LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi që modeloi botën: Pse 1984 mund të jetë sot?

Rrëfimi që modeloi botën: Pse 1984 mund të jetë sot?

Publiku anembanë botës njerëzit po e rilexojnë veprën “1984”, të George Orwellit, që është “doracak për kohë të vështira”, shkruan Jean Seaton, transmeton Telegrafi.

Akoma është nxitës leximi i 1984-shit, i fabulës klaustrofobike të totalitarizmit të George Orwellit. Së pari vjen njohja: e njohim atë që ai e përshkruan. Dymendimi (Doublethink – dy mendime kontradiktore në të njëjtën kohë – v.j.), Njuzpiku (Newspeak – gjuha e krijuar nga sistemi- v.j.), Policia Mendimit, Ministria e Dashurisë që merret me dhimbjet, dëshpërimin dhe asgjësimin e çdo disidenti, Ministria e Paqes që bën luftë, makinat e shkrimit të romaneve (që automatikisht krijojnë tregim- v.j.) që nxjerrin pornografi për ta blerë masat: Orwell na hapi sytë për mënyrën se si funksiononin regjimet.

Por, tani mund të lexojmë 1984-shin ndryshe: me një ankth të frikshëm, duke e përdorur si matës për të ditur se ku ne, kombet dhe bota, gjendemi në hartën e rrugës drejtë Ferrit të cilin Orwell e përshkroi. Profetike? Ndoshta. Energjike, nxitëse, kreative, e pamohueshme dhe e dobishme? Po. Një libër i botuar më 8 qershor 1949, i shkruar nga peizazhi i rrahur nga lufta totale, në një komb të uritur, të lodhur dhe të përhitur, ndjehet sot më i rëndësishëm se kurrë më parë, sepse 1984-shi i Orwellit po ashtu na armatos.

Libri me frazën e parë çorientuese, “Ishte një ditë e ftohtë e ndritshme në prill dhe orët po goditnin trembëdhjetëshin”, përcakton karakteristikat e veçanta të tiranisë moderne. Protagonisti Winston Smith punon si censor në Ministrinë e së Vërtetës me një përditësim të vazhdueshëm të historisë, për t’iu përshtatur rrethanave aktuale dhe ndryshimit të aleancave. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij, si një kolektiv masiv kontrollohen nga prania gjithëpërfshirëse dhe e gjithëdijshme e Vëllait të Madh (Big Brother). Te 1984-shi, ekranet televizive të shikojnë dhe secili spiunon tjetrin. Sot është media sociale ajo që përmbledh çdo veprim, porosi, e koment që bëjmë në internet, ndërsa përfaqëson një prani të gjithëdijshme në jetën tonë sa që mund të parashikojë çdo preferencë që kemi. Modeli i zgjedhjeve së konsumatorit ku përdoruesi është malli që tregtohet, dhe përdorimi i këtyre preferencave për fushatat politike, tani po e shtrembëron demokracinë.

Orwelli e kuptoi se regjimet shtypëse gjithmonë kanë nevojë për armiq. 1984-shi tregon se si ato mund të krijohen në mënyrë arbitrare, duke ngatërruar ndjenjën popullore përmes propagandës. Por, në përshkrimin e tij te “Urrejtja Dyminutëshe” (koha ditore kur duhej parë film që shfaqte armiqtë e Partisë – v.j.) parashikoi gjithashtu mënyrën se si veprojnë turmat në internet. Të detyruar të shikojnë filmin e dhunshëm (siç është secili), Winston Smith vëren: “Gjëja e tmerrshme për ‘Urrejtjen dyminutëshe’ nuk ishte se ishe i detyruar të veproje sipas udhëzimit, por që ishte e pamundur të shmangie këtë. Një ekstazë e shëmtuar e frikës dhe hakmarrjes, dëshirës për të vrarë, për të torturuar, për të goditur fytyrën me çekan, dukej se po kalonte nëpër tërë grupin e njerëzve si një rrymë elektrike”. Tani, organizatat politike, fetare dhe komerciale, që të gjitha tregtojnë duke luajtur me ndjenjat. Orwelli zbuloi marrëveshjen e gatshme në urrejtje që lëvizjet e tilla mund të shkaktojnë: dhe, natyrisht, Winston e vëren atë te vetvetja. Pra, edhe ne në veten tonë.

