LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimet që shpërfaqin shpirtin e Ukrainës

Rrëfimet që shpërfaqin shpirtin e Ukrainës
Fotokolazh: Lesya Ukrainka dhe Taras Shevchenko

Nga: John Self / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 2014, kur Rusia e aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë, satiristi rus Vladimir Sorokin shkruante për reagimin e miqve ndaj luftimeve që pasuan. “Nuk mund ta besoj se Rusia dhe Ukraina po luftojnë. Makth”, tha njëri. Tjetri shtoi: “Të gjithë ne rusët jemi ulur në një teatër të madh, për ta parë shfaqjen e quajtur Ukrainë. Dhe, nuk mund të largohesh nga teatri”!

Tashti të gjithë ne jemi duke e parë këtë shfaqje – po aq të tronditur dhe të tmerruar sa Sorokini dhe miqtë e tij. Por, ajo që shohim përtej lajmeve është diçka që me më fuqi: përfaqësimi i karakterit dhe i cilësive të Ukrainës dhe të popullit të saj. Është ky një vend që, për shkak të vendndodhjes unike gjeopolitike dhe për shkak të historisë së trazuar, për shumë vjet është përshkruar në mjaft libra dhe tregime, por vazhdon t’i frymëzojë edhe sot shkrimtarët. BBC Culture e trajton historinë letrare të Ukrainës dhe flet me shkrimtarët që e njohin më mirë këtë temë.

Boris Dralyuk është shkrimtari dhe përkthyesi që lindi në Ukrainë, por që jeton në ShBA. Në pyetjen se si përfaqësohet Ukraina në shkrime, ai e identifikon njërin prej baballarëve të letërsisë së saj, emrin Taras Shevchenko (1814-1861), “poetin kombëtar të Ukrainës, një lloj figure e ngjashme me Pushkinin, i lindur në robëri, talenti i të cilit ia bleu lirinë”. Një nga poezitë e Shevchenkos është “Pema e qershisë pranë shtëpisë” (1847): “Një lirikë e vogël”, thotë Dralyuk. “Nuk ju duket ndonjë poezi brilante, por për ukrainasit është imazhi i shtëpisë. Thjesht, qëndron në zemrën tënde dhe nuk mund ta shkundni nga aty”.

Ai gjithashtu e përmend poeten Lesya Ukrainka (1871-1913) që u ndikua nga Shevchenko dhe që ishte, siç thotë Dralyuk, “një lloj i figurës protofeministe që mund të dallosh nga zgjedhja e pseudonimit që ishte goxha shumë – nëse jo nacionalist – patriotik po se po. Imazhi i saj është shfaqur shpesh në Twitter, sepse kohët e fundit gratë ukrainase kanë dëshmuar një guxim të madh, ndaj është bërë simbol i atij lloji të rezistencës”.

Megjithatë, as Shevchenko dhe as Ukrainka nuk janë shumë të njohur jashtë Ukrainës. Është zhgënjyes fakti se si disa nga portretizimet e hershme e më të njohura të Ukrainës në letërsi janë bërë nga të huajt, veçanërisht nga ata që e përshkruajnë Luftën e Krimesë të viteve 1850. Ky konflikt midis Rusisë dhe një aleance që e përfshinte Britaninë dhe Francën, u përshkrua nga komentuesit si “fiasko e çuditshme” e karakterizuar nga “kasaphana famëkeqe e paaftësisë ndërkombëtare”. Në Angli, poeti laureat Alfred Tennyson, në kohën e luftës e përshkroi misionin vetëvrasës britanik në poezinë e tij më të famshme, “Sulmi i kalorësisë së lehtë” (1854) ku e portretizoi me ironi të hidhur budallallëkun e udhëheqjes së ushtrisë (“Dikush kishte gabuar “) dhe admirim për ushtarët që ndiqnin urdhrat e tyre (“U sulmuan me plumba dhe me predha /… në gojën e ferrit/ hipën të gjashtëqindët”).

