Nga: Allegra Rosenberg / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Grateful Dead nuk ishte thjesht një grup muzikor. Përfaqësonte një mënyrë jetese. Fillimisht një grup lokal i bluzit i njohur si Warlocks, shpejt u ngjit në rolin e grupit rezident për [gostitë] “Acid Tests” të autorit Ken Kesey, dhe deri në fund të viteve ’60 të shekullit XX u bë një forcë e fuqishme në skenën kombëtare të koncerteve. The Dead, siç shumëkush e quan grupin, ndihmoi në përcaktimin e kundërkulturës karakteristike të San Franciskos, duke ndërthurur ndikimet e folkut dhe amerikanës me spiritualitetin lindor – si dhe me eksperimente largpamëse me mjete futuriste.
Por, Grateful Dead veproi përtej rokut, psikodelisë dhe kulturës së drogës të viteve ’60. Falë një grupi adhuruesish të teknologjisë dhe muzikës, Dead e bënë të njohur atë që disa e quajnë komuniteti i parë i vërtetë në internet [online]. Breza më vonë, idetë që u formuan në këtë hapësirë pioniere digjitale vazhdojnë të jehojnë në jetën tonë të përditshme.
Adhuruesit e grupit Grateful Dead, të njohur si Ded’heds [Deadheads], u frymëzuan nga përqafimi i teknologjisë nga grupi, që nga sistemet e zërimit pionier deri te aspektet e thella multimediale vizuale. Shumë adhurues ishin vetë teknologë dhe inxhinierë të cilët punonin në Luginën e Silikonit [Silicon Valley] ose në universitete nëpër Amerikë me qasje në teknologjinë e hershme të internetit – të cilën ata e përdornin që në fund të viteve ‘70 të shekullit XX për të shkëmbyer gjëra të çmuara, si listat e këngëve të grupit Grateful Dead dhe drogat e paligjshme.
Në vitet ’80 të shekullit XX, shumë vite përpara World Wide Web-it, u shfaq një komunitet virtual në internet i quajtur The Well (shkurt për Whole Earth ‘Lectronic Link). I përqendruar në zonën e Gjirit të San Franciskos në Kaliforni, The Well jo vetëm që lulëzoi në vetvete, por u bë një nga faktorët më me ndikim në lindjen e internetit siç e njohim sot. Dhe, jetëgjatësia e tij ishte, në një masë të madhe, falë adhuruesve të grupit Grateful Dead.
The Well lindi nga një projekt i nisur nga shkrimtari, aktivisti dhe biznesmeni Steward Brand, i cili në vitet ’70 filloi të nxirrte një botim të shtypur të cilin e quajti Whole Earth Catalog. I frymëzuar nga lëvizja kthim në tokë [back-to-the-land] që kishte mijëra hipikë nëpër Amerikë të cilët krijonin komuna, Katalogu ishte krijuar për të ofruar “qasje në mjete” – slogani i tij – që çdokush mund t’i përdorte për të ndërtuar jetën e vet mbi parimet ekologjike dhe shpirtërore të lëvizjes. Kjo nënkuptonte se përveç mjeteve fizike që ofronte për jetesë të qëndrueshme – si aparate diellore, tezgjahë dhe komplete farash – ai përmbante një sërë librash dhe broshurash nga mendimtarë si Buckminster Fuller dhe Marshall McLuhan të cilët synonin të jepnin mendime se si mund të jetohej një jetë më e mirë dhe më e ndërgjegjshme. Katalogu pati një ndikim të madh, dhe jo vetëm te hipikët. Në një fjalim të famshëm të vitit 2005, bashkëthemeluesi i Apple-it, Steve Jobs, e quajti atë “një nga biblat e brezit tim”.
“Ne jemi si zota dhe më mirë të mësohemi me këtë,” pohonte Katalogu në hyrjen e botimit pranveror të vitit 1969, duke propozuar Katalogun dhe ofertat e tij si një mjet për të zhvilluar “fuqinë intime, personale” për të kundërshtuar “pushtetin dhe lavdinë e krijuar nga distanca” që dominohet nga larg-poshtë prej qeverive dhe bizneseve të mëdha.
Katalogu doli të jetë shumë i popullarizuar, duke shitur një milion kopje deri në vitin 1972. Larry Brilliant, një mjek dhe aktivist që ishte gjithashtu pronar i kompanisë kompjuterike Networking Technologies International, iu afrua Brandit me idenë për ta vendosur Katalogun në internet. Ishte një ide radikale në një kohë kur shumica e njerëzve nuk kishin për internetin. Por, Brand pa potencialin për t’u dhënë lexuesve të Katalogut një vend ku do të bisedonin me njëri-tjetrin. Brilliant siguroi financimin dhe pajisjet, ndërsa Brand ndihmoi përdoruesit dhe për të ndërtuar kulturën e komunitetit, ndërsa në vitin 1985, The Well u bë funksional.
