Rrobaqepësi turk shfaq rrobat që ai dizajon duke transformuar batanije, qilima, tapete dhe perde tradicionale

Një rrobaqepës nga Ankaraja po tërheq vëmendjen me mënyrën unike se si i jep jetë të re materialeve tradicionale.
Ziya Pinarbasi, 34 vjeç, transformon batanije, qilima, tapete dhe perde të vjetra në veshje moderne, duke kombinuar stilin bashkëkohor me trashëgiminë kulturore.
Me mbi 20 vite përvojë në profesion dhe një dyqan në lagjen Kizilay, ai ka nisur këtë qasje kreative rreth dy vite më parë.

Përmes llogarisë së tij në rrjetet sociale, Ziya ndan dizajnet e tij me mijëra ndjekës, duke marrë reagime pozitive për idetë e riciklimit dhe modës së qëndrueshme.
Në një prononcim për Anadolu Agency, ai shpjegoi se frymëzimi i tij vjen nga kujtimet personale dhe sendet familjare.
Një nga krijimet e para ishte një jelek i bërë nga një batanije 30-vjeçare e fëmijërisë, që u prit me shumë interes nga publiku.

Ziya përdor gjithashtu materiale të trashëguara nga familja, si jastëkë të vjetër dhe pëlhura të qëndisura nga nëna dhe gjyshja e tij, duke i kthyer ato në këmisha, pallto dhe xhaketa.
Sipas tij, këto nuk janë thjesht copa pëlhure, por mbartin histori, emocione dhe identitet kulturor.

Ai shpesh i vesh vetë krijimet e tij në rrugë, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe duke marrë reagime që e motivojnë të vazhdojë.
Synimi i tij është që përmes modës të ruajë dhe promovojë vlerat tradicionale turke, duke i prezantuar ato edhe në skenën ndërkombëtare përmes sfilatave dhe projekteve artistike. /Telegrafi/



















































