Asistimi dhe paraqitja e mirë e Amir Rrahmanit nuk i ndihmoi Napolit ndaj Comos

Amir Rrahmani ka regjistruar një asistim në humbjen e Napolit ndaj Comos, me skuadrën nga mysafire që triumfoi 2-1 të dielën mbrëma në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Ndeshja, e vlefshme për xhiron e dytë të Serie A, i pati të tre golat në pjesën e parë.
Kapiteni i Kosovës e kompletoi të gjithë ndeshjen dhe pati rol direkt në golin e barazimit të Napolit. Rrahmani asistoi në minutën e 30-të për Rasmus Hojlund, i cili shënoi për 1-1.
Megjithatë, Como arriti ta rikthejë epërsinë dhe në fund mori tri pikët falë golave të Martin Baturinës dhe Anastasios Douvikas.

Pavarësisht humbjes, Rrahmani ishte një nga lojtarët më të dalluar të Napolit. Sipas “SofaScore”, mbrojtësi kosovar u vlerësua me notën 7.2, më të lartën te skuadra napolitane në këtë përballje.
Rrahmani pati 89 prekje të topit, realizoi 5 pasime të sakta të gjata, regjistroi 5 spastrime dhe fitoi 6 duele, duke qenë veçanërisht i rëndësishëm në fazën defensive.
Pas dy xhirove, Napoli ka grumbulluar tri pikë, ndërsa Como ka katër pikë. /Telegrafi/












































