LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi për lundrimin e parë të pasagjerëve rreth botës që u bë 100 vjet më parë

Rrëfimi për lundrimin e parë të pasagjerëve rreth botës që u bë 100 vjet më parë

Më 30 mars të vitit 1923, saktësisht 100 vjet më parë, anija e parë me pasagjerë u kthye në qytetin e New Yorkut pasi përfundoi një udhëtim 130-ditor anembanë botës.

Ky udhëtim gjashtëmujor ishte i pari i këtij lloji dhe duke i hapur rrugën lundrimeve të sotme turistike, ka përshkuar destinacione si Japoninë, Singaporin, Egjiptin dhe Indinë gjersa ka kaluar edhe nëpër kanalet e Suezit dhe Panamasë. Udhëtimi u zhvillua me SS Laconia, anije pasagjerësh e kompanisë Cunard, të cilin e kishte marrë me qira kompania American Express.


Në SS Laconia ishin edhe dy motra njëzetvjeçare, Eleanor dhe Claudia Phelps. Ato ishin të emocionuara për udhëtimin teksa Laconia u largua nga porti më 21 nëntor të vitit 1922, gjatë ditëve në vijim ato shkrepën shumë fotografi dhe morën shënime të shumta, raporton cnn.

Ndërsa Claudia shqetësohej se mbajtja e ditarit do t’i shkaktonte probleme gjatë rrugëtimit për në San Francisco – qyteti kalifornian është vetëm ndalesa e dytë e Laconias – në fund të fundit, ajo dhe Eleanor mbajtën regjistrat e tyre të udhëtimit përgjatë aventurës 130-ditore.

Ndërsa Laconia lëvizte rreth globit, Eleanor dhe Claudia, të cilët po udhëtonin me nënën e tyre, shkruanin memoare, mblodhën suvenire ndërsa fotografitë i ngjitnin në ditarët e tyre të lidhur me lëkurë, transmeton Telegrafi.

Sot, koleksioni i motrave Phelps, i cili përfshin ditarët e tyre të udhëtimit, fotografitë dhe pamje filmike, është në pronësi të Universitetit të Karolinës së Jugut.

Në faqen e fundit të regjistrit të saj të udhëtimeve, Eleanor u përpoq të përmblidhte të gjithë përvojën, por ndjeu se duhet të shkruante shkurt, “si mund të arrihet në një përfundim ose të shprehet një mendim për botën siç e pashë në 130 ditë?”.

Epokë e re e udhëtimeve

Ndërsa Laconia u ndërtua për të akomoduar rreth 2200 pasagjerë, American Express kufizoi numrin e pasagjerëve në lundrimin botëror të viteve 1922-23 në vetëm 450. Asnjë udhëtar nuk do të flinte nën kuvertë në klasin e tretë. Nuk do të kishte mbipopullim. Qëllimi ishte të përjetohej një eksperiencë luksoze.

Sipas Stephanie Wilds, mbesa e Eleanor -as dhe Claudia-s, motrat Phelps rridhnin nga një familje e pasur prej Karolinës së Jugut, të cilën e kishin krijuar në saje të një mulliri të grurit, prodhimin e porcelaneve, ndërtimin e hekurudhave dhe marrja me politikë.

“Janë para të ‘gjakut blu’, pasuri e vjetër aristokrate amerikane”, thotë Wilds për CNN Travel.

Ndërsa Wilds këmbëngul se “nuk ishin në pyetje paratë, por prestigji”, familja Phelps kishte fonde për të përballuar tre bileta në Laconia.

Wilds thotë se nëna e Eleanor dhe Claudia shpresonte se vajzat e saja mund të takonin disa beqarë të kualifikuar në bordin e anijes.

“Stërgjyshja ime po përpiqej t’i prezantonte vajzat e saja me meshkujt e duhur”, thotë Wilds.

Në ditarin e saj, Claudia përshkruante se kishte një “dhomë simpatike të duhan-pirjes dhe një dhomë ngrënieje shumë të bukur me xhama të shkëlqyeshme” të Laconisë.