The Well ishte një “Sistem i tabelave të njoftimit” [Bulletin Board System – BBS], një formë e hershme tekstuale e komunikimit online që i parapriu për shumë vite internetit të zakonshëm. Njerëzit mund të lidhnin një kompjuter përmes linjës telefonike dhe të dërgonin mesazhe ose të ndanin skedarë. Por, The Well ishte më i avancuar se BBS-të e tjera. Në vitet ‘80, këto sisteme zakonisht funksiononin me një modem të vetëm, shpesh nga një shtëpi private, dhe vetëm një person mund të lidhej në të njëjtën kohë. Bisedat në kohë reale mes shumë përdoruesve ishin të pamundura. The Well, që operonte nga zyra e Whole Earth Catalog në San Francisko, ishte ndër të parët që e ndryshoi këtë. Ai menaxhohej në mënyrë profesionale me softuerin komandues PicoSpan, dhe kishte pajisjet e nevojshme për përdorim nga shumë përdorues njëkohësisht – pesëdhjetë vetë mund të ishin online dhe të bisedonin njëkohësisht. Kjo ishte një përvojë revolucionare.
Howard Rheingold ishte një autor i pavarur që punonte nga shtëpia, duke kërkuar mënyra për t’u shoqëruar dhe për të humbur kohën. Si lexues i devotshëm i Whole Earth Catalog që nga numri i tij i parë, ai u bë pjesë e The Well-it që në fillimet e tij, duke u regjistruar menjëherë pasi u hap për publikun në vitin 1985.
“Shkrimi është punë e vetmuar,” thotë ai. “Je vetëm aty me makinën e shkrimit dhe me fjalët e tua. Në vend që të shkoja nëpër bare ose kafene, zbulova se mund të hyja në The Well dhe të kisha atë lloj bisede mes proceseve të shkrimit.” Rheingold e pa aty një demonstrim të lidhjes elektronike. Ai krijoi termin “komunitet virtual” për ta përshkruar The Well-in në librin e tij të vitit 1992 me të njëjtin titull Virtual Community: Homesteading on the Electronic Frontier. Në libër, ai vëzhgonte se “[shumica] e njerëzve që ende nuk kanë përdorur [komunikimin e rrjetëzuar] mbeten të pavetëdijshëm se si eksperimentet sociale, politike dhe shkencore që po zhvillohen sot përmes rrjeteve kompjuterike, mund të ndryshojnë thellësisht jetën tonë në të ardhmen e afërt.”
Në fillimin e tij, The Well u popullua nga një grup i larmishëm bashkëbiseduesish. Pronarët e zgjuar dhanë ftesa falas për gazetarë, entuziastë të kompjuterëve dhe figura të tjera të shquara në një kulturë të përqendruar te eksperimentimi dhe mendimi në stilin e Luginës së Silikonit. The Well theksonte pavarësinë dhe pronësinë: ekrani i hyrjes u thoshte përdoruesve “Ju i zotëroni fjalët e juaja.” Shumëkush këtë e shohin si herën e parë kur përmbajtja e gjeneruar nga përdoruesit u njoh si vlera thelbësore e një mjeti elektronik.
“Ishte një përzierje disi eklektike me një shije të fortë kundërkulturore,” thotë Rheingold. Një nga ata që morën këto ftesa falas ishte David Gans, një muzikant, DJ dhe Ded’hed nga zona e Gjirit, i interesuar për idenë e gjetjes së një shtëpie në internet për komunitetin gjallërues të grupit Grateful Dead. The Well ishte përputhja perfekt. Krahas bashkëthemeluesve Bennett Falk dhe Mary Eisenhart, ai ngriti forumin Grateful Dead.
Eisenhart, në atë kohë redaktore e një reviste kompjuterike të zonës së Gjirit, MicroTimes, kujton sesi fanzinat [revistat amatore] për Grateful Dead e shtynë të mendojë për lidhjen e anëtarëve të këtij fandomi [hapësire të adhuruesve]. “[Fanzinat] merrnin letra prekëse nga njerëz që mendonin se ishin të vetmit Ded’hedë në shtetin e tyre, por të paktën tani mund të lidheshin me Ded’hedët e tjerë,” thotë ajo. “Më tërhoqi shumë aftësia për të kapërcyer barrierat e kohës dhe hapësirës për t’u lidhur me ata me të cilët kishe një afinitet të vërtetë.”
Nuk vonoi shumë dhe hapësira Grateful Dead në The Well shpërtheu në popullaritet. Me dy dollarë në orë për t’u lidhur (rreth gjashtë dollarë ose 5.23 euro sot) dhe me një tarifë anëtarësimi prej tetë dollarësh (23 dollarë ose 21 euro sot), përkushtimi i Ded’hedsëve ndaj diskutimeve të pafundme për grupin e tyre të preferuar ndihmoi në financimin e gjithë platformës.
