LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i reprezentuesit të parë shqiptar që luajti në çerekfinalen e LK, Berat Gjimshitit: Atalanta i tha të gjejë klub të ri, skuadrat që refuzoi, përballja me yjet e futbollit dhe pritja për t’u bërë baba

E nisi karrierën si talent i madh në Zvicër te Zurichu ku kaloi të gjitha grupmoshat dhe luajti për katër vite me ekipin e parë.

Berat Gjimshiti bëri hapin e madh në karrierë në janar të vitit 2016, duke nënshkruar me Atalantën, por ky nuk ishte viti më i mirë në karrierën e tij.

Në vitin 2016 mbrojtësi shqiptar nuk përjetoi gjërat më të mira në karrierë, pasi u la jashtë listës së Kombëtares së Shqipërisë për Kampionatin Evropian Euro 2016.

Gjithsesi ai vendim i trajnerit Gianni de Biasi duket se e ka forcuar edhe më shumë reprezentuesin shqiptar, pasi nga ai vit nisi ndryshimi i tij i madh.

U huazua në Avellino në Serie B, një vit më vonë ra nga Serie A me Benventon, por nga viti 2018, ai është bërë njërin nga më të mirët te Atalanta.

Berat Gjimshiti e ka përmbyllur një edicion të jashtëzakonshëm me Atalantën, pasi është bërë reprezentuesi i parë shqiptar që luan në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.

Mbrojtësi shqiptar vjen me një rrëfim ekskluziv për Telegrafin, ku flet për arritjen e tij më të madhe në karrierë deri më tani, duke luajtur në Ligën e Kampionëve.

“Të luaj në Ligën e Kampionëve ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme për mua, por problemi i vetëm mund të them se ishin këto ndeshjet e fundit pa tifozë dhe i humbte ajo bukuria e kësaj gare prestigjioze”, tha fillimisht Gjimshiti për Telegrafin.

Berat Gjimshiti (Foto: Rafael Marchante/Pool via Getty Images)

Gjatë këtij edicioni në garën më të madhe evropiane për klube, mbrojtësi shqiptar është përballur me emra të mëdhenj si Neymar, Sergio Aguero, Raheem Sterling, Mauro Icardi, Gabriel Jesus apo Rodrigo.

Reprezentuesi shqiptar thotë se është nder për të të përballet me kësi lojtarë, ndërsa shton se kjo tregon edhe rritjen e tij përderisa luan përballë emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.

“Janë emocione të mëdha kur e sheh që përballë ke emra të mëdhenj, por janë një tregues se edhe ti ke ardhur në atë pozitë përderisa luan ndaj tyre”, vazhdoi tutje Gjimshiti.

Lojtarët e Atalantas (Foto: Rafael Marchante/Pool via Getty Images)

27-vjeçari flet për të gjitha, fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve, kalimin në raundin e eliminimit direkt, momentet më të vështira te klubi italian si dhe për fund që është duke pritur të bëhet baba.

Faza e grupeve dhe shtatë pikë radhazi të fituara

Atalanta nuk e nisi aspak mirë edicionin debutues në Ligën e Kampionëve, pasi pësoi tri humbje radhazi dhe shumëkush mendoi se do të jenë vetëm ‘turistë’ në këtë garë prestigjioze.

Por pas tri humbjeve të njëpasnjëshme, bergamaskët fituan shtatë pikë duke kaluar grupin.

Berat Gjimshiti vs Phil Foden (Foto: Jan Kruger/Getty Images/Guliver)

“Në fillim kemi pasur shumë probleme, pasi mendoj se ka ndikuar mungesa e përvojës. Jemi dëshpëruar shumë kur e kemi humbur ndeshjen e parë 4-0, por nuk e kemi ulur kokën për tu dorëzuar edhe pse pësuam në tri takime radhazi”.