Eleanor zbuloi se gjatë aktiviteteve të lira që përfshinte edhe leksione mbi historinë dhe gjuhën – perfekt për motrat Phelps dhe interesin e tyre për fotografinë – ndiqnin dhe koncertet klasike.

Ndërkohë, Claudia detajon se kohën e lirë e ka kaluar duke ushtruar në palestër.

Claudia dhe Eleanor përshkruajnë disa ndërveprime me pasagjerë të tjerë, por nuk është e qartë nëse ata i plotësonin standardet e kërkuara prej familjes – fokusi kryesor i ditarëve të tyre janë vendet që ata vizitojnë, të cilat nisnin me lindjen e diellit dhe përfundonin me perëndimin e tij.

Ditari i Eleanor, i cili është i disponueshëm për t’u parë si pjesë e koleksionit të Universitetit të Karolinës së Jugut, përfshin prerje gazetash – një artikull i New York Times me titull, “Anija fillon udhëtimin rreth botës” – fletëpalosje informacioni për pasagjerët nga American Express që detajojnë itineraret e udhëtimeve dhe kujtimet e mbledhura në porte, duke përfshirë pulla postare dhe kartëmonedha.

Kalimi i Kanalit të Panamasë

Laconia nuk shkeli kudo në Tokë – nuk arriti në ujërat australiane, për shembull – por ishte një udhëtim i ndryshëm nga të tjetërët që kishin ndodhur më parë.

Në nëntor të vitit 1923, Laconia ishte linja e parë që përshkoi Kanalin e Panamasë, atëherë vetëm një dekadë e vjetër.

Eleanor përshkruan zgjimin “në një mjegull” në mënyrë që të mos humbasë asnjë moment.

“Qielli ishte i mbuluar me re, të ngjyrosura në gri të lehta dhe vjollcë si dhe rënia e shiut të jepte përshtypjen e vellos së argjendtë”, ka shkruar ajo.

Eleanor i kishte lënë përshtypje mbresëlënëse kanali. Ajo shkruan për “pastërtinë dhe përfundimin e punës me beton, freskinë shkaku i gjelbërimit dhe efektin artistik të planifikimit”.

Në ditarin e saj, ajo ngjiti një broshurë informacionesh, të datës nëntor 1922, e cila përshkruan ndërtimin e Kanalit të Panamasë.

Pikat e tjera kryesore përfshijnë edhe malin japonez, Fuji. “Koni i tij i përsosur, i veshur me borë, shkëlqen nëpër mjegull. Nuk mund të imagjinoj asnjë pamje më të bukur se ajo dhe tani e di se pse japonezët e konsiderojnë atë të shenjtë”, shkruan ajo.

Shpesh Eleanor dhe Claudia bëjnë luftë përshkrimesh. Eleanor thotë se pritjet e saja për Taj Mahalin e Indisë ishin “të larta, por aq shumë ishin tejkaluar, sa që nuk kishte fjalë për t’i përshkruar”.

Ajo përfundon se “asgjë nuk mund ta përshkruaj atë dhe kështu që nuk do të përpiqet ta bëjë një gjë të tillë”, transmeton Telegrafi.

Në çdo port, American Express u ofroi pasagjerëve ekskursione dhe turne me guidë, qëndrime në hotele dhe mundësi për të njohur kulturën vendase.

Claudia shkruan për Darjeeling, Indi, “ne u ngjitëm nëpër pyje pasi kaluam një fshat, ku hasëm në pamje të mrekullueshme të luginave. Arritëm në maje sapo nisi agimi i ditës, pimë kafe dhe u ngjitëm në kullën e rrumbullakët të vëzhgimit për të parë diellin duke lindur”.

Një “trashëgimi udhëtimi”

Megjithëse rrëfimet e motrave Phelps nganjëherë janë të bezdisshme për një lexues modern, por mbesa Stephanie Wilds argumenton se ato në përgjithësi kishin një “mendje të hapur”.