Për çfarë flisnin? Sipas Gansit, për shumë gjëra. Jo të gjithë adhuruesit e grupit Grateful Dead “kaluan murin” drejt pjesës tjetër të The Well-it. Shumë mbetën brenda botës së tyre, duke biseduar pa fund. Forumi i vetëm për Ded’hedëve u bë aq i vështirë për t’u menaxhuar sa u desh të ndahej në disa forume të veçanta që u krijuan për turnetë, biletat dhe koncertet, thotë Gans. Kishte edhe konferencën dedlit [deadlit] – “konferencë” ishte termi i The Well-it për një forum të veçantë tematik brenda platformës – ku përdoruesit mund të flisnin për lidhjet e Dead-it me letërsinë dhe të analizonin poezinë e tekstshkruesve të grupit – Robert Hunter dhe John Perry Barlow.
Barlow vetë ishte një figurë kryesore në ndërthurjen midis Grateful Dead dhe historisë së internetit. I rritur në një fermë në Vajoming, dhe i njohur me LSD-në nga vetë Timothy Leary gjatë kolegjit, ai përfundoi duke u lidhur me grupin në vitet ‘70. Ai shkroi këngë para se të kthehej për të marrë drejtimin e fermës familjare, ku largësia e tij nga zona e Gjirit kontribuoi në interesin e tij për fushën në zhvillim të kompjuterëve personalë dhe lidhjes në internet.
Gans kujton se e intervistoi atë në vitin 1982, disa vite para krijimit të The Well-it. “Ai tha [për Ded’hedë], ‘ky është një komunitet pa një vendndodhje fizike.’ Dhe, kjo më mbeti gjatë në mendje.” Adhuruesit e Grateful Dead ishin tashmë një grup i shpërndarë në aspekt kombëtar që bashkoheshin rregullisht në koncerte dhe përmes listës së madhe të postës. Në fakt, The Well nuk ishte as përpjekja e parë e Ded’hedëve në komunikimin digjital. Sipas Gansit, një nga grupet e para joteknike që u formua në Arpanet, pararendësi i internetit që drejtohej nga universitetet dhe qeveria amerikane, ishte i përkushtuar ndaj diskutimeve për Grateful Dead. Një përqafim i plotë i hapësirës kibernetike ishte hapi i natyrshëm pasues.
Megjithatë, Barlow nuk u bë menjëherë pjesë e kësaj nisme. Gans kujton skepticizmin e tij: “[Ai tha] ‘Nuk jam i sigurt nëse dua të jem pjesë e diçkaje ku duhet të shpikësh një pseudonim për veten.’”
Por, nuk kaloi shumë dhe Barlow përqafoi The Well-in, dhe së shpejti u bë forcë pioniere teksa interneti po hynte në rrjedhën kryesore.
Ai ishte personi i parë që e përdori termin cyberspace [hapësira kibernetike]të autorit të librit Neuromancer, William Gibson, për rrjetin në zhvillim të sistemeve kompjuterike dhe të telekomunikacionit që lidhnin njerëzit në mbarë botën. Barlow filloi ta quante cyberspace-in një “kufi elektronik”, duke u mbështetur në përvojat e tij të rritjes në Vajoming, në perëndimin malor të Amerikës. The Well dhe postet e tjera të ngjashme, si Prodigy dhe The Source, ishin si Perëndimi i Egër, shkruan Barlow, “i gjerë, i pashkruar në harta, me paqartësi kulturore dhe ligjore […] i vështirë për të lëvizur brenda dhe i hapur për qasje.”
Barlow gjeti një shtëpi brenda komunitetit të The Well-it, prej hakerëve, entuziastëve të fjalës së lirë dhe pionierëve të kompjuterëve për shtëpi. Ai e kuptoi shpejt potencialin e The Well-it si një pararendës i mënyrave në të cilat interneti do të ndryshonte përgjithmonë komunikimin njerëzor. Në The Well, Barlow mori pjesë në diskutime të gjata, shpesh duke debatuar me hakerë anonimë dhe “friksa” – ose hakerë të linjave telefonike – për rolin që komunikimi i rrjetëzuar do të luante në të ardhmen e njerëzimit.
Pas disa përplasjeve me oficerë të zbatimit të ligjit që nuk kuptonin asgjë, Barlow e kuptoi gjithnjë e më shumë nevojën për të mbrojtur përdoruesit e internetit nga shtrirja e tepruar e institucioneve dhe qeverive që dëshironin ta kontrollonin atë. Në vitin 1990, ai themeloi Electronic Frontier Foundation (EFF) – një organizatë avokuese që lufton për lirinë e shprehjes dhe të drejtat e tjera civile në botën digjitale.
“Dhe, pastaj kuptoj se ai e themeloi EFF-në dhe ai ishte Lordi kryesor i hapësirës kibernetike!” thotë Gans. EFF fitoi shpejt profil kombëtar dhe, 35 vjet më vonë, mbetet një nga forcat më me ndikim në botën e politikave të teknologjisë.
Për banorët e hapësirës kibernetike që dëshironin të angazhoheshin në diskutime dhe të bashkëpunonin me njerëzit që po skalitnin të ardhmen e komuniteteve virtuale, The Well ishte vendi ku duhej të ishe. Përkrah shumë Ded’hedëve të The Well-it, anëtarët përfshinin gazetarë të teknologjisë, si John Markoff dhe Steve Levy; sipërmarrës si Craig Newmark, themelues i Craigslist; Steve Case, themelues i AOL-it; entuziastë të kompjuterëve për shtëpi, si bashkëthemeluesi i Apple-it, Steve Wozniak; frikersë të telefonisë dhe hakerë; libertarianë; hipikë; dhe madje themeluesit e revistës Wired.