“Në momentin që barazuam me Manchester Cityn në shtëpi e pamë se kemi rast për ta kaluar grupin dhe pasi morëm dy fitore të tjera e arritëm një gjë të tillë, që ishte sukses historik për Atalantën”.

Gjimshiti: Kemi pritur fitore ndaj Valencias

Pas kalimit të grupit që ishte sukses historik për klubin italian, Atalanta në 1/8 e finales u përballë me skuadrën spanjolle Valencia, ekip që ka marrë pjesë rregullisht në Ligën e Kampionëve, madje dy herë ka qenë në finale të saj.

Por futbollistët e Atalantës i janë gëzuar këtij shorti, pasi loja që aplikon klubi spanjoll i shkon për shtati atyre.

“Jemi gëzuar që na ra Valencia në short, pasi e kemi ditur që loja e tyre defensive na përshtatet ne si klub. E dinim se nëse e fitojmë topin do të krijonim shumë raste dhe kemi bërë dy ndeshje të jashtëzakonshme ndaj tyre”, vazhdoi Gjimshiti.

Valencia – Atalanta (Foto: UEFA – Handout via Getty Images/Guliver)

Atalanta tregoi fuqi absolute ndaj Valencias, pasi fitoi të dyja takimet duke shënuar nga katër gola.

Në ndeshjen e parë në Itali, bergamaskët triumfuan me rezultat 4-1, teksa në të kthimit morën fitore me rezultat 3-4.

“Në dy takime i kemi shënuar tetë gola ndaj tyre dhe kjo tregon se sa mirë kemi bërë. Nuk është pak t’i shënosh tetë gola në dy takime në Ligën e Kampionëve dhe jemi të lumtur që e kemi arritur një gjë të tillë”, tha Gjimshiti.

Ndeshja çerekfinale me Parisin, trajneri e largoi nga ndeshja për shkak të kartonit të verdhë

Pas spektaklit që dhuruan bergamaskët gjatë edicionit të fundit, u krijua një përshtypje se ata do t’i shkaktonin telashe të mëdha Parisit.

Ashtu edhe ndodhi, edhe përkundër mungesave si Josip Ilicic dhe portierin Gollini.

Atalanta ishte duke udhëhequr 1-0 nga minuta e 26 deri në fund, kur PSG shënoi dy gola të shpejtë pas minutës së 90-të për të kaluar në gjysmëfinale.

“Mungesa e Josip Ilicic është vërejtur jashtëzakonisht shumë, pasi pa të nuk kemi krijuar aq shumë raste as në Serie A dhe as në ndeshjen me Parisin. Sa i përket portierit, mendoj që nuk është vërejtur shumë pasi Sportiello ka bërë një ndeshje të madhe”, tha Gjimshiti.

Mbrojtësi shqiptar thotë se kanë bërë lojë të mirë me PSG-në dhe është ndier shumë keq me eliminimin, pasi edhe nuk ishte në fushë pas minutës së 60-të.

“Kemi bërë ndeshje shumë të mirë, por mëkat që humbën. U ndjeva shumë keq me eliminim pasi edhe nuk isha në fushë dhe nuk kisha se si t’i ndihmoja shokët e skuadrës”.

“Më mirë të kishim humbur tre apo katër zero nga fillimi i ndeshjes se sa të humbasim ashtu në fund duke pësuar dy gola. Ka qenë një eliminim i dhimbshëm”, deklaroi mbrojtësi nga Tërrnoci.

Gjimshiti është i bindur se nëse do ta kalonin edhe Parisin, atëherë skuadra e tij nuk do të frikësohej nga asnjë kundërshtar.

“Ne kemi luajtur pa frikë ndaj të gjithë kundërshtarëve. Sikur ta kalonim PSG-në nuk do të kishim frikë sikur të përballeshim edhe me Bayernin apo cilëndo tjetër skuadër”, vazhdoi mbrojtësi shqiptar.

