshme te Sporting Lisbona.
Ky vend vakant në “Estadio da Luz” ka ardhur sepse Mourinho, sipas raportimeve, pritet të transferohet te Real Madridi.

Si rrjedhojë, Benfica ka nisur planifikimin për sezonin e ardhshëm, me Amorimin që shihet si opsioni i preferuar për ta udhëhequr skuadrën.
Raportet sugjerojnë se Mourinho po përgatitet për një rikthim te Real Madridi, pasi e përfundoi sezonin e kampionatit pa humbje me Benficën.
Megjithatë, pavarësisht këtij bilanci, klubi e mbylli kampionatin në vendin e tretë dhe jashtë zonës që siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Pas më pak se një viti në krye në Lisbonë, Mourinho thuhet se është kontaktuar nga presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, për ta marrë drejtimin e gjigantit spanjoll.
Ky zhvillim pritet të shkaktojë një “zinxhir” ndryshimesh te trajnerët, që mund t’i hapë derën Amorimit për të marrë postin te Benfica./Telegrafi/



















