“Gjatë viteve kemi pasur njerëz që kanë qenë kapitenë të nëndetëseve, në pension, kemi pasur profesorë të gazetarisë. Jane Hirschfield, një poete shumë e njohur, është një përdoruese e rregullt, dhe John Carroll, që ishte kolumnist për San Francisco Chronicle, për shumë vite ishte drejtues i konferencës së medias,” kujton Gans, duke përshkruar larushinë e përdoruesve të The Well-it.
Shumë prej këtyre grupeve hynin shpesh në mosmarrëveshje. Por, kjo ishte pjesë e frymës miqësore të The Well-it, thotë Rheingold. “Nuk mund të kesh shumë biseda të mëdha me njerëz që bien dakord për gjithçka gjatë gjithë kohës,” thekson ai. “Të kesh pak përplasje mund të ndihmojë në krijimin e bisedave të gjalla.”
Në fillim, gjeografia e kufizoi përdorimin e hershëm të The Well-it në zonën përreth serverëve të tij në San Francisko. Përdoruesit nga larg duhej të paguanin tarifat e telefonit për t’u lidhur, derisa në vitin 1990 The Well u lidh me internetin global.
Edhe pse The Well nuk pati kurrë më shumë se rreth pesë mijë përdorues në kulmin e vet, mbulimi i tij mediatik dhe lidhja me risitë e kohës, si dhe roli i tij kyç në krijimin e EFF-së, i dhanë një reputacion shumë më të madh krahasuar me platformat më popullore të rrjedhës kryesore si CompuServe dhe Prodigy. “Të ishe në The Well më mbante gjashtë muaj përpara të tjerëve – për sa i përket asaj që po ndodhte realisht në internet,” tha ekzekutivi i teknologjisë Jim Rutt në një intervistë të vitit 2022. Ishte një inkubator jetik për ide dhe lëvizje në fushat e kompjuterëve, komunikimit dhe ndryshimeve shoqërore.
Por, ndërsa u rrit, The Well hasi vështirësi në qeverisje, siç kujton Rheingold, falë etosit të tij libertarian për lirinë e fjalës. “Nuk kishte politikë. Ishte konsensus, që do të thoshte se për t’u sanksionuar apo për t’u përjashtuar dikush për sjellje të keqe, kërkohej që njerëzit në The Well të debatoheshin pa fund për këtë. Dua të them, mijëra postime.” Mësimet për moderimin u nxorën, të tilla si – për Rheingold – rëndësia jetike që moderatorët të silleshin më shumë si mikpritës të një feste, duke u bërë jashtëzakonisht proaktivë për atë çfarë përmbajtjeje do të lejojnë dhe të promovojnë. “Moderatorët janë filtra dhe sensorë,” tha ai, ndërsa mikpritësit “përshëndesin njerëzit në derë, i prezantojnë me njëri-tjetrin, ndalojnë përleshjet.”
Sa për The Well-in, më vonë ai kaloi nën pronësinë e një kompanive të ndryshme, përfshirë revistën Salon, që e bleu atë në vitin 1999. Dhe, ekziston ende sot, si shtëpi e një grupi të vogël, por besnik të përdoruesve që po pakësohen ngadalë, shumë prej të cilëve kanë qenë në The Well për gati 40 vjet, thotë Gans. Ai zbulon se kanë nisur diskutimet se si të arkivohet dhe të mbyllet platforma në një moment në të ardhmen, duke e ruajtur atë për brezat e ardhshëm që të mund të kthehen pas në kohë.
Duke reflektuar mbi historinë e komuniteteve virtuale dhe rrjeteve sociale që nga kulmi i The Well, Rheingold mendon për faktin se komunitetet e vogla të përkushtuara mbi baza afiniteti janë një specie që po zhduket. “Facebook-u e zbehu vërtet përhapjen e komuniteteve më të vogla të njerëzve me një interes të përbashkët,” thotë ai, në favor të platformave më të mëdha plot me audienca që mund të shfrytëzohen për të dhëna dhe të shërbehen me reklama. “Kur anëtarët e komunitetit tënd bëhen produkti në vend që të jenë klienti, ti nuk ke më një komunitet,” thotë Eisenhart.
The Well përfaqëson një moment në histori kur, siç e tha themeluesi Steward Brand në librin e Rheingoldit, “revolucionarët e kompjuterëve personalë ishin kundërkultura.” Shumë përpara rrënjosjes së rrjeteve sociale dhe telefonave të mençur, një komunitet virtual ishte një koncept vërtet novator. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Letër nga Turqia (1717): Shqiptarët të premten shkojnë në xhami, të dielën në kishë