Nga pala ruse, Lufta e Krimesë e krijoi ndoshta korrespondentin e parë të luftës në botë, meqë një oficer i ri në ushtrinë ruse, që kishte interes për letërsinë, dha raporte mbi rrethimin e portit të Sevastopolit më 1854-55 dhe, për herë të parë, i nënshkroi me emri i tij të plotë: Leo Nikolayevich Tolstoy. Tri “Skicat e Sevastopolit”, në formën më të hershme i shfaqin cilësitë e Tolstoit: përzierjen e politikës dhe të personaliteteve, rindërtimin rigoroz historik dhe një sy të mprehtë për një karakterizim më të madh se jeta.

Skicat lexoheshin si letërsi, plot jetë dhe vdekje, por për Tolstoyn “heroi i historisë sime, të cilin e dua me gjithë zemër dhe shpirt”, ishte “e vërteta”. Atij nuk i interesonte nëse skicat e ofendonin dikë – “të gjithë personazhet janë po aq të pafajshëm dhe po aq të ligj” – dhe ata e bënë e kanë bërë atë personazh të famshëm letrar. “Nuk arrita të bëhesha gjeneral në ushtri”, shkruante ai, “por u bëra në letërsi”.

Shembujt e Tolstoyt dhe të Tennysonit ofrojnë imazhin rezistues të Ukrainës si vend jo thjesht i ndarë, por i copëtuar nga konflikti. Ajo që tani e quajmë Ukrainë – është komb i pavarur për vetëm tri dekada – ishte historikisht pika e kalimit nga Perëndimi në Lindje. Në shekullin XIX, Ukraina perëndimore ishte pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, ndërsa ajo lindore sundohej nga Rusia. Në fillim të shekullit XX u bë bashkë për një kohë të shkurtë si Republika Popullore e Ukrainës, përpara se të ndahej edhe një herë midis Rusisë, Polonisë, Çekosllovakisë dhe Rumanisë, e më pas të bëhej pjesë e Bashkimit Sovjetik. Një mënyrë për ta kuptuar historinë e saj të stuhishme është se qyteti perëndimor ukrainas i njohur sot si Lviv, njihej ndryshe si Lvov, Lwów ose Lemberg – në varësi të asaj se kush ishte në krye të vendit në atë kohë.

Një mënyrë tjetër është ta dëgjosh shkrimtarin dhe humoristin me origjinë nga Ukraina, Mikhail Bulgakov i cili reflektoi me dhembje se si në vitet pas vitit 1918, në qytetin e tij të lindjes në Kiev “ishin 14 ndryshime pushteti, 10 prej të cilave i kam përjetuar personalisht”. Kontributi më i madh i Bulgakovit në letërsinë e konfliktit ukrainas është vepra e tij e pare e madhe, “Garda e Bardhë” (1925), që zhvillohet në një prej atyre betejave për kontrollin e Kievit dhe që i ndjek fatkeqësitë e familjes dikur të pasur Turbin (libri u kritikua nga censura sovjetike meqë “dështoi” ta përfshinte një hero komunist).

Edhe sot Ukraina ofron shkrimet që i pasqyrojnë luftërat e vazhdueshme: Dralyuk përmend një nga poetet më të rëndësishme bashkëkohore të vendit, si Lyuba Yakimchuk, e cila, siç thotë ai, “ishte refugjate nga Donbasi, nga zona e luftës, që ka shkruar në mënyrë të ndjeshme për këtë përvojë”. Poema e saj e vitit 2016, “Sorrë, rrotat”, e thekson përshkallëzimin, në dukje të pafund, të këtij konflikti: “Kur qyteti u shkatërrua, / filluan të luftojnë për varrezat”.

