Rregulli i ri pritet t’i ‘sakatojë’ futbollistët që mbulojnë gojën gjatë një grindjeje verbale me një kundërshtar

Bordi Ndërkombëtar i Federatës së Futbollit (IFAB) ka miratuar një rregull të ri sipas të cilit lojtarët mund të marrin një karton të kuq nëse mbulojnë gojën gjatë një konflikti verbal me një kundërshtar.
Vendimi u konfirmua unanimisht në një takim të mbajtur të martën në Vankuver dhe do të zbatohet që në Kampionatin Botëror të këtij viti, i cili fillon më 11 qershor.
FIFA propozoi ndryshimin pasi Vinicius Junior i Real Madridit akuzoi Gianluca Prestiannin e Benficas për një fyerje raciste, ndërsa mbulonte gojën me dorë gjatë një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve në shkurt.
UEFA javën e kaluar e pezulloi Prestianninn me gjashtë ndeshje për sulmin verbal, të cilin e quajti homofobik.
Nëse zgjidhet në skuadrën e Argjentinës për Kupën e Botës, Prestianni mund të humbasë dy ndeshjet e para të kampionëve në fuqi të botës për shkak të penalizimit, megjithëse ekziston mundësia e një apelimi.
“Me vendim të organizatorëve të garës, çdo lojtar që mbulon gojën në një përballje me një kundërshtar mund të sanksionohet me karton të kuq”, tha IFAB pas mbledhjes.
Organizata që përcakton rregullat e futbollit ndërkombëtar njoftoi gjithashtu në të njëjtën kohë se çdo lojtar që largohet nga fusha në shenjë proteste ndaj vendimit të gjyqtarit mund të marrë një karton të kuq. I njëjti rregull vlen edhe për anëtarët e stafit të trajnerëve nëse ata i inkurajojnë lojtarët të largohen nga fusha.
IFAB deklaroi se çdo ndryshim i rregullave do t'u komunikohet ekipeve kombëtare që do të garojnë në Kupën e Botës 2026, e cila zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. /Telegrafi/
























































