Chelsea do të marrë një kompensim të madh financiar pas kalimit të Marescas te Man City

Manchester City ka vepruar me shpejtësi për të siguruar të ardhmen, duke i ofruar Enzo Marescës një kontratë trevjeçare për ta pasuar Pep Guardiolën, i cili pritet të largohet.
Trajneri italian, që u largua nga Chelsea më herët këtë vit, tashmë pritet të rikthehet në mënyrë sensacionale në “Etihad Stadium”. Megjithatë, ky emërim do të thotë se Chelsea është gati të përfitojë një tarifë të konsiderueshme kompensimi.
Manchester City po finalizon emërimin e Marescës si trajner i ri i ekipit të parë me një kontratë trevjeçare. Italiani është zgjedhur si pasuesi i Guardiolës, i cili pritet t’i japë fund një epoke legjendare 10-vjeçare në Manchester, të mbushur me trofe.
Ndërsa emërimi po shkon drejt përmbylljes, Chelsea pritet të marrë një paketë të rëndësishme kompensimi për ta zyrtarizuar marrëveshjen. Sipas talkSPORT, Chelsea po shqyrton edhe opsione ligjore nëse nuk arrihet një marrëveshje e përshtatshme.

Megjithatë, burime pranë Marescës dhe Manchester Cityt insistojnë se italiani do të mund ta nisë punën pavarësisht kësaj.
Gjatë kohës së tij në Londër, italiani kishte detyrim kontraktual t’i njoftonte drejtuesit e Chelseat për çdo interesim nga klubet rivale, dhe bëhet e ditur se ai i informoi “Blutë” për interesimin si nga City, ashtu edhe nga Juventusi.
Ky zbulim shkaktoi përplasje brenda hierarkisë së Chelseat, me bashkëpronarin Behdad Eghbali që la të kuptohet se arsyet e vërteta të largimit të trajnerit do të bëheshin të qarta me kalimin e kohës.
Ndërsa burime brenda Chelseat besojnë se Maresca u “tundua” nga mundësia për të marrë postin te City, në kampin e “Etihad” këmbëngulin se trajnerit nuk i është dhënë asnjë garanci vitin e kaluar./Telegrafi/


















