27-vjeçari u largua nga ndeshja pas një ore lojë dhe ekskluzivisht për Telegrafin zbulon edhe arsyejen pse e largoi trajneri Gasperini.

Ai ishte ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 37-të dhe trajneri italian duke menduar për gjysmëfinalen e largoi atë nga ndeshja pasi rrezikonte ta merrte kartonin e dytë të verdhë dhe të përjashtohej.

“Zëvendësimi erdhi shkaku i kartonit të verdh që e kisha nga pjesa e parë”.

“Trajneri më tha të kem kujdes pasi u ndëshkova pasi kishim të bënim me lojtarë shumë të shpejtë”.

“Në momentin e inkuadrimit të Mbappes në lojë, atëherë trajneri më zëvendësoi pasi më tha se nuk donte të më humbiste për në gjysmëfinale në rast se kalonim tutje”.

“Gasperini e dinte se përballë kisha emra të mëdhenj si Mbappe e Neymar të cilët do të provonin të luanin nga ana ime pasi kisha kartonë dhe ka qenë rrezik të ndëshkohem. Kjo ishte arsyeja që u zëvendësova në këtë takim”, u shpreh mbrojtësi shqiptar.

Për një moment iu afruan edhe titullit të kampionit në Serie A

Atalanta ka qenë befasia e këtij edicioni edhe në kampionatin italian Serie A.

Skuadra e udhëhequr nga trajneri Gasperini për një moment ishte shumë afër edhe titullit të kampionit.

Zikaltërtit e mbyllën kampionatin në vendin e tretë me 78 pikë, pesë më pak se kampioni Juventus.

“Nuk kemi menduar shumë për titullin, por nëse do ta fitonim atë ndeshje me Juventusin (2-2) në Torino atëherë kemi pasur gjasa, por Ronaldo na hoqi fitoren nga dora me një penallti të shënuar në minutën e 90-të”.

Pamje nga ndeshja (Foto: Marco Rosi – SS Lazio/Getty Images)

“Nëse do ta fitonim atë takim do të kishim mundur të bëjmë befasinë dhe ta arrijmë titullin, por ajo ka shkuar tani dhe mendojmë për sezonin e ri”.

“Gjithsesi ka qenë një sezon shumë i suksesshëm për ne si klub, pasi kemi arritur që për të dytin vit radhazi të futemi në Ligën e Kampionëve dhe ky ka qenë objektivi i klubit”, tha Gjimshiti.

Festa e Berat Gjimshitit në golin ndaj Sassolos (Foto: Claudio Villa/Getty Images/Guliver)

Atalanta e mbylli sezonin 2019/2020 në vendin e tretë në Serie A, ndërsa ishte skuadra me sulmin më të mirë në kampionat ku shënuan plot 98 gola.

Nga 98 golat e shënuar në kampionat prej Atalantës, dy prej tyre u realizuan nga Gjimshiti i cili arriti t’i shënonte Veronës dhe Sassuolos.

Në vitin 2018 Atalanta e largoi nga faza përgatitore, iu kërkua të gjente skuadër të re

Berat Gjimshiti iu bashkua Atalantës në janarin e vitit 2016, teksa në atë edicion zhvilloi vetëm tri takime me fanellën e Atalantës.

Në edicionin tjetër, mbrojtësi shqiptar luajti si i huazuar te Avellino në Serie B, ku pati paraqitje fantastike.

Në vitin 2017 përsëri nuk kishte hapësirë për të te Atalanta dhe u huazua te Benevento në Serie a, ku përsëri lojtari shqiptar bëri ndeshje të mira.

Berat Gjimshiti te Benevento Calcio. (Photo by Francesco Pecoraro/Getty Images)

“Ajo që kam përjetuar në karrierën time më ka forcuar jashtëzakonisht shumë si njeri, por edhe si futbollist”, thotë Gjimshiti.