Por, ia bëjmë një padrejtësi Ukrainës nëse fokusohemi në letërsinë e saj të konfliktit dhe i injorojmë cilësitë tjera të vendit. Një nga tiparet e saj më dalluese është se, për shkak të statusit të vendit si pikëtakim mes Lindjes dhe Perëndimit, vendi është një si kazan shkrirjesh kulturash – veçanërisht në qytetet perëndimore si Lvivi dhe Odesa. Shkrimtari hebraik i lindur në Ukrainë, Isaac Babel (lindi më 1894) bëri emër si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX – përmes një krijimtarie relativisht të paktë – përpara se të vritej në vitin 1940 në kuadër të fushatës terroriste të Stalinit. Babeli shkroi se “asnjë hekur nuk mund ta shpojë zemrën me forcën e një [pikë/presje] të vendosur në vendin e duhur” dhe ndonëse edhe ai fliste për luftën – në sekuencën e “Kalorësisë së Kuqe” – janë “Tregimet e Odesës” që na ofrojnë më mirë karakterin e kazanit shkrirës të Ukrainës.

Dralyuku, që lindi Odesë, i ka përkthyer në anglisht tregimet e Babelit. “Tregimet e Odesës” kanë të bëjnë kryesisht me komunitetin e gangsterëve hebrenj dhe ato mbërthejnë një energji dhe paparashikueshmëri sa që mund t’i lexosh si të jenë nga një Damon Runyon nga Evropa. Në një pasazh ku tregimtari bie në kundërshtim me mbretin e bandës, Benya Krik (i cili “ia zuri rrugën sepse kishte pasion, e pasioni e sundon botën”), mund të ketë dalë drejtpërdrejt nga tregimet e Runyonit në Brodvej:

“Vazhdoi të sulmonte e të më shkelte me këmbë. Gruaja ime e pa se sa shumë më mërziti kjo dhe nisi të bërtas. Ia nisi në katër e gjysmë dhe nuk mbaroi deri në tetë. Dhe, se si ia ktheu, oh, si ia ktheu ajo atij! Duhet ta kishit parë”!

“Po, po, kjo tamam është ajo që krahasoja”, thotë Dralyuk. “Damon Runyon, Ring Lardner dhe autorët hebraiko-amerikanë si Bernard Malamud”. Një nga humbjet dytësore që lindin nga pushtimi rus, druhet Dralyuk, është se “gjuha ruse që e shihni në tregimet e Babelit, e cila është pjesë e kulturës ukrainase … do të tkurret në mënyrë të pashmangshme, sepse ata që i flasin të dyja gjuhët me siguri do të përpiqen të flitet më shumë ukrainishtja dhe jo rusishtja. E, kjo e përjashton një traditë të tërë të pasur që mund të kishte mbetur e hapur. Do të doja më shumë që Ukraina të lejohej të zhvillohej si vend shumëgjuhësh, multikulturor, siç ka qenë në 30 vjetët e fundit.”

Në tregimet e Babelit, Odesa paraqitet sa me dashuri aq edhe me humor. “Është”, shkroi ai më 1916, “qyteti më simpatik në Perandorinë Ruse … ku jeta është e mirë dhe e lehtë”. Diversiteti shfaqet me “vaporët nga Njukestlli, Kardifi, Marseja dhe Port Saidi; ku ka zezakë, anglezë, francezë dhe amerikanë”. Por, në anën tjetër të shoqërisë, “gratë e pudrosura”“borgjezisë së trashë dhe qesharake” të qytetit … bien te temperamenti pasionan i studentëve të mjekësisë dhe drejtësisë. Në përgjithësi, Babeli ka humor, “do të thoshte lexuesi: ‘Po duket se Odessa është qytet si çdo tjetër, dhe ju, zotëri, jeni thjesht të njëanshëm deri në ekstrem’”.