Pastaj është diktatori ikonik i Orwellit, Vëllai i Madh: absurd dhe po aq i tmerrshëm. Shkrimi i Orwellit është i rrënjosur në betejat midis “-izmave” gjigande që shpërfytyruan shekullin e XX-të. Ai luftoi kundër fashizmit si një vullnetar në Luftën Civile Spanjolle (duke besuar se pacifizmi ishte një luks i paguar nga njerëzit tjerë), por e kuptoi premtimin bosh të komunizmit kur grupi antistalinist për të cilin po luftonte ndiqej nga fraksioni pro-Stalin. Ai ishte dëshmitar i vetëmashtrimit të besimtarëve të vërtetë. Sot ka një grup tjetër ‘-izmash’, të tilla si nacionalizmi dhe populizmi, të cilët veprojnë nëpërmjet mobilizimit të ndjenjave më të rrezikshme – pakënaqësisë. Dhe, kudo që shikoni në botën bashkëkohore, burrat “e fortë” janë në pushtet. Ata kanë nevojë për të shtypur opozitën, në një terror fanatik të refuzimit dhe vetëpromovimit. Vëllezërit e Mëdhenj nuk janë më shaka, por po e kapardisin botën.

Por, tmerri më i madh në distopinë e Orwellit është heqja sistematike e kuptimit nga gjuha. Regjimi synon të çrrënjosë fjalët, idetë dhe ndjenjat që ato mishërojnë. Armiku i vërtetë është realiteti. Tiranitë përpiqen të kuptojnë botën e vërtetë të pamundur: duke kërkuar ta zëvendësojnë me fantazma dhe gënjeshtra. Akti i parë i guximshëm i mospajtimit të Winston Smithit ishte të fshihej nga të gjitha kamerat përgjuese dhe të shkruante një ditar – për të përshkruar pikëpamjet e tij për veten dhe botën e tij të brendshme. Ai e di se shkrimi dhe përshkrimi e shënjon me dënimin me vdekje nëse ai zbulohet. Kur në fund thyhet nga tortura, pajtohet që “dy plus dy janë baras me pesë”. Ai zbulon se ata vërtet mund të “hyjnë brenda jush”.

Terrori i 1984-shit është asgjësimi i vetes dhe shkatërrimi i aftësisë për të njohur botën reale. Nuk ka relativizëm apo rastësi në punën e Orwellit: ai e kupton se sa e vështirë është që gjërat të bëhen si duhet. Sidoqoftë, kjo histori paraqet terrorin e botës ku njerëzit kanë pak e më pak fjalë për të përdorur dhe ku mendimi shtrembërohet nga ideologjitë.

Në të gjithë botën ku ka tirani, 1984-shi është i ndaluar, por natyrisht përhapet fshehurazi. Shitjet janë rritur gjithashtu në vendet e njohura me demokraci të qëndrueshme. Në Indi dhe në Mbretërinë e Bashkuar, në Kinë dhe në Poloni, njerëzit po i kthehen 1984-shit. Në SHBA shitjet u rritën teksa njerëzit kërkonin një mënyrë për të kapur realitetin e administratës së Trumpit.

Nuk mund ta ndani punën e Orwellit nga njeriu. Ai shihet gjithnjë e më shumë si një shenjtor, por i tillë që qesh me statujat e atyre që mbijnë nga lart. Pikëpamjet e tij ndaj feministëve (edhe pse jo grave), vegjetarianëve dhe grupeve tjera vështirë se kalojnë sot. Por, ishte një njeri që jetonte sipas bindjeve të tij. Ai e bëri veten vërtetë të varfër; luftoi për atë që mendonte se ishte e drejtë; ishte pafundësisht bujar dhe i sjellshëm me shkrimtarët tjerë, dhe megjithatë e mësoi veten të përpiqej të shihte botën ashtu siç ishte e jo ashtu siç do të donte të ishte.

Nuk është se ne jetojmë në një botë të transformuar nga njohuritë e Orwellit që modeluan mënyrën se si ne e shohim shtypjen. Por, 1984 është doracak për kohë të vështira. Dituria është një lloj fuqie dhe ne të gjithë jemi duke u testuar. /Telegrafi/