“Jam rritur shumë edhe në anën psikike, pasi kam parë shumë shpejtë që një futbollist rritet dhe bie nga forma edhe më shpejtë”.

Në vitin 2018 kur u rikthye nga huazimi prej Beneventos, Gjimshiti mendonte se do të kishte rast te Atalanta, pasi kishte bërë tanimë eksperiencë në Serie A.

Ai ishte afër familjes në Zurich, kur drejtori sportiv i Atalantës e merr në telefon dhe i jep një lajm të hidhur.

Remo Freuler dhe Berat Gjimshiti (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

“Isha në Zurich afër familjes për pushime, kur drejtori sportiv më thërret dhe më thotë se nuk kam vend te Atalanta dhe mos t’i bashkohem klubit në fazën përgatitore. Ai më tha se duhej të gjeja një skuadër të re”, tha Gjimshiti.

Gjimshiti i shqetësuar për këtë sjellje të klubit po qëndronte në Zurich, teksa po shikonte alternativat tjera, por atij pas një jave i vije përsëri një telefonatë nga Bergamo.

“Ishte menaxheri i skuadrës që po më thërret dhe më thotë që të t’i bashkohesha klubit në fazën përgatitore, teksa unë i thash si ka mundësi kjo, nuk do të bëhet pasi drejtori sportiv më ka thënë se nuk jam në plane. Të them të drejtën nuk i besova dhe i thash të më telefononte drejtori sportiv për të ma thënë këtë vendim”.

“Pas disa çasteve më ka telefonuar drejtori sportiv duke më thënë se duhet të nisem menjëherë nga Zurichu për t’iu bashkuar skuadrës, pasi ishte lënduar një mbrojtës dhe unë duhej të shkoja”.

“Kam marrë telefonin dhe kam biseduar me menaxherin duke i thënë se si të shkojë tek një klub që nuk më duan, ndërsa ai tha se duhet ta respektojë vendimin e klubit pasi jam nën kontratë me ta. Kjo ka bërë që të marrë rrugën dhe t’i bashkohem Atalantës në fazën përgatitore”, vazhdoi tutje rrëfimin e tij Gjimshiti për Telegrafin.

Me t’iu bashkuar klubit ai është pritur nga trajneri Gasperini, i cili i tha se duhej të ushtrohej fortë.

“Kam shkuar në klub dhe jam takuar me trajnerin Gasperini. Ai më tha të ushtrojë shumë dhe mendoj se erdhi rasti pasi pa seriozitetin tim dhe kualitetin në stërvitje”, vazhdoi Gjimshiti.

Refuzoi disa skuadra për të qëndruar te Atalanta

Duke parë se kishin probleme në mbrojtje, Atalanta i dha rastin Gjimshitit dhe ai nuk e humbi më asnjëherë vendin e titullarit.

Sot Gjimshiti është mbrojtës i padiskutueshëm për trajnerin Gasperini në repartin defensivë, teksa Atalanta kishte refuzuar disa oferta për të.

Ekskluzivisht për Telegrafin, mbrojtësi shqiptar tregon që ka refuzuar ekipe të mëdha si gjiganti turk Besiktas apo ai rus Krasnodar, por edhe disa skuadra italiane.

Berat Gjimshiti. (Photo by Robbie Jay Barratt – AMA/Getty Images)

“Më së afërmi kam qenë të transferohem te Besiktas dhe Krasnodar, dy skuadra që më kërkonin me ngulm”.

“Ka pasur shumë oferta edhe nga skuadrat italiane, por për momentin më kujtohen Sassuolo dhe Sampdoria”, deklaroi Gjimshiti.

Bergamaskët nuk lejonin largimin e mbrojtësit, pasi ai ishte bërë njëri nga më të dashurit për trajnerin Gasperini i cili nuk e largonte nga formacioni.

E sa i përket të ardhmes, Gjimshiti thotë se është i lumtur në Bergamo pasi edhe ka kontratë dhe po luan në nivele të larta.