Në fakt, ky cinizëm dhe kjo tallje me vetveten përputhet plotësisht me atë që romancieri i lindur në Ukrainë, Józef Wittlin, në vitin 1946 e quajti “neveri për solemnitetin” dhe “mospëlqim i çdo lloj pompoziteti” në qytetin e tij të dashur, Lviv. Ashtu si Babeli, ai e adhuronte popullsinë e larmishme dhe shumëngjyrëshe të qytetit të tij: “Një përzierje e jashtëzakonshme fisnikërie dhe mashtrimi, urtësie dhe mendjelehtësie, poezie dhe vulgariteti”. Romancieri çeko-francez, Milan Kundera, e identifikoi këtë si cilësi që shtrihet gjerësisht në Evropën Qendrore: “Njerëzit e saj”, tha ai, “përfaqësojnë anën e gabuar të historisë. Janë viktimat dhe të huajt e saj. Është pikëpamje bindëse e historisë që është burimi i kulturës së tyre, mençurisë së tyre, ‘frymës joserioze’ që tallet me madhështinë dhe lavdinë”.

A vlen kjo “frymë joserioze” edhe për Ukrainën? “Mendoj se po”, thotë Dralyuk. “Është vend me një ndjenjë të lindur përulësie, një sens të shkëlqyeshëm humori dhe me një vetëvlerësim shumë të shëndoshë. Vlerësimi i figurës së margjinalit, dinakut, mashtruesit, personit që përdor çdo mjet për këtë” – lloji që e shohim në tregimet e Babelit – “është rrënjosur në kulturë. Dhe, ajo që e bën të veçantë letërsinë ukrainase është se i trajton ato figura në nuanca më të theksuara. Mendoj se është pjesë përbërëse e mentalitetit ukrainas – ka zemërim dhe humor në aspektin ukrainas”.

Në një mendim të ngjashëm është poetja dhe përkthyesja e lindur në Ukrainë, Nina Murray, me të cilën BBC Culture gjithashtu foli për letërsinë e vendit. “Ka një traditë të gjatë humori në Lviv, sepse ka qenë gjithmonë qytet i përzier e ku klasat e ndryshme të njerëzve talleshin me njëri-tjetrin. Por, edhe shkrimtari hebraik Sholem Aleichem është nga Lvivi dhe ai ishte humorist i shkëlqyer. Jam e njëanshme, sepse edhe unë jam nga andej”!

Edhe shkrimtarët bashkëkohorë ukrainas e kanë atë “frymë joserioze”. Dralyuk e përmend romanin e shkrimtarit Andriy Lyubka të vitit 2015, “Karabiti”, si shembull për këtë: “Është thjesht i mrekullueshëm. Është një nga ato historitë e banditëve, ku një mësues historie vendos të gërmojë një tunel nën kufirin ukrainas dhe t’i fusë vjedhurazi të gjithë 40 milionë ukrainasit në BE”.

Çfarë cilësish të tjera shfaq letërsia bashkëkohore ukrainase dhe çfarë mund të na thotë për vendin? Murray thekson se disa nga librat që ka përkthyer “kanë temë humbjen e pariparueshme, si pjesët e humbura të së kaluarës sonë që nuk mund t’i dimë më sepse kujtesa e gjallë është zhdukur”. Kjo mund të mos jetë befasuese duke i pasur parasysh humbjet që ka pësuar Ukraina në shekullin e saj të trazuar. Letërsia ukrainase, thotë ajo, mund të tregoj “se si është ta kesh atë vrimë pas vetes dhe përpjekjet krijuese për ta mbushur atë”.

Murray thotë se që nga viti 2014, “qeveria ukrainase ka dhënë më shumë mjete për përkthimin jashtë vendit të letërsisë moderne ukrainase, e kjo është arsyeja se pse tani shohim se si ky investim po shpërblehet”. Për të, një nga zërat kyç është Oksana Zabuzhko e cila “u bë shumë e famshme në Ukrainë në vitet 1990. E botoi romanin e shkurtër të quajtur ‘Puna në terren në seksin ukrainas’ (1996). Dhe, ishte romani i parë nga një grua e për një grua që lundron në psikikën postkoloniale, përfshirë marrëdhëniet e saj me burrat ukrainas dhe me burra të tjerë. Kështu që shkroi për gjërat për të cilat nuk është shkruar kurrë më parë”.