“E vlerësojë kurreshtjen dhe tolerancën e tyre. Ata thjesht i trajtonin gjërat me një humor shumë të mirë, në pjesën më të madhe”, thotë ajo. “Unë mendoj se kjo është diçka e mrekullueshme. Mendoj se kështu duhet të udhëtojnë njerëzit, kureshtarë, mendje-hapur, tolerantë. Kështu duhet t’i qasemi botës”.

Duke u rritur, Wilds ishte afër tezes së madhe, Claudia, për të cilën ajo thotë se e mbajti atë qëndrim gjatë gjithë jetës së saj dhe udhëtimeve të panumërta.

“Ajo kishte një sens të shkëlqyeshëm humori dhe ishte mjaft humane – dhe kështu ajo nuk shqetësohej se sa rehat ishte apo sa mirë trajtohej”, thotë Wilds.

Si fëmijë, Wilds u magjeps me historitë që Claudia i përshkruante për udhëtimin e Laconias.

“Ajo i mbante mend shumë detaje, si argëtimet me fëmijë dhe adhurimin e kafshëve. Ajo na mësoi kalërimin e deveve dhe hipjen mbi elefantët”, shtoi ajo.

Por, megjithëse Wilds kujton se i kishte dëgjuar këto histori kur ishte fëmijë dhe ishte mrekulluar me shtëpinë e Claudias, ajo e vlerësoi plotësisht vetëm kur tezja e saj e madhe vdiq në vitet 1980 dhe Wilds trashëgoi kujtimet e udhëtimeve me Laconia.

Wilds i pëlqenin veçanërisht fotografitë – ajo nuk është e sigurt se si motra Phelps u bë fotografe e suksesshme, por ajo gjithashtu zotëron një “selfie” të hershme të tezes së saj të madhe, të realizuar me një aparat fotografik në formë kutie kur  ishte rreth 16 vjeç.

Duke parë fotot dhe ditarët si e rritur, Wilds ishte më e aftë për të vlerësuar momentet interesante nëpër të cilin u zhvillua udhëtimi i Laconia gjatë viteve 1922-1923.

Lundrimi erdhi vetëm pak vite pasi bota dhe kufijtë u mbyllën shkaku i Luftës së Parë Botërore. Laconia dukej se do të hapte një epokë të re – atë dimër, disa aeroplanë të tjerë të pasagjerëve ndoqën rrugëtimin e Laconia.

Por ky ishte gjithashtu një moment kalimtar në kohë. Më pak se 20 vjet më vonë, lundrimi me këtë anije u ndal shkaku i Luftës së Dytë Botërore, ku SS Laconia u angazhua prej Britanisë së Madhe ndërsa u fundos në brigjet e Afrikës perëndimore në vitin 1942.

Ndërsa udhëtimi me lundrim rifilloi pas luftës, Wilds e sheh udhëtimin e Laconia 1922-1923 si një moment specifik në histori.

“Ishin vitet e 20-ta të zhurmshme”, thotë ajo. “Ishte një dritare e mrekullueshme”.

Wilds thotë se motrat Phelps i lanë familjes së saj një “trashëgimi udhëtimi”. Ajo shikon me mall udhëtimin rreth Mesdheut, të cilën e kishte bërë gjatë fëmijërisë me tezen e saj të madhe, Claudia.

Wilds gjithashtu eksperimentoi me udhëtimet e lundrimit, duke përfshirë kalimin e Atlantikut me anijen e lundrimit Queen Elizabeth II.

“Vëllai im jeton në Japoni. Të gjithë kemi udhëtuar nëpër botë. Nëna ime ka qenë disa herë në Indonezi”, shton Wilds.

Sot, kur flet për kohën e familjes së saj në Laconia, Wilds thotë se merr reagime të ndryshme. Disa njerëz janë të magjepsur nga pasqyrimi i udhëtimit 100 vjet më parë, të tjerë i shohin ditarët dhe fotografitë si mbetje fatkeqe të një kohe kur udhëtimi ishte i kufizuar kryesisht për udhëtarët e pasur të bardhë.

Por Wilds mendon se ditarët dhe fotografitë e udhëtimit të Eleanor dhe Claudia ofrojnë një pasqyrë magjepsëse për udhëtimet gjatë viteve të kaluara. /Telegrafi/