Në thesarin filatelik të Postës së Kosovës: Mes pullave postare që përcjellin çdo letër të dërguar "Me dashuri nga Kosova"

Pse duhet të ndjekim shembullin e të lashtëve në trajtimin e të moshuarve?

Tregimi për nusen e shëmtuar

A JE I GATSHËM TË TË QUAJNË TË ÇMENDUR?

Pse në veri, burrat qëllonin me armë pranë kokës së gruas?

Shitet shtëpia me sipërfaqe prej 360 m² në lagjen Pejton në Prishtinë

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Partnerë në elegancë: Telegrafi dhe Melodia Px ofrojnë 4 kravata Pierre Cavelli për vetëm 19.95 euro!

Kompletohu dhe shkëlqe në mbrëmjen e maturës me marrëveshjen mes Telegrafit dhe Melodia PX!

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?
Më të lexuarat

Pas aktgjykimit të Kushtetueses, reagon Vetëvendosje

Trump po planifikon marrëveshje 30 miliardë dollarëshe për një program bërthamor me Iranin?

Viktimë e shantazhit seksual online, rrëfimi i 48-vjeçarit: Më kërkuan para për të mos publikuar video intime

A ju kujtohet 'stadiumi fantazmë' që kishte filluar të ndërtohej para 15 vitesh? Shikoni çfarë po i ndodh sot

Stuhi të fuqishme me breshër godasin Tirolin e Austrisë, raportohet për dëme të shumta materiale

Ky është interpretimi i Kushtetueses për votim të hapur apo të fshehtë