Ndoshta një nga shkrimtarët më të njohur modernë të Ukrainës është Andrey Kurkov, romani më i fundit i të cilit “Bletët gri” (2018) është vendosur në “zonën gri” që u ngrit mes separatistëve rusë dhe trupave ukrainase në juglindje të vendit – pas aneksimit të vitit 2014 të Krimesë. Është indirekte qasja e Kurkovit ndaj këtij konflikti: heroit të tij, bletarit Sergei, nga autoritetet ruse i sekuestrohet një nga kosheret e, kur ia kthejnë, nuk vepron më si shtëpi për bletët e tij. Si i butë e naiv, Sergei udhëton nga Donbasi në Krime, ndeshet me njerëzit që e përfaqësojnë Ukrainën moderne. Ata janë bujarë, të sjellshëm, elastikë: të gjitha cilësitë që i kemi parë me bollëk në krizën aktuale.

BBC Culture kërkoi nga Murray dhe Dralyuk të rekomandojnë shkrimtarët tjerë modernë ukrainas, të cilët janë botuar në anglisht, por që janë më pak të njohur se Kurkovi. “Është një libër i shkëlqyer nga një poete e quajtur Iryna Shuvalova”, thotë Murray. “Quhet ‘Lutu te puset e boshatisura’ dhe disa nga poezitë pasqyrojnë procesin e të kuptuarit të pushtimit dhe të luftës së vitit 2014”. Dralyuk e sugjeron Yuri Andrukhovychin, një shkrimtar më i njohur, veprat e të cilit përfshijnë “Moskoviadën” dhe “Dymbëdhjetë qarqet”, dhe i cili shkruan “në një lloj rryme surrealiste, me shumë humor, shumë satirë, që mund të shpjegojë natyrën e mentalitetit ukrainas dhe të historinë së saj”.

Shkrimtari polak Ryszard Kapuściński ishte i pranishëm në pavarësinë e Ukrainës në vitin 1991. Në librin e tij “Imperium” shkroi se “e ardhmja e Ukrainës do të zhvillohet në dy drejtime: në lidhje me marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe në lidhje me marrëdhëniet e saj me Evropën dhe pjesën tjetër të botës”. Të shkruarit nga dhe për Ukrainën nuk mund t’i unifikojë këto dy drejtime, por mund të na ndihmojë t’i kuptojmë ato. Dralyuk dhe Murray janë të pasionuar për të ndihmuar joukrainasit që ta përdorin literaturën e Ukrainës për ta kuptuar këtë vend që për arsye të gabuara shumë shpesh ka qenë në lajme. Një vepër e përkthyer, kohët e fundit në anglisht, për të cilën Dralyuk entuziazmohet është “Portrete pa korniza” (1999) nga Lev Ozerov, i lindur në Kiev, i cili në vargje na jep portrete të shkurtra e të gjalla të 50 figurave kryesore ukrainase dhe ruse, përfshirë autorët Isaac Babel, Boris Pasternak dhe Anna Akhmatova. .

“Është libër shumë i rëndësishëm të cilit nuk i është kushtuar shumë vëmendje”, thotë Dralyuk. “Por, është puna e një njeriu identiteti i të cilit është në qendër të vëmendjes tani, në ekranet tona. Ashtu si presidenti i Ukrainës, [Volodymyr] Zelensky, Ozerov ishte hebre i lindur në Bashkimin Sovjetik, në territorin e Ukrainës, i cili ishte po aq besnik ndaj identiteti ukrainas siç ishte me identitetin e tij si shkrimtar rus. Sikur të kishim kohë ta lexonim – epo kemi shumë gjëra të tjera për të bërë! – mendoj se libri do të na jepte një këndvështrim më të vlefshëm të asaj se çfarë do të thotë të jesh ukrainas. Nuk është vetëm të qenit një nacionalist i ashpër që mbulohet me flamur”, shton ai. “Është respekt për kulturën jashtëzakonisht të larmishme shumëgjuhëshe të vendit të dytë më të madh në Evropë”. /Telegrafi/