Berat Gjimshiti. (Photo by Simon Stacpoole/Offside/Offside via Getty Images)

“Për momentin jam shumë i lumtur te Atalanta. Nuk kam folur fare me menaxherin për klubet e interesuara”.

“Me Atalantën përsëri do të luajm në Ligën e Kampionëve, kam kontratë dhe dua të vazhdoj aty. Edhe klubi është shumë i qartë që nuk dëshiron të më largojë”.

“Gjithsesi asnjë futbollist nuk mund të garantojë për të ardhmen pasi është e paparashikueshme, por momentalisht krejt çfarë mund të them është se nuk dua të lëvizi”, tha qendërmbrojtësi.

E shënoi golin më të rëndësishëm në karrierë, po pret të bëhet baba

Gjimshiti është duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme në fushë, por edhe jashtë fushës.

Mbrojtësi shqiptar po i kalon për herë të fundit pushimet i vetëm me gruan e tij Alisa Gjimshiti.

Nga viti i tjetër, ky çift i mrekullueshëm do të bëhen prindër, pasi Alisa është shtatzënë dhe në pritje të një fëmije.

View this post on Instagram

♥️☮️🧿

A post shared by Djimsiti Gjimshiti Berat (@djimsitiberat) on Dec 28, 2019 at 10:59am PST

Berati ka shënuar golin më të rëndësishëm në jetë, pasi tani thotë se ka ndryshuar shumë përderisa po pret të bëhet baba.

“Jemi duke pritur një fëmijë dhe jemi shumë të lumtur me gruan që do të bëhemi prindër”.

“Lajmi se do të bëhem baba më ka ndryshuar shumë, pasi tani po mendojë ndryshe, mendojë gjithmonë për tre persona, për vete, gruan dhe beben”.

Gjimshiti thotë se pritja të bëhet baba është një motiv shtesë si në karrierë ashtu edhe në jetë, teksa dëshiron të jetë një baba shembull.

“Kam një motiv më të madh tani si në karrierë ashtu edhe në jetë për suksese të reja. Dua të jem një baba shembull për ta rritur fëmijën tim me gjitha të mirat”, u shpreh mbrojtësi shqiptar.

Foto ekskluzive nga shtatzania e Alizia Gjimshitit

Ai nuk zbuloi gjininë e bebes që po e presin, teksa e rëndësishme për të është të shkojë gjithçka mirë dhe fëmija të jetë me shëndet.

“Nuk e zbuloj dot gjininë pasi e dimë vetëm unë dhe gruaja, por e rëndësishme është që beba të jetë me shëndet të mirë”, përfundoi mbrojtësi shqiptar. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Lojtari i Arsenalit merr një 'kontratë rekord' që nuk është parë më parë në Emirates

Lojtari i Arsenalit merr një 'kontratë rekord' që nuk është parë më parë në Emirates

Premier League
Për tre muaj, 50 baste: Publikohet videoja ku Tonali mezi pret të ndëshkohet me karton të verdhë

Për tre muaj, 50 baste: Publikohet videoja ku Tonali mezi pret të ndëshkohet me karton të verdhë

Premier League
Liverpooli heq dorë nga Xabi Alonso, Klopp do të pasohet nga 39-vjeçari pak i njohur

Liverpooli heq dorë nga Xabi Alonso, Klopp do të pasohet nga 39-vjeçari pak i njohur

Premier League
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Barcelona mund të marrë një shifër të konsiderueshme nga Man Utd këtë verë

Barcelona mund të marrë një shifër të konsiderueshme nga Man Utd këtë verë

Ndërkombëtare
Zbulohet emri i vërtetë i Kylian Mbappes - ka lënë të shokuar fansat e tij

Zbulohet emri i vërtetë i Kylian Mbappes - ka lënë të shokuar fansat e tij

Ligue 1
Kalo në kategori