LAJMI I FUNDIT:

Roma fiton ndaj Juventusit, mban gjallë shpresat për Ligën e Kampionëve

Roma fiton ndaj Juventusit, mban gjallë shpresat për Ligën e Kampionëve
Roma vs Juventus(Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Roma e ka mposhtur Juventusin 2-0 në kuadër të javës së 36-të në Serie A, për t’i mbajtur gjallë shpresat për një vend në Ligën e Kampionëve, derisa kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të kampionatit.

Në pjesën e parë u zhvillua një lojë shumë e kujdesshme nga të dyja skuadrat, edhe pse rastet për gol nuk munguan, por në pjesën e dytë ishte një përballje më e zjarrtë.


Juventusi ishte për një nuancë më e mirë se Roma edhe në pjesën e dytë, duke pasur posedimin e topit dhe rastet për gol, por ishin këta të fundit që realizuan dy herë në fund.

Roma vs Juventus(Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Golin e parë në ndeshje e shënoi Alessandro Florenzi (79’), ndërsa Edin Dzeko realizoi krejt në fund një gol të bukur (90’+3), për t’i fituar kështu tri pikë tejet të rëndësishme, por edhe për të shpresuar që të kualifikohen në dy xhirot e fundit në Ligën e Kampionëve.

Juventusi tashmë e ka fituar titullin e tetë me radhë në Serie A, duke grumbulluar 89 pikë, ndërsa Roma është në të gjashtin me 62 pikë, aq sa ka edhe Milani në të pestin.

Në xhiron e fundit, Juventusi do të përballet me Atalantan, ndërsa Roma do të ketë punë me Sassuolon në udhëtim. /Telegrafi/

Cristiano Ronaldo